Luciano Boçi: – SPAK, është një shembull i qartë i standardeve të dyfishta
23 Janar 2025
SPAK në fushatë elektorale, heton Bardh Spahinë se nuk ka ekzekutuar një vendim gjykate, harron Becin dhe Veliajn.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, në një deklaratë për shtyp u shpreh se thirrja e ish-kryebashkiakut të Shkodrës, Bardh Spahia, në SPAK, është një shembull i qartë i standardeve të dyfishta dhe përdorimit politik të drejtësisë nga qeveria.
Sipas tij, Spahia është thirrur për herë të tretë për një padi të pabazuar, ndërkohë që çështjet e korrupsionit të drejtuesve socialistë trajtohen lehtësisht ose mbyllen. Boçi theksoi se shkarkimi i një drejtori të paaftë dhe me precedentë penalë ka shërbyer si justifikim për ndjekjen penale të Spahisë.
Ai akuzoi gjyqtarin Andri Ymeri, i shkarkuar nga Vetingu, për përfshirje në manipulimin e procesit. Ndërkohë, raste të tjera të korrupsionit të zyrtarëve të qeverisë, sipas tij, zvarriten ose zbriten në prokuroritë e rretheve për t’u mbyllur.
Boçi e quajti këtë veprimtari të SPAK-ut një sulm ndaj opozitës, duke e lidhur atë me pengimin e aktivitetit të saj gjatë fushatës zgjedhore. Ai vuri në dukje se qindra dosje të qytetarëve mbeten pa zgjidhje, ndërsa SPAK fokusohet në çështje të motivuara politikisht. Sipas tij, qëllimi final është dëmtimi i opozitës për përfitime elektorale të qeverisë.
Luçiano Boçi: Thirrja në SPAK e ish-kryebashkiut të Shkodrës, anëtar kryesie i PD, është shembulli më i qartë i standardit të dyfishtë të këtij institucioni dhe përdorimit të tij si mashë politike e qeverisë. Bardh Spahia u thirr para tri ditësh për herë të tretë, për tu pyetur për një padi qesharake, si ajo e moszbatimit të një vendimi gjykate gjatë kohës kur ishte kryebashkiak. SPAK, si për ta dëshmuar anësinë politike dhe zellin e persekutimit të opozitës, para pak ditësh ia ka përcjellë Prokurorisë së Fierit një dosje tjetër qeveritare, rastin e korrupsionit të kryebashkiakes socialiste, Majlinda Bufi.
Pra, e ka zhgraduar në një prokurori më të ulët për ta mbyllur çështjen. Njësoj si dosjet e krimit zgjedhor ‘184’ dhe ‘339’. Për ta sqaruar për publikun dhe mediat se, çfarë ka bërë Bardh Spahia që thirret në SPAK, është shumë e thjeshtë. Si kryetar bashkie ai ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e Ujësjellësit të Shkodrës, një person me precedentë penalë, për paaftësi dhe sabotim të detyrës. Duhet shtuar këtu se edhe KLSH ka kërkuar shkarkimin e këtij drejtori për shkelje.
Drejtori në fjalë, ka arritur që brenda ditës së njoftimit për shkarkimin, ka bërë ‘sigurimin e padisë’, pra bllokimin e urdhërit të kryebashkiakut. Këtë ndihmë ia ka dhënë gjyqtari famoz Andri Ymeri, i shkarkuar nga Vetingu. Gjyqtari i ka kthyer drejtorit ‘nderin’ e punësimit në Taskë-Forcën e Ujësjellësit të kunatit të vet.
Kunati i gjyqtarit Andri Ymeri, i punësuar nga drejtori Mark Molla si drejtues i Task Forcës së Ujësjellësit-Shkodër, është Pëllumb Prençi, ish-prokuror i Pukës, i shkarkuar në 2014 për përfshirje në skandalin e dhënies së drejtësisë ne këmbim te parave. Ja pra pse është thirrur 3 herë në SPAK Bardh Spahia, për shkarkimin nga puna të një vartësi të paaftë dhe të korruptuar. Ndërkohë Erion Veliaj, të cilit i kanë dalë të gjithë drejtorët e korruptuar dhe hajdutë, është thirrur me ‘gjysmë zëri’ vetëm 2 herë.
Ndërkohë Benet Beci, krybashkiaku që rri dorë për dore me bandat e blinduara të Shkodrës, i kapur në korrupsion madhor ‘gjoja rastësisht’ nga vetë SPAK, trajtohet ende si koleg vetëm për arsye shtetërore zgjedhore. Ky është SPAK-u, dhe këto janë shkeljet flagrante të ligjit që sheh opozita kur e denoncon atë, me fakte dhe prova.
SPAK, në vend që ta kishte pushuar çështjen, që ditën e pare, e ka thirrur tri herë eksponentin e Partisë Demokratike për ta vënë para gijotinës së kamerave; për t’i bërë reklamë vetes-a e shihni: ne po punojmë!, Por, qëllimi final është një: pengimi i opozitës në fushatën zgjedhore. Me këtë synim, në vend që ta pushojë çështjen, SPAK kërkon ta çojë në Gjykatë.
Gjykata, siç e ka provuar ‘rasti Berisha’ në Shqipëri, ‘rasti Trump’ në Amerikë, apo ‘Berlusconi’ në Itali, janë forma më e mirë e pushtetit për të penguar dhe dëmtuar kundërshtarin politik. Ndërsa i turren Bardh Spahisë me ‘bukë në trastë’, 150 mijë dosje shqiptarësh që presin zgjidhje për pronat, shtëpitë, divorcet e qindra halle të tjera, zënë pluhur në bodrumet dhe sirtarët e drejtësisë. Por kjo nuk vlen. E rëndësishme është që SPAK- që i prin drejtësisë me shpatën anti-opozitare në dorë, del mirë në sondazhet e porositura nga qeveria.