25 Prill 2025

Partia Socialiste duket se është në prag të një “tërmeti” politik që pritet të tronditë themelet e saj. Një betejë e paprecedentë për pushtet po zhvillohet brenda vetë zemrës së partisë, ku dy klane të fuqishme janë futur në një luftë të hapur për kontrollin e mandateve sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Klani i Erion Veliajt, i përbërë nga emra si Fatmir Xhafaj, Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka, Toni Gogu dhe Etjen Xhafaj, synon të shkruajë një kapitull të ri në historinë e PS, duke sfiduar hapur “gardën” besnike të Edi Ramës.

Në anën tjetër, figurat e forta të kryeministrit, si ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja, ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, deputetë Erion Braçe, Pandeli Majko dhe Olta Xhaçka, janë hedhur në sulm për të mbrojtur bastionin e tyre politik. Veliaj, megjithëse i izoluar, raportohet se po tërheq fijet nga prapaskenat dhe ka vendosur të luajë gjithçka për gjithçka. Ka zëra që flasin për një hakmarrje politike, pas akuzave se burgosja e tij u orkestrua nga vetë Rama. Beteja kulmon në Qarkun Tiranë, ku përplasja e këtyre dy klaneve po kthehet në një luftë për jetë a vdekje politike.

Burime nga brenda PS flasin për mbledhje të tensionuara, kërcënime të fshehta dhe aleanca të panatyrshme që po formësohen nën sipërfaqe. Kandidatët e Veliajt po marrin mbështetje të pazakontë nga socialistë e zhgënjyer, nga segmente të administratës publike dhe biznesit, çka ka rritur panikun në kampin e Ramës. Lista e hapur është kthyer në arenë gladiatorësh, ku çdo votë do të vendosë fatin e klanit që do të mbijetojë. Nëse Veliaj arrin të sigurojë 7 mandate për njerëzit e tij, krijimi i një grupi parlamentar të veçantë do të tronditë stabilitetin e mazhorancës. Ky grup mund të përdoret si mjet presioni politik, negociatash për poste apo edhe për ndarje të mundshme të PS në dy fraksione.

Madje burime nga selia rozë paralajmërojnë se kjo është vetëm faza e parë e një lufte shumë më të madhe që mund të përfundojë me rikonfigurimin total të së majtës shqiptare. Ndërkohë, qytetarët presin me ankth se kush do ta fitojë këtë përplasje titanësh dhe çfarë pasojash do të sjellë ajo për qeverisjen dhe të ardhmen e vendit. Megjithatë e vetmja gjë e sigurt është se më 11 maj, Tirana nuk do të jetë thjesht një fushë zgjedhjesh, por një fushëbetejë politike. pra e gjithë kjo situatë ku njerëzit e Veliajt janë lënë në listë të hapur Partia Socialiste duket se po shkon drejt zgjedhjeve të 11 majit më e përçarë se kurrë dhe me tensione të brendshme që do të minojnë stabilitetin e saj. Kjo pasi njerëzit e kryebashkiakut Veliaj që kandidojnë për deputetë në listë të hapur do të synojnë të lënë jashtë Parlamentit besnikët e Ramës, pasi në Qarkun e Tiranës, PS lufton vetëm për 6-7 mandate, përtej 12-çes që është në listë të mbyllur.

Paralajmërimi

Por sinjalet se kemi një luftë klanesh në Partinë Socialiste i ka dhënë pak ditë më parë edhe Fatmir Xhafaj, i cili garon për mandatin e deputetit në listën e hapur të PS për Tiranën. Teksa ishte i ftuara në një studio televizive, Z. Xhfaja zbuloi se ka një tension në garën brenda socialistëve, por uron që kjo të mos çojë në thyerje. “Të them që nuk ka tension do të ishte e gabuar. Vetë gara ka brenda tensionin sepse është konkurrim, kjo është normale. Kjo është një eksperiencë e parë por besoj se do të duhet që në të ardhmen të ketë disa rregulla të qarta për konkurrimin e brendshëm sepse nëse këto tensione shkojnë në një pikë të lartë vlimi këto mund të kenë pasoja në të ardhmen për kohezionin e brendshëm të forcës politike.

Duke e konsideruar një gjë shumë pozitive konkurrimin brenda nesh dhe marrëdhënien që krijohet me qytetarët në saj të këtij konkurrimi duke i konsideruar këto vlera të dobishme, duhet të kujdesemi që i gjithë ky konkurrim të mos çojë në thyerje të kohezionit dhe etikës të një gare konkurruese midis nesh. Unë besoj se nëse do të kishte gjëra të tilla do të ishin jo shumë të dobishme. Ka edhe një gjë tjetër, i seleksionon edhe vetë familja politike, socialistët nuk i pëlqejnë tensionet e brendshme, nuk e kanë në natyrën e tyre konfliktin e brendshëm dhe nuk i pëlqejnë njerëzit konfliktuale që duan t’ju imponohen në bindjen e tyre dhe në votën e tyre. Kandidatët që do të tentojnë të bëjnë një gjë të tillë nuk besoj se do të jenë të suksesshëm”, deklaroi Xhafaj.

Gazeta Sot