18 Qershor 2023

Pesë ikona të rralla bizantine që u hoqën nga Kievi për shkak të pushtimit rus janë përfshirë në një koleksion që do të ekspozohet nga nesër, e mërkurë, në Muzeun e Luvrit në Paris.

Imazhet janë pjesë e një koleksioni prej 16 veprash arti nga Muzeu i Artit Bogdan & Varvara Khanenko që u larguan nga Kievi majin e kaluar pas pushtimit rus. Ata u transportuan në Francë nëpërmjet Polonisë dhe Gjermanisë.

Katër pikturat vijnë nga manastiri i Shën Katerinës, në malin Sinai në Egjipt dhe datojnë midis shekujve 6 dhe 7 pas Krishtit. E pesta, që përshkruan Shën Nikollën, vjen nga Kostandinopoja dhe daton midis shekujve 13 dhe 14.

Ministri i Kulturës i Ukrainës Oleksandr Tkachenko akuzoi pushtuesit rusë për vjedhje të artit dhe shkatërrimin e vendeve të trashëgimisë kulturore.

Ai shprehu gjithashtu shqetësimin për përmbytjet e shkaktuara nga shembja e fundit e digës Kakhovka, duke vënë në dukje se mijëra vepra arti ishin strehuar në zonën më të gjerë nga pjesë të ndryshme të territorit ukrainas.

Në tetor 2022, Muzeu i Artit në Kiev u dëmtua nga një raketë ruse që ra aty pranë.

Ekspozita në Muzeun e Luvrit me titull “Fillimet e Hagiografisë, Imazhe nga Muzeu Kombëtar i Artit Bogdan & Varvara Khanenko, Kiev” do të zgjasë deri më 6 nëntor.