Luljeta Dano: – Fjala me fuqinë vetëshëruese brenda saj
Luljeta Dano: – Fjala me fuqinë vetëshëruese brenda saj
– 06/12/20
Bashkëbisedoi: Mark Simoni
Intervistë me shkrimtaren dhe hulumtuesen e simbolikës në etnografi Luljeta Dano
Në vëmendjen e opinionit publik dhe shijeve të lexuesve, ju keni ardhur nga Galeria e Letërsisë. Ç’mund të na thoni për indin tuaj letrar, që lexuesit tanë të kenë një paranjohje me shkrimtaren Luljeta Dano.
Identiteti im si qenie shoqërore fillon dhe mbaron te Letërsia. Çdo punë që bëj e që mbush ditën time, filtrohet e zhvillohet në vetëdijën time letrare. Nuk jam pjesë e atij dyqani letrar, të cilin Bertold Breht e quan: Është lopa që i siguron gjalpë e qumësht shkrimtarit, por të menduarit brenda ligjësive të arkitekturës të letërsisë, përthyerja e gjuhës shqipe në qëndresën time ekzistenciale si strukturë letrare, është ajo që unë jam.
Gjenerata ime ishte me fat për kohën kur u rrit, me traditën e gjallë ende. Pleqtë e asaj kohe, si gjyshër, si fqinjë, si miq të familjes apo patriarkë e matriarke farefisi ishin mishërim i kodit zakonor të Pleqësisë së lashtë që Straboni i quan: Ilirët qeverisen me ligjet e Këshillit të Pleqve që i quajnë Plakonja. Familja shqiptare atëherë ishte me dyfishin a më shumëfishin e anëtarëve që ka sot. Të ishte pjestar i vogël në familjen që moralisht qeverisej nga më i moshuari i saj, në një sistem shoqëror e politik socialist që gjeneronte diktaturë proletariati jashtë shtëpisë, të edukoheshe prej tyre, të jetoje me këngët, vallet, përrallat e tyre, ishte një besim dhe etikë që të lidhte me Të Drejtën Morale dhe Fisshmërinë e një rendi tjetër shoqëror.
Një autore e re, Esmeralda Husaj, shkruan: Çfarë i bën shkrimtarët e mëdhenj? Njohin shpirtit e njeriut deri në shërim! Këto dy fjalë mua më pikën me atë moral fabule që gjeje te këto figura bashkëbiseduese burra apo gra të plakur fisnikisht: Jo, një bisedë e thjeshtë, sa për të qënë në folje e sipër, por formula jete ku mësoje, njihje, edukoheshe me parimet themelore të jetës e natyrës dhe besimit në Zot, mësoje gjuhën amtare burimore. Ishim fëmijë me veshë të lumtur nga ngjyrat e dashurisë së gjuhës, e cila ishte fortesa jonë e sigurisë dhe e vetëvlerësimit. Sot është alarmante, sa e krasitur dhe e shartuar keq u mësohet shqipja fëmijëve, së pari nga librat shkollorë, nga gjuha mediatike e më gjerë.
Ato kujtime e figura pleqsh, që mund të ishin dhe të pashkollë, mbushën fëmijërinë time dhe qenë shkrimtarët e mi të adhuruar pa libra të botuar, por prej të cilëve mësova: Fjala nuk është një mekanizëm grirës, as pështymore e jetës me rrethanat e katrakteret njerëzorë, por një instrument botëkrijues, si në Ungjillin e Gjonit: E Para ishte Fjala. Dhe Fjala qe pranë Zotit. Po Zoti qe Vetë Fjala.
Fjala në botëbërjen e tyre kishte pikërisht forcën e shërimit në plagët, tragjizmin e jetës, humbjet e historisë, si dhe lavdërimin e asaj mrekullie që quhet Jetë, sikur të ishin qenie të përjetshme. Se e tregoj çdoherë me mallëngjim këtë fakt, vetëm në rrugën time nëntë pleq e plaka bënin njëmijë vjeç. Dhe ishin aq të drejtë në shtat e mendjekulluar. Mësimi më i parë që mora për të patur guximin e fjalës publike, poaq i çmuar dhe në marrëdhënien vetiake njerëzore të përditshme: Çdo fjalë pa efektin vetëshërues brenda saj është e padobishme dhe e kotë. Gjuha, Fjala nuk na jepet për t’iu hakërryer jetës.
Njihet se vokacioni juaj kryesor tashti është etnologjia dhe trashëgimia kulturore, veshjet e Veriut të Shqipërisë, fondi i xhubletave dhe i objekteve të tjera të mjedisit të saj… A bashkëshoqërohet ky pasion me frymëzime të reja letrare?
Unë nuk jam etnografe dhe nuk kam nevojë të jem.
Kam ndërtuar një fond të parametrave muzeorë për Xhubletën, si një tipologji e lashtë veshjeje grash e botës mesdhetare ende e gjallë ndër shqiptarët e veriut dhe objekte të tjera që lidhen me antropologjinë e saj. Kjo punë për shumë vite ka kërkuar shumë sakrifica të miat dhe të familjes time, sepse mirëmbajtja, restaurimi dhe konservimi i objekteve kërkon përkujdesjet e duhura që kërkojnë fizikisht kohë dhe punë, investime financiare, si dhe plot shërbime të tjera…
Por puna për gjurmimin, mbledhjen e kësaj arkive etnografike, si dhe hulumtimet mbi simbolikën kultike që gjendet në veshje, objekte druri, guri, metali, epe, rituale e zakone të arealit alpin të xhubletës mua mē kanë dhënë shumë më tepër nga ç’u kam dhënë, më kanë çuar larg në procesin e njohjes, ma kanë shëtitur mendjen në zona transhendente arkeotipale. Ato janë një thesar përmbi thesare i popullit shqiptar, janë një gjenomë feniksi e shpirtit të popullit shqiptar.
Natyrshëm, thirrja e tyre dhe jehona brenda meje, erdhën dhe vijnë çdoherë nga letërsia.
Çfarë impulsesh të brendshme ju kanë shtyrë drejt fushës së etnologjisë dhe koleksionimit të thesareve të traditës?
Gjuha e tyre piktografike, që unë i quaj tekste të vjetra dhe bartëse mitesh parahistorikë në të cilat ze vend thënia e eksploratorit revolucionar Jacques Cousteau: Mitologjinë dua më shumë se historinë. Se historia shpesh ka tendencën të dalë e gënjeshtërt dhe mitet të vërteta.
Një lexim esseistik mbi këtë simbolikë kam bërë në librin “Perëndesha Athina dhe simbole të tjera Kozmogonike”.
Mund të na thoni se ç’gjëra e objekte të vjetra e të rralla ka në fondin tuaj dhe të na tregoni dhe ndonjë histori ilustruese interesante që lidhet me këto objekte?
Koleksionin tim të Xhubletave, po e quaj, unë e kam konsideruar gjithmonë me gjithë inventarin e tij prej qindra objektesh, si një tërësi unike. Përmban më së shumti veshjen kombëtare të grave veriore me xhubletë, veshje të tjera burrash e grash nga veriu i Shqipërisë, stolitë e tyre, instrumenta muzikorë, mjete prodhimi, si dhe objekte të ekonomisë e përdorimit shtëpiak. Objektet më të vjetra në të mund të jenë dhe 200 – 250 vjeçare.
Sipas studiuesve shqiptarë dhe të huaj duke krahasuar tipologji veshjesh nga ilirët tek arbërorët e mesjetës së hershme e gjer te shqiptarët e sotëm, ato vijnë besnikërisht të ngjashme. Alexandre Th. Degrand, në fund të shek. XIX, shkruante, se kur zbriste në qytetin e Shkodrës i dukej, se gratë ishin të stolisura me po ato stoli që kishin nxjerrë nga varreza arbërore mesjetare e Komanit.
Po ndaj me ju një histori të shkurtër nga universi i Xhubletës, se aq lejon korniza e një interviste:
Sot në Shkodër pashë një xhubletë të florinjtë me stolitë e saj përtej çdo përfytyrimi për të bukurën dhe të madhërishmen.
Kjo më bëri të mendoj për Shqipërinë Tjetër, atë të ndritshmen, ku jetojnë shumë shqiptarë, shumë miq të mitë, të afërt dhe të largët, të njohur a të panjohur që ashtu si unë, nuk i shkul dot nga Shqipëria për t’i mbjellë në një “atdhe” zëvendësues, por janë dhe ata që jetojnë larg, nga ata që nuk jetojnë dot andej larg pa Shqipërinë, ndaj e kanë marrë me vete.
Të zotët e xhubletës së artë më lutën edhe me një drekë plot shije për t’i mirëkuptuar, pse nuk dëshironin fotografimin e asaj xhublete… Një bajraktar kelmendas para një shekulli ia pat bërë dhuratë nuses së tij për bukurinë e madhe që kishte ajo, e ngaqë pranoi të martohej me të, i cili nuk e konsideronte veten të barabartë për nga hijeshia e shtatit për t’u bërë çift me yllen. Ndaj ia porositi veshjen dhe stolitë aq të shtrenjta, sa dukej se ia kish porositur në yje dhe ia patën zbritur në tokë për nusen e bukur.
Kujtova përshkrimin që u bën Homeri armëve të reja te Akilit… Stolitë tipike të xhubletës aq të njohura me modelet e tyre në vijimësi modelesh antike ishin unike, duke ruajtur modelin, por modelimi qe sikur të ishte shkrirë porosia e një mbreti me frymëzimin e punës së një perëndie argjendar, si Hefesti. Jo vetëm simbolet e qëndisura në ar, por edhe ivat nuk ishin thurrur me spik, por me fije te florinjta. Të zotët e sotëm kishin të drejtë që dëshironin të mos e fotografoja. Nuk do të ketë fotografi të mbajë historinë e asaj xhublete!
Vetëm Syri!
Sa herë shkoj në Shkodër, qytetin që më duket se e njoh më mirë nga çdo qytet, pyes veten: Çfarë do shoh sot në Shkodër që do më mahnisë pafundësisht?
Shkodra – magjepsje që nuk shter! Shënim i datës 15 Maj 2016.
Si historia e kësaj xhublete jo e koleksionit tim, ka plot që janë shpētuar nga harresa dhe tretja përfare… Dua të veçoj dhembjen që ndjen hulumtuesi e studiuesi kur para tij ka një objekt që shkëlqen me të tëra ç’ka, që ti e ndjen se është jashtëzakonisht i çmuar, që ka ardhur në kohën tonë nga thellësia e kohërave, por vjen pa historinë e tij, e cila e ka lënē vetëm objektin përgjithmonë.
Unë e njoh thelbin e koleksionit tuaj dhe jam emocionuar kur e kam vizituar. Para shumë vitesh, kam vizituar gjithashtu mjedisin me artifakte të mjeshtrit Gëzim Uruçi me xhubletën e vjetër, me rozetat dhe materiale të tjera dhe desha të di, a ka në vendin tonë shumë njerëz të apasionuar rreth koleksionimit të këtyre objekteve? Çfarë rrallësish ndodhen në koleksionet shqiptare?
Është një familje e madhe Shoqata e Koleksionistëve të Shqipërisë, me dhe pa anëtarësi në Shoqatë, që nxjerr dhe revistën e saj KOLEKSIONISTI. Koleksione të veçanta, për të cilat Shoqata ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet e ligjbërjes klasifikimin e tyre sipas vlerave që mbartin si thesare të trashëgimisë kombëtare, ose si art apo pasuri kulturore që ndodhen në Shqipëri, të mahnisin për nga ndërtimi i tyre. Natyrisht mahnitja ime ka përherë dytësor objektin.
Më magjeps aftësia mendelejevase e një koleksionisti të zot shqiptar për të mos i munguar asgjë në fushën e tij të koleksionimit dhe arkivës historike që sjell. Që nga filatelistët shqiptarë, të cilët nderohen shpesh me medalje ari në panairet prestigjioze ndërkombëtare, koleksione makinash të vjetra, ndoshta së afërmi do të kemi një muze privat fototeke që do rrijë bukur përkrah Marubit, koleksionet e numizmatikës, arteve, koleksionet etnografike, janë disa prej tyre që i adhuroj për thesaret që kanë, antikuaristët gjithashtu, koleksionistët e armëve të vjetra e gjer te ata që porosisin një fuoriserie sot që prodhohet me pjesë ari, posaçërisht për ta.
Bota e koleksionistëve është e pasur në aventura kërkimi, zbulimi, dhe ndërtimi koleksionesh, herë që marrin vlerë shoqërore e akademike, herë krejt donkishoteske. Disa nga koleksionet fantastike private shqiptare janë ndihmuar edhe nga bizneset vetiake të pronarëve duke ngritur koleksione vlerash marramendëse që në botë duhen disa breza për të pasur një koleksion të përmasave të tilla. Me mjaft nga këto koleksione private shqiptare mund të ngriheshin muze privatë që do t’u shtoheshin guidave turistike në Shqipëri.
Ta mbyllim me shije letërsie intervistën, ç’do të na tregonit për botimin tuaj të fundit, të romanit Casa – Casino?
Ky roman i vogël u shkrua në vitet 2002 – 2004, me një risjellje nga botimet Faik Konica në Prishtinë, më 2018. Ato vite kam udhëtuar shpesh në Athinë dhe ishuj grekë për të gjetur ishullin “tim” të romanit. Kur mbarova dorëshkrimin dhe shkova sërish në ishullin Sikinos, u njoha me Ana V. që më tregoi jetën e saj. Kisha shkruar një histori, një novelëz letrare të strukturuar që nga Tirana të shkruar duke udhëtuar nëpër ishuj e në Athinë përgjatë dy viteve dhe në fund takova një grua reale që dukej sikur kisha përshkruar jetën e saj. Në gjithë lëndën e vjelë nga bota greke, ende ruaj intervista të shumta në Athinë e ishujt Species, Hidra, Samothrakë, Paros, Antiparos, Naksos, Sikinos, Qefaloni, Lefkadha, Itakë, shënime nga mesjeta në ishujt grekë, i nxorra nga libra të vjetër në Bibliotekën e Athinës, e tëra ajo përvojë, më shumë ishte një vështrim antropologjik, sesa shkrimtarì. Kisha një tërheqje të fortë nga rrëfimet personale në tryeza darkash në familjet e miqve të mi grekë. E flisnin atë që kish shkuar keq në jetën e tyre. Tryezat e begata ne në Shqipëri i kemi tip: të zhurmshme e festive. Shpesh i mbushim me batuta anekdodike, në të cilat ai që flet është heroi… Antropologjia ka një ligj themelor: Antropologu vetëm duke e vëzhguar, pa bërë asgjë, ka fuqinë të ndikojë e të ndryshojë një realitet. Ajo botë greke që pasqyrohet në roman për mua ishte e afërt, por e huaj, vëzhgimi im antropologjik në të ishte si pas një xhami.
Atë kohë, ne shqiptarët sapo kishim dalë nga kasaphana absurde me bilanc lufte në njerëz të vrarë e viteve ’97 – ’98 në Shqipëri dhe sa kishte kishte mbaruar lufta çlirimtare në Kosovë, më 1999. Nga vatrat më të nxehta të luftës që vizitova menjëherë paslufte në Kosovë: Skënderaj, Drenicë, Studime e Epërme, Vushtrri, në një nga vendet e katakombeve në historinë e luftrave të qytetërimit njerëzor, në Studimen e Epërme, një burrë shqiptar më tregoi se gjatë luftës ai kish nisur familjen në Shqipëri dhe vetë kaloi tërë muajt e luftës duke u fshehur në natyrë, shumë pranë garnizonit të ushtrisë serbe. Dy lopët e tij i kish lënë të kullosnin të lira dhe kur mundtte në errësirë pinte qumësht tek to, kështu mbijetoi. Ato dëshmi lufte që ai më dha për vendlindjen e tij, ku nuk kish ngelur pëllëmbë toke e lumi, nuk kish ngelur pemë e shtëpi pa u përgjakur me makabritetet e genocidit serb mbi shqiptarët, si dhe gjithë dëshmitë nga shumë shqiptarë të tjerë të Kosovës, qielli që nuk dukej, i mbushur me korba të zeza që ishin shtuar e ushqyer me trupat e vrarë, nuset dhe vajzat e Kosovës që rrinin kokëulur mbështjellë me rrobat e zisë së rëndë, më tronditën gjer në palcë të qenies.
Pak më vonë bëra disa udhëtime nëpër vendet ballkanike ende me blanat dhe historinë e luftës aktuale që tregohej, në Kroaci, Bosnjë, Maqedoni dhe nga tmerri i asaj që kaluam vetë ne shqiptarët në Shqipëri e në Kosovë, duke iu referuar historisë diktatoriale të Greqisë përgjatë shek. XX, vendit ku lindën ligjet e demokracisë dymijë e pesëqind vjet të shkuara, kuptova se diktatura dhe e liga e më të ligave: lufta, veçanërisht lufta civile me vëllavrasje, nuk kanë fund! Ndaj duhej të kthehesha në shtëpi e të bëja paqe më në fund me historinë e përgjakur shqiptare!
Në romanin Casa – Casino, brenda një historie që ndodh në një vend të huaj dhe larg, unë kam shkarkuar, tokëzuar edhe këtë tronditje të madhe psikike e shpirtërore personale në lidhje me filozofinë e luftës në historinë e qytetërimit njerëzor.
Miqtë e mi grekë realë, mbartin shpirtin universal njerëzor, jo më kot Kaxanzaqis e quan Greqinë udhëkryq gjeografik dhe shpirtëror të njerëzimit. Rrjedhimisht, edhe personazhet letrarë në romanin tim Casa – Casino, si karakteret grekë nga jeta e gjallë, në fatin e tyre ishin trashëgimtarë, bij të atij realiteti që një proverb arab e ndan shkurt e saktë: Njeriu i ngjan më shumë historisë së popullit të tij, sesa babait të vet!
Gazeta: Mapo Letrare