“Luftëtari” i Odise Paskalit dhe legjenda e tij.-
“Luftëtari” i Odise Paskalit dhe legjenda e tij.-
Nga: Luan Rama
«Luftëtari» ka lëvizur shumë herë rreth këtij vendi ku ndodhet sot, – më tha një nga miqtë e mi korçarë në të shëtitore të bukur, dhe kjo thënie mu ngul në kujtesë. Ngjan se «luftëtarët kombëtarë» edhe nëse janë prej guri, mermeri apo bronxi ata lëvizin, një lloj shpirti i shtyn të vinë nëpër rrugët e qytetit të tyre për të riparë botën që ata nuk mundën ta jetonin.
Të ngjan se ata kanë lëvizur nëpër kohra, duke kapërcyer dekada e shekuj, në kohë thëllimesh e nën dritën e ëmbël të majit, siç e pashë dhe unë këtë maj. Heronj të tillë të bëjnë padyshim të ndalesh, të stepesh, jo për nga emri apo simboli që përmbajnë në vetvete, por për nga fryma që mishërojnë. Të ngjan se ashtu, «të vrarë e të gjallë», keto figura i kanë paraprirë gjithnjë historisë.
E duke menduar kështu, atë mbrëmje, mu shfaq porta e madhe e atelierit të krijuesit të tij, skulptorit Odhise Paskali, të cilin e kishim përballë pallatit dhe në ditët e nxehta të verës, kur ai e linte portën hapur, ne fëmijë, afroheshim dhe vështronim në mahnitjen e madhe ato portrete, ato figura gjigande që mishëroheshin nga dalta e tij dhe ai, me atë bluzën e bardhë, të puntorit-artist që vëzhgonte krijesën e tij në mendime.
Ky skulptor unikal ka kohë që e ka mbyllur portën e atelierit të tij, dalta e tij gjendet diku në një dergjje vaji për dorën e tij, figurat e tij janë shpërndarë në ketë truall dhe përtej kufijve dhe mjeshtëria e një Skënderbe, e një të Urituri, apo e dashnorëve të mëdhenj në mermer zotërojnë hapësirën publike me magjinë et yre artistike. Arti di të tregojë magjinë! E unë e vështroja me endje në qiellin ku këputeshin yjet, përtej shpatullave të tij.
Mendoja kështu dhe nuk di pse për një çast mu shfaq figura e Paskalit që si ne një legjendë, ishte ngritur nga nëntoka për të kërkuar nëpër rrugë «Luftëtarin» e tij. Vallë kishte dëgjuar për lëvizjen e tij ?
Ndoshta… Rrallë herë kam ndeshur një vepër arti që me një figurë njerëzore të përmbledhë një epokë më vete, një histori, një komb, një thirrje e dalë nga populli për ta kthyer atë në një legjendë Dhe përsëri imagjinoja Paskalin në atelierin e tij, ballin e tij të lartë dhe atë fisnikëri që i jepte veprave të tij hire të tjera; imagjinoja Paskalin dhe përpiqesha të kapja diçka që mund të kishte ndodhur tek krijonte këtë figurë, fytyrat luftëtare, komitet e çetave të lirisë, të rënët dhe ato fytyra të rrahura nga era, baruti e zjarri, për të arritur pastaj në atë figurë përgjithësuese dhe origjinale njëkohësisht, që të pulsojë emocione pa përfillur kohrat, sistemet politike, rëniet dhe ngritjet historike. C’ka ndjerë vallë artisti ato çaste?…
Do doja të isha atë moment në shpirtin e tij, por ne, fëmijë, ulur në pragun e portës së tij, ato figura na ngjanin me mitet dhe përrallat e një bote tjetër… Odhise Paskali na la pas veprat më të denja të skulpturës shqiptare. Duke e mbyllur portën e atelierit të tij, me atë përshëndetjen e tij të lehtë e olimpike njëkohësisht, ai e dinte se vepra e tij do ti kapërcente kohërat, shekujt dhe do ti printe gjithnjë historisë…
20 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)