Lufta në Ukrainë drejt fundit? Putin i gatshëm për bisedime, por me një kusht…
Kundërofensiva ukrainase vijon në shkallë të gjerë duke shfrytëzuar resurse strategjike, por deri më tani nuk ka shënuar asnjë sukses. Kështu pretendon presidenti rus Vladimir Putin i cili në një takim me blogerët ushtarakë të transmetuar në televizion, deklaroi se humbjet e forcave ukrainase janë gati katastrofike.
“Përveç humbjeve në personel që po i afrohen pragut të katastrofës, ata kanë humbur edhe 25-30 përqind të armatimeve të siguruara nga perëndimi gjatë kundërofensivës. Gjatë kësaj kohe kanë humbur 160tanke dhe 360 automjete të blinduara”, u shpreh Putin.
Teksa theksoi nevojën për të luftuar ato që i quajti agjentë armiq, dhe për të përmirësuar mbrojtjen kundërsulmeve në thellësi të territorit rus, Putin tha se nuk do të ndiqte shembullin e Ukrainës duke shpallur ligjin e luftës. po ashtu, sipas tij, nuk është e nevojshme as mobilizim i rezervistëve shtesë pas atyre të thirrur në shtator.
Megjithatë kjo sipas tij do të varet nga objektivët që do të vendosë Moska në Ukrainë, duke sugjeruar se një përpjekje e re për të pushtuar Kievin do të kërkonte forca shtesë.
“Çështja e mobilizimit varet nga qëllimet që i vendosim vetes. Për momentin nuk e kemi të nevojshme”, theksoi Putin.
Numri një i Kremlinit akuzoi Ukrainën se kishte shkatërruar digën e Kakovkës duke bombarduar strukturën me sistemet raketore të prodhuara në Amerikë, HIMARS. Ai e drejtoi edhe një herë gishtin nga perëndimi për furnizimet me armë drejt Ukrainës, ndërsa bëri të ditur se Moska po e pasuronte arsenalin ushtarak duke rritur prodhimin me 2.7 herë.
“Jam i gatshëm për bisedime me Kievin tha ai”, por furnizimet me armë duhet të ndalen.
Gazeta Dita