Lufta në Ukrainë, dy këshilltarë të Trump paraqesin planin e ‘paqes’
26 Qershor 2024
Donald Trump i është paraqitur një plan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, nëse ai zgjidhet në Shtëpinë e Bardhë në nëntor.
Sipas mediave të huaja, që citojnë agjencinë e lajmeve Reuters, bëhet me dije se dy këshilltarë kryesorë për kandidatin e supozuar republikan kanë paraqitur planin, i cili përfshin t’i thotë Kievit se do të marrë më shumë ndihmë ushtarake të SHBA-së, vetëm nëse hyn në bisedimet e paqes.
Në të njëjtën kohë, SHBA do të paralajmëronte Moskën se refuzimi për të negociuar do të rezultonte në rritje të mbështetjes nga Uashingtoni për Ukrainën, sipas gjeneral-lejtnant në pension Keith Kellogg.
Lt Kellogg dhe Fred Fleitzl, të cilët ishin të dy shefat e shtabit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Trump, thanë se një armëpushim do të bazohej në linjat mbizotëruese të betejës gjatë bisedimeve të paqes.
Fleitzl tha se Trump tregoi një qëndrim pozitiv ndaj planit.
“Unë nuk po pretendoj se ai ishte dakord me të ose ishte dakord me çdo fjalë të tij, por ne ishim të kënaqur që morëm reagimet që bëmë,” tha ai.
Kremlini ka thënë se çdo plan paqeje nga një administratë e ardhshme Trump do të duhet të pasqyrojë “realitetin” e fushëbetejës dhe shtonte se Vladimir Putin ishte i hapur për bisedime.
“Vlera e çdo plani qëndron në nuancat dhe në marrjen parasysh të gjendjes reale të punëve në terren,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Nga pala ukrainase, këshilltari presidencial Mykhailo Podolyak tha se ‘ngrirja’ e luftës në linjat e frontit mbizotërues do të ishte “e çuditshme”.
“Ukraina ka një mirëkuptim absolutisht të qartë dhe ka shprehur formulën e paqes të propozuar nga presidenti Zelenskyy, ku është thënë qartë se paqja mund të jetë vetëm e drejtë dhe paqja mund të bazohet vetëm në të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.