Lufta në Gaza del jashtë kontrollit. – Tanket dhe avionët po shkatërrojnë gjithçka. – Pse Perëndimi refuzon ta ndëshkojë Izraelin
18 Maji 2024
Nga Marsela SHYTIA
Ka diskutime dhe përplasje për të ardhmen e pasluftës në Gaza, por konflikti është i përgjakshëm dhe pengjet janë larg çlirimit. “Gjenocidi ka arritur në një fazë të re të tmerrshme me operacionin ushtarak në Rafah”, denoncojnë përfaqësuesit e Afrikës së Jugut përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, duke i kërkuar Gjykatës të ndërhyjë për ndalimin e menjëhershëm të ofensivës në qytet, “në mënyrë që të mos shkatërrohet mundësia e rindërtimit të një shoqërie palestineze”.
Megjithatë, mesazhi është dhënë tashmë nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e përcaktoi betejën në Rafah si “vendimtare” për fushatën në Gaza, u parapri nga ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, i cili njoftoi, kundër dëshirës ndërkombëtare, se operacioni në qytetin në kufi me Egjiptin “do të intensifikohet”. Ushtria tashmë ka dërguar një tjetër brigadë, ndërsa mban zi 5 ushtarë të tjerë, të vrarë nga zjarri miqësor, duke e çuar numrin total të humbjeve të shtetit hebre në Gaza në 278.
Operacioni më i madh ushtarak
Sakaq, forcat izraelite u përleshën me luftëtarët e Hamasit në rrugët e ngushta të Jabalia në Gazën veriore dje, në disa nga luftimet më të ashpra që kur u kthyen në zonë një javë më parë, ndërsa në jug militantët sulmuan tanket që grumbulloheshin rreth qytetit Rafah.
Vendasit thanë se automjetet e blinduara izraelite kishin arritur në treg në qendër të Jabalia, më i madhi nga tetë kampet e refugjatëve të Gazës, dhe se buldozerët po shkatërronin shtëpi dhe dyqane ndërsa depërtonin. “Fokusi i Izraelit është tani Jabalia, tanket dhe aeroplanët po shkatërrojnë zonat e banuara dhe tregjet, dyqanet, restorantet, gjithçka. E gjithë kjo po ndodh përpara një bote dritëshkurtër,” tha Ayman Rajab , i cili jeton në pjesën perëndimore të Jabalia. “Le të ketë turp bota. Ndërkohë, amerikanët do të na japin ushqim,” tha Rajab, baba i katër fëmijëve, për Reuters. “Ne nuk duam ushqim, ne duam që kjo luftë të përfundojë dhe pastaj të mund ta menaxhojmë jetën tonë në mënyrë të pavarur”, shtoi ai.
Ofensiva shkatërruese
Izraeli tha se forcat e tij pastruan Jabalia muaj më parë si pjesë e një lufte të shkaktuar nga sulmet vdekjeprurëse të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, por javën e kaluar Tel Avivi njoftoi se po kthehej në Jabalia për të parandaluar kthimin e grupit islamik. Luftimet përkuan me një sulm në Rafah në skajin jugor të enklavës, afër kufirit me Egjiptin, i cili bëri që qindra mijëra njerëz të iknin nga të dy skajet e territorit njëkohësisht.
Ushtria izraelite tha në një deklaratë se trupat e saj kishin vrarë më shumë se 60 militantë në ditët e fundit dhe zbuluan një depo armësh pranë kompleksit të strehimoreve, si pjesë e asaj që e përshkroi si një “ofensivë në nivel divizioni” në Jabalia. Si rregull, një operacion divizioni përfshin disa brigada, secila me disa mijëra ushtarë, gjë që do ta bënte atë operacionin më të madh të luftës. “Edhe tani, ushtarët po shkëmbejnë zjarr me celula terroriste në zonë,” tha ushtria izraelite, duke shtuar se qendra e Brigadës së 7-të “koordinoi dhjetëra sulme ajrore, eliminoi terroristët dhe shkatërroi infrastrukturën terroriste”. Të paktën 35,303 palestinezë janë vrarë në luftë deri më tani, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
Përplasjet në OKB
Forcat izraelite njoftuan se kishin gjetur trupat e tre pengjeve.
Zëdhënësi kryesor i ushtrisë Daniel Hagari tha të premten se ata u vranë nga Hamasi në festivalin e muzikës Nova dhe se trupat e tyre u dërguan në Gaza.
Kryeministri Netanyahu tha se ishte “zemërthyer” me lajmin për gjetjen e trupave. Konflikti i vazhdueshëm midis Izraelit dhe Kombeve të Bashkuara është rindezur me temën: ” Deri më sot nuk keni bërë asgjë për lirimin e pengjeve! Si mund të kërkoni armëpushim përpara se të bëni gjithçka për të sjellë pengjet në shtëpi? “.
Kështu tha ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan , duke folur në debatin e Këshillit të Sigurimit për situatën e pengjeve në Gaza. Atmosfera e furishme në OKB, në fakt, u përkeqësua më tej pas vendimit të Asamblesë së Përgjithshme për të njohur Palestinën si anëtare.