?

Nga: Astrit Çerma

Im at, furrxhi i lagjes, rrëfente: – I kisha të ndara vëndet e sergjenit të madh ku vendosja tavat në furrë. Ne të majtë kaurët, në të djadhtë muslimanët. Edhe lugët që përzija gjellët ishin dy, secila e varme nga naija e vet.

– Usta Isuf – më porosisnin të gjithë,- Se mos na e përzien gjellën me lugën tjetër…

– Jo, oree..Ç’është ajo fjalë?..Ama, dëgjoni këtu: Po ju erdhi tek gjella era mysliman juve kaurve, ose, po ju erdhi tek gjella era kaur juve muslimanëve, ta dini, nuk e keni të “keqen” nga sergjeni, as nga lugët, edhe as nga unë. E keni nga furra.Unë një grykë furre kam edhe një shtrat furre kam. Këtu hyjnë të gjitha e ketu dalin të gjitha. Aty brenda s’ka as kaur e as myslimanë, aty vlon. Vlon për secilën tavë sipas harxhës së vetë, ama, vlon për të gjitha. Se ç’japin e marrin tavat me njena- tjetrën aty mbrenda, për atë Zot që është një, unë, aaaa, jooo…Nuk mbaj përgjegjësi!

Astrit Çerma, Vizatim nga Ylli Haruni

Disa shtrembëronin turinjtë, disa rrudhnin buzët, por, shumica qeshte me të madhe… Kur, vinin ditët e sebepeve dhe shtohej puna shumë, si me marifet, kur kishte bajram rralloheshin tavat e kaurëve dhe kur kishte pashkë rralloheshin tavat e muslimanëve. Secila palë gatuante nëpër shtëpija. Dhe jo nga frika e lugëve që mund të përziheshin, jooo… Por, t’u lironte vendin palës tjetër që të “mbaronte punë” sa më shpejt dhe sa më mire meqë ishte festë.

Mbas sebepeve, unë nuk rrija pa i cyt. Merja një tufë lugë nga shtëpija dhe i shtrija në mes të sergjenit të madh…

– Ç’janë këto lugë usta Isuf?!- pyesnin ato që edhe dinin edhe nuk e dinin “hilen”.

– Janë lugët tuaja – i përgjigjesha.- Mi solli “filani” e kollani”…I kishit harruar mbramë kur shkuat për t’i uruar për festën që kishin.

Plaste e qeshmja. Dhe kur qesh njerëzia, hajde e mere vesh po qe i zoti kush është kaur dhe kush është msliman… Ah, vendi im i mrekullueshëm….Qyteti im…Njerëzit e mi…Në çdo festë vetëm urime dhe qeshje! Ahhh…