“Lufta në Ukrainë ka intensifikuar tregtinë Rusi-Shqipëri”. Qeveria Shqiptare merr vendimin: – Rusët mund të hyjnë pa viza në vendin tonë
“Lufta në Ukrainë ka intensifikuar tregtinë Rusi-Shqipëri”. Qeveria Shqiptare merr vendimin: – Rusët mund të hyjnë pa viza në vendin tonë
– 20.04.22
Një vendim i papritur është marrë nga qeveria e Shqipërisë përsa i përket turizmit. Qytetarëve rusë u jepet “drita e gjelbër” për të hyrë në vendin tonë me pasaportë, pa vizë.
Në bazë të vendimit, edhe shtetasit e vendeve si Arabi Saudite, Bahreini, Egjipti, India, Katari, Omani, Taljanda dhe Rusia, që të hyjnë pa vizë për motive turistike në Shqipëri.
Sipas vendimit, shtetasit lejohen të hyjnë në Shqipëri për një periudhë të kufizuar duke nisur nga data e sotme deri më 30 dhjetor.
Ndërkaq, sa i përket shtetasve nga Rusia e cila është edhe në luftë me Ukrainën dhe njëherësh duke u përballuar me sanksione të shumta nga Perëndimi, të cilat përshijnë ndalimin e personave të caktuar të hyjnë në vendet evropiane, qeveria shqiptare në vendimin e saj shpjegon se këta shtetas mund të hyjnë pa vizë për motive turistike në Shqipëri dhe me dokumentin pasaportë, për një periudhë të kufizuar nga data 1 maj deri më 30 shtator.
“Lista e shteteve, shtetasit e të cilave hyjnë pa vizë për motive turistike në Republikën e Shqipërisë dhe me dokumentin pasaportë për një periudhë të kufizuar/për periudhën nga data 20 prill deri më 31 dhjetor: Arabi Saudite, Bahrein, Egjipt*, Indi, Katar, Oman, Rusi*, Tailandë. * Shtetasit e shteteve të shënuara me simbolin (*),hyjnë pa vizë për motive turistike në Republikën e Shqipërisë dhe me dokumentin pasaportë, për një periudhë të kufizuar/për periudhën nga data 1 maj deri më 30 shtator”, thuhet në vendimin e qeverisë të miratuar ditën e sotme.
Më herët u raportua se Lufta në Ukrainë ka intensifikuar tregtinë midis Rusië dhe vendit tonë. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se importet për disa artikuj të tillë si çeliku, vaji kanë pësuar zgjerim si në vlerë dhe në sasi, duke bërë që pesha e importeve nga Rusia te rritet në totalin e importeve.
Sipas të dhënave zyrtare, në janar -mars 2022 importet ruse në vlerë shënuan 3.6 miliardë lekë me një rritje 68% në krahasim me një vit më parë. Në janar-mars 2022 importet nga Rusia zunë 3 për qind të totalit të importeve në vlerë nga 2 për qind në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Për të gjithë tremujorin e parë 2022 u importuan nga Rusia 44 mijë tonë mallra me rënie vjetore 14 për qind. Por vlera e tyre ishte më e lartë në krahasim me vitin e kaluar për shkak të rritjes së çmimeve.
“Importet e çelikut rus drejt vendit tonë u rritën me ritme të larta gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga INSTAT në tremujorin e patë u importuan 11 mijë tonë hekur, nga vetëm 1500 tonë vitin e kaluar me një rritur mbi 600%, ndërsa importet e vajit pësuan një rritje të shpejtë. Në -tremujorin e parë u importuan nga Rusia rreth 2400 tonë vaj nga 641 tonë në tremujorin e parë të vitit 2021 me një rritje 273 për qind.
Gjatë vitit 2021, Shqipëria realizoi 2.7% të tregtisë së jashtme me zonat në konflikt, Rusi dhe Ukrainë. Volumi tregtar i Shqipërisë arriti 701 miliardë lekë, ndërsa me Rusinë dhe Ukrainën, tregtia në vlerë ishte 19 miliardë lekë, ose 2.7% të totalit.
Volumi tregtar dominohet nga importet e mallrave prej këtyre dy vendeve. Në vitin 2021, Shqipëria importoi nga Rusia dhe Ukraina 19 miliardë lekë mallra, që përbën 99.5% të volumit tregtar dhe pjesa tjetër, 0.5%, përfaqësohet nga eksportet shqiptare në këto vende, kryesisht prodhime bujqësore”, shkruante Monitor në artikullin në fjalë.
Gazeta Shqiptare