Luftë e hapur mes Metës dhe Bashës, presidenti i përgjigjet kreut të PD-së për detin: Jam peshë e rëndë
Luftë e hapur mes Metës dhe Bashës, presidenti i përgjigjet kreut të PD-së për detin: Jam peshë e rëndë
2 DHJETOR 2021
Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur presidentit Ilir Meta lidhur me akuzën e bërë se “ka bërë dopio lojë me marrëveshjen me Greqinë për detin”. Basha u shpreh se këto deklarata janë trillime e gënjeshtra, pasi negociatat e 2009 sipas tij janë kryer nga ekspertët e ministrisë dhe pjesa diplomatike u ndoq nga një person i sjellë nga Rama dhe Meta.
“Trekëndëshi i Bermudës këtë punë do bëjë. Fakti është që negociatat e 2009 u kryen nga ekspertët e ministrisë dhe pjesa diplomatike u ndoq nga një person i sjellë nga Rama dhe Meta. Të tjerat janë trillime dhe gënjeshtra”, tha Basha në Neës24.
Drejtuesi i emisionit “Log.” Endri Xhafo tentoi që ta pyeste Presidentin në lidhje me këtë replikë të Lulzim Bashës, por Ilir Meta tha se lideri aktual i PD-së i ndryshon qëndrimet nga mëngjesi në darkë.
“Nuk kam asnjë interes. Përgjigjet e tij ndryshojnë nga mëngjesi në drekë dhe darkë. Shiko përgjigjet për zhvillimet e brendshme në PD, çfarë tha për 9 shtatorin, për Kuvendin, që nuk do të ketë kurrë, çfarë do të më thuash mua për një kryetar që thotë statutin nuk e di mirë, por shkoni dhe pyesni sekretarin.
Të jesh kryetar i partisë dhe të mos dish akoma statutin. Çfarë mund të pres unë nga një kryetar kur thotë se ai protokollisti, apo sportelisti që mund të jetë shumë i nderuar, që nuk ja di emrin asnjë nga ne dhe ndoshta nuk ja dinë të gjithë demokratët, që thotë se është më i rëndësishëm se zoti Paloka, që ka qenë krahu i tij i djathtë, dhe është kryetar i Këshillit Kombëtar i zgjedhur nga ky vetë.
Çfarë mund të pres tjetër unë nga ky? Nuk dua të merrem me Bashën. Unë vij nga një sport individual si peshëngritja që ka rregulla, si boksi, mundja, që nuk mund t’i shmangesh dot përballjes, unë kam sportin e së vërtetës se çfarë sporti ka ai e dinë të gjithë, mjafton të shikosh orën dhe kujtohesh çfarë sporti bën. Ai në çdo moment, nuk mund të ndeshet një i kategorisë më të rëndë me një të kategorisë më të lehtë. Unë për respekt të së vërtetës po e bëj këtë sakrificë nëse vazhdon të merret me mua, unë nuk i kam asnjë detyrim Bashës” tha Meta.
Gazeta Sot