Lulzim Basha me ato 3 deputet që i bashkohen ne rrjesht ka mbërritur në Kuvend 1 orë përpara seancës.
8 Shkurt 2024
Ai ka mbërritur në Parlament i shoqëruar nga deputetët e grupit të tij.
Sipas gazetarit Osman Stafa, kjo ndoshta është një taktikë e Bashës për t’iu shmangur tensioneve që mund të nisë opozita jashtë Kuvendit dhe në sallë.
Opozita në seancë pa 23 deputetë
Mazhoranca përjashtoi dje edhe 4 deputetë të tjerë të PD-së me arsyetimin se bllokuan seancën dhe Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Ky vendim erdhi një ditë para seancës plenare, e cila do të ketë mungesë të theksuar nga pala opozitare. Më herët socialistët përjashtuan 19 deputetë demokratë, me të njëjtin argument, atë të bllokimit të punimeve të Kuvendit. Por teksa socialistët përjashtuan edhe katër deputetë të tjerë, demokratët pritet të depozitojnë një padi për kryetaren e Kuvendit, të cilën e akuzojnë se shpërdoroi detyrën duke mos lejuar futjen në seancë plenare të deputetëve demokratë.
Seanca e radhës parlamentare nuk do të ketë vetëm një axhendë të ngjeshur, por edhe më pak deputetë se çdo seancë tjetër, pasi 23 ligjvënës të PD-së janë të përjashtuar nga Kuvendi për shkak të bllokimit të seancave të mëparshme. Teksa pritet që udhëheqja e aksionit opozitar të delegohet tek ata që kanë mbetur pa përjashtuar, socialistët kanë një listë të gjatë ligjesh dhe marrëveshjesh, për të cilat do të duhet të japin votën.
Ligji për lojërat e fatit, tashmë i ndryshuar pritet të marrë votën e socialistëve në seancë plenare, duke i hapur zyrtarisht rrugë ushtrimit të këtij aktiviteti vetëm ‘online’.
Mazhoranca do të ngrejë kartonin jeshil edhe për projektligjin për Prokurimin Publik, i cili përveç përafrimit me legjislacionin e BE, ka si qëllim përdorimin e Inteligjencës Artificiale nëpër tendera. E gjithë procedura me sistemin e ri që synohet të ngrihet do të bëhet në mënyrë elektronike.
Për këto dy ligje apo dhe listën e gjatë të marrëveshjeve që janë në axhendë, socialistët nuk do ta kenë të vështirë të sigurojnë votat pasi nuk kërkojnë shumicë të cilësuar.
I vetmi ngërç që mund të krijohet është nga dekreti i presidentit të Republikës për dekoratat, ligji i parë i kthyer për shqyrtim nga Bajram Begaj, i cili kundërshtoi marrjen e kompetencave nga ana e qeverisë për dhënien e dekoratave.
Për votimin e këtij dekreti do të duhen 84 vota, që e vetme PS nuk mund t’i sigurojë. Pritshmëritë janë që për asnjë prej pikave të rendit të ditës të ketë diskutim parlamentar, veçse pritet për t’u parë lëvizja e mazhorancës për të siguruar votat e nevojshme nga Lulzim Basha.