Lufta në Ukrainë/ A do ta armatosë Rusinë? – Kina merr vendimin
16 Prill 2023
Kina do të mbetet neutrale në luftën Rusi-Ukrainë dhe nuk do t’i shesë armë asnjërës palë.
Kjo garanci erdhi nga ministri i jashtëm kinez, i cili zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me homologen e tij gjermane, e cila vizitoi Pekinin.
Kreu i diplomacisë kineze tha se vendi i tij dëshiron të punojë për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës, deklaratë që u vlerësua nga ministrja e jashtme gjermane. Vizita e diplomates gjermane vjen fill pas qëndrimit në Pekin javën e kaluar, të presidentit francez Emmanuel Macron.
Ai shkaktoi një valë kritikash të ashpra kundër tij, kur deklaroi se Europa nuk duhet të mbajë anë në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, sa i takon Tajvanit. Tensionet në rajon janë përshkallëzuar ndërsa Kina zhvilloi stërvitje masive ushtarake duke rrethuar ishullin.
Nga ana tjetër, Tajvani reagoi duke zhvilluar një stërvitje, ku simuloi reagimin në rast të një sulmi kinez. Ministri i Jashtëm i Kinës i bëri thirrje Gjermanisë dhe të tjerëve që ta dënojnë Tajvanin, ndërsa ministrja gjermane tha se një përshkallëzim ushtarak në ngushticën e Tajvanit do të ishte një skenar katastrofik për tregtinë globale dhe për Gjermaninë e varur nga eksportet.
Gazeta Sot