Lulzim Basha merr vendimin e bujshëm, largon Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD
Lulzim Basha merr vendimin e bujshëm, largon Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD
9 SHTATOR 2021
Sot kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur Kryesinë e Grupit Parlamentar, në përbërje të së cilit janë kreu i grupit parlamentar, Alfred Rushaj, nënkryetarët Ervin Salianji dhe Luçiano Boçi, zëdhënësja Oriola Pampuri dhe Sekretari i Grupit, Arbi Agalliu.
Pas mbledhjes, Basha ka dalë në një deklaratë për mediat për të komunikuar se çfarë do të ndodhë me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Ai tha se PD mbështet kërkesën për transparencë për çështjen Berisha.
Basha tha se ka vendosur se deri në përfundimin e çështjes, Berisha do të jetë i përjashtuar nga grupi i PD.
“Sali Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për demokracinë. Kur të gjithë ne prisnim që të dënohej Edi Rama si autor i masakrave elektorale dhe si i lidhur me krimin, ne na u desh të përballeshim me vendimin e SHBA. Vendimi i DASH nuk cënon arritjet e Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës. Nga ana ime prej dy muajsh e gjysmë kam bërë të gjitha përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë çështje. Zoti Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij. Për të shmangur çdo keqkuptim, kam vendosur që deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës për transparencë në rrugë gjyqësore, zoti berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit të PD”, tha ndër të tjera Basha.
Gazeta Sot