Luftë në Ukrainë? Bideni sot pret telefonatën më të rëndësishme si president
Luftë në Ukrainë? Bideni sot pret telefonatën më të rëndësishme si president
7 DHJETOR 2021
Presidenti amerikan, Joe Biden, të martën do të ketë një nga bisedat më të rëndësishme telefonike deri më tani në presidencë. Ai do të bisedojë me presidentin rus, Vladimir Putin, pak pas paralajmërimeve nga inteligjenca amerikane se Rusia po përgatitet të pushtojë Ukrainën në muajin e ardhshëm.
Sipas raportimeve, Bideni po kërkon një zgjidhje diplomatike pasi Rusia dërgoi 70 mijë trupa ushtarake në kufirin me Ukrainën.
Bideni e ka bërë të qartë se administrata e tij do të qëndrojë e gatshme për të ndërmarrë aksione ndaj ekonomisë ruse. Putini, nga ana tjetër, pritet të kërkojë garanci nga Bideni se NATO nuk do të zgjerohet kurrë në Ukrainë, që ka kërkuar anëtarësimin qe një kohë të gjatë.
Biseda e sotme vjen gjashtë muaj pasi Bideni e takoi Putinin për herë të parë si president në Zvicër. Atë kohë, ai u përpoq të ulte tensionet mes dy shteteve për sulmet kibernetike e kontroll të armëve.
Të dy kanë histori të gjatë kundër njëri-tjetrit. Bideni është shprehur haptas se nuk e duron Putinin. Më 2011, pas takimit, kur Bideni ishte zëvendëspresident i ishte shprehur direkt Putinit se “nuk mendoj që ke shpirt”.
Ndërkaq më vonë Bideni e kishte quajtur Putinin vrasës e kishte vazhduar duke ia kujtuar se “do ta paguajë shtrenjtë” përpjekjen për të minuar zgjedhjet e 2020-s.
Gazeta Shqip