“Lumi” i parave kineze fuqizon ekonominë serbe, mbi 18 mld euro në vetëm pak vite
“Lumi” i parave kineze fuqizon ekonominë serbe, mbi 18 mld euro në vetëm pak vite
21 DHJETOR 2021
Para krizës financiare të 2009-s, prania e Kinës me investime në Ballkanin Perëndimor ishte modeste. Por, me thellimin e kësaj krize dhe tkurrjen e investitorëve perëndimore, vakuumi i lënë prej tyre nisi të mbushej me shpejtësi nga projektet, kompanitë dhe vetë shteti kinez.
BIRN ka identifikuar 135 projekte kineze në Ballkanin Perëndimor, me një vlerë totale prej 32 miliardë eurosh. Vendi i preferuar prej tyre është Serbia me më shumë se gjysmën e kësaj shume. Bëhet fjalë për të paktën 61 investime madhore kineze në Serbi, të përfunduara, në përfundim, ose në fazë fillestare punimesh.
Kostoja e tyre është rreth 18.1 miliardë dollarë, pjesa më e madhe e të cilave të dhëna përmes kredive favorizuese në sipërfaqe, por kushtëzuese, lidhëse dhe ndikuese te vendimmarrja dhe sovraniteti i vendit në thelb.
Rasti i Malit të Zi është shembulli më i mirë se si Kina po josh vendet e rajonit me investime për të rritur influencën e vet. Para Malit të Zi, paratë kineze hynë në Greqi, madje ishin një prej burimeve kryesore për Athinën në kulmin e krizës financiare që goditi këtë vend pas 2009-s.
Në Bosnje, kinezët kanë marrë në dorë energjinë dhe investimet janë rritur. Shqipëria? Në rastin e Shqipërisë interesi i investitorëve kinezë ka rënë në pesë vitet e fundit. Me largimin e kompanisë që kishte në zotërim Rinasin, aktualisht investimi më i madh kinez në vendin tonë mbetet Bankers Petroleum.
Në Maqedoninë e Veriut, Kina ka shfaqur pak interes për të investuar, nxitur nga shqetësimet e vazhdueshme të sigurisë dhe stabilitetit qeverisës e politik atje, ndërkohë që Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku mungojnë totalisht investimet kineze.
Gazeta Shqip