Lufta për Republikën e ‘shpëton’ edhe Presidenti

Koço Kokëdhima

Enigma e këtyre zgjedhjeve lidhet me ndërkombëtarët. Ata i monitorojnë, i certifikojnë, i quajnë zgjedhjet “kuazi demokratike”, me “standarde”, “të pranueshme” me “shkelje”… Paradoksalisht nuk është rezultati i votimeve ai që e mundon opinionin për 30 qershorin, sepse SHBA dhe BE mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve me një palë. Po ashtu, nuk ka rëndësi raporti që do të përpilohet për zgjedhjet. Publikimi  i përgjimeve nga gazeta ’’Bild” i ka bërë të duken pa peshë këto raporte. Pas kuintave, diplomacia perëndimore po përgatit një plan për atë që fillon më 1 korrik. Liderët e tri partive të vjetra po njihen dalëngadalë me detajet dhe shprehin kënaqësinë ose pakënaqësinë herë me protestë shumë paqësore, herë me kërcënim se zgjedhje në 30 qershor nuk do të ketë, herë me aksionin për shkarkimin e presidentit dhe shumë rrallë duke përdorur fjalët dialog apo kompromis. Nëse do të vazhdonim ta shtronim problemin në këtë mënyrë, do të zbulonim edhe skemat që kanë palët për 30 qershorin.

Përplasja dukshëm po i afrohet kufirit të kuq të konfliktit civil, të cilin e duan të dy palët për të justifikuar një pazar sa më të madh pas 30 qershorit. E ndërsa ne përpiqemi te gjejmë të panjohurën, kryeministri dhe presidenti qëndrojnë ballë për ballë, kurse ushtritë e spektatorëve brohorasin pas çdo goditjeje të ndërsjelltë. Kryeministrit i intereson ta personalizojë sa më shumë këtë luftë për pushtet, duke e paraqitur atë vetëm dhe gjoja si vazhdimin e llogarive të lëna në mes që nga viti 2013 kur u bashkuan në koalicion. Qëllimi i shumicës është që opozita të marrë goditjen e dytë, eliminimin e mbrojtjes që i jep asaj presidenti. Ai po përpiqet të ndihmojë opozitën, e cila nuk arrin të bëhet popullore. Çfarë kërkon populli nuk përputhet me kërkesat e opozitës rreth PD-së. Kjo palë nuk luftoi për demokratizimin e Shqipërisë, por vetëm për rotacionin e pushtetit. Prandaj, Presidenti i Republikës lipset në këtë moment të dëgjojë mirë zërin e njerëzve, kërkesat imediate të shoqërisë shqiptare për reformë kushtetuese dhe zgjedhore.

Rrugët e përplasjes janë ligjore dhe politike. E para, përplasja ligjore, është institucionale, të jep kohë të qëndrosh në zyrë, të presësh verdiktin e gjykatave, të grumbullosh argumentet, të mbrohesh dhe të fitosh mbështetje nga të huajt, siç po bën kryeministri, etj. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, që indirekt nuk e njohu dekretin e dytë mbi datën e zgjedhjeve tashmë ka ndodhur. A do të qëndrojë në zyrë Presidenti, duke pritur shkarkimin nga ky parlament dhe më pas nga Kushtetuesja? A do presë Meta që të fitojë të drejtën në Gjykatën e Strasburgut në se ndodh shkarkimi i tij? Një shkëndijë shprese u dërgoi Presidenti njerëzve në deklaratën e sotme, me fjalët “nga ky institucion do të nisë ringritja e Republikës”. Shpërndarja e parlamentit mund të ishte një tjetër veprim institucional, por as kjo nuk çon tek qëllimi, sepse gjithçka fillon tek zgjedhjet, po ashtu edhe ringritja e Republikës.

Presidenti nuk ka shumë kompetenca dhe imunitet. Ai nuk i ka bërë detyrat ndaj popullit të tij dy vjet me rradhë. Nuk e ka ndihmuar popullin të çlironte zgjedhjet dhe qeverisjen nga krimi dhe vjedhja. Ai gjendet tani përballë një kundërshtari të pacipë që e kërcënon me shkarkim, por edhe përballë ndërkombëtarëve që e shohin si një pengesë për të kaluar normalisht raportin për zgjedhjet e radhës të pranueshme për Shqipërinë. Ndoshta ai ishte më i fortë kur opozita ishte në parlament, por tashmë rrezikon të pozicionohet në cakun e dobët si president vetëm i opozitës. Rruga politike është e vetmja për të zgjidhur këtë krizë, pavarësisht mjeteve ‘ligjore’ që mund të provohen ende edhe pak ditë. Pra, në kushtet kur rrugët e dialogut duken të pamundura, të paktën, jo para 30 qershorit, Presidenti Meta duhet të shpallë nisma të vërteta politike për të bashkuar të gjithë faktorët, përfshirë opozitën për të rrëzuar këtë qeveri, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, bërjen gati të bazës së pajtimit kombëtar, që është reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore. Duhet të bëjë pikërisht ato që nuk ka bërë dy vite resht që qëndron në atë post.

E kemi mirëpritur opozitën kur në çadrën e protestës e bëri të sajën këtë tezë të hedhur nga Partia ‘Zgjidhja’, për rikrijimin e Republikës, por kjo mbeti në atë kohë vetëm retorikë. Presidenti Meta i kundërshtoi ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008 që e zhveshën popullin nga sovraniteti dhe presidentin nga kompetencat dhe e transferuan të gjithë fuqinë e pushtetit tek kryeministrat dhe kryetarët e  partive. Por, partia e presidentit, LSI, nuk bëri asnjë përpjekje minimaliste për demokratizimin e shtetit, qeverisjes, zgjedhjeve dhe partive.

Ambasadorët e OSBE/ODIHR-it, BE-ja, dhe SHBA-të mbështeten te diplomacia dhe, pavarësisht vlerave të larta të demokracisë që ata mbrojnë në vendet e tyre, nuk mund t’i ofrojnë popullit tonë një zgjidhje afatgjatë, por një pazar apo kompromis që do ta shtyjë në kohë krizën. Ndërkombëtarët veprojnë mbi korniza institucionale, mbi të gjitha duan status quo-në dhe stabilitetin. Ajo që duan shqiptarët në këtë moment është larg nga vullneti i partnerëve ndërkombëtarë, jashtë kornizës, sepse në radhë të parë kërkojnë ndëshkim moral, ligjor dhe politik për vjedhjen dhe korrupsionin. Populli ynë nuk mund të presë drejtësi derisa të mbarojë reforma në drejtësi, që zgjat të paktën 10 vjet. Nuk mund të votojë i lirë, kur kryeministri i kapur për vjedhje votash s’jep dorëheqje dhe kur votat i numërojnë militantët kriminelë të tri partive të vjetra. Nuk mund të besojë tek zgjedhjet e radhës, kur opozita jo vetëm s’ka një plan për reformën zgjedhore dhe kushtetuese, por nuk jep asnjë shpresë se është e gatshme për çlirimin e tyre. Presidenti, si garant i unitetit të kombit, duhet të iniciojë dhe drejtojë këtë lëvizje popullore për ringritjen e Republikës. Asnjë ndërkombëtar nuk do të mund të kundërshtonte një vullnet për të rivendosur sovranitetin e popullit, që mbi të gjitha shprehet tek vota. Kjo është e vetmja rrugë për Shqipërinë.

Nga: Gazeta Liberle