Lushnja i jep vendin e merituar ikonës së muzikës shqiptare, përurohet memoriali për Vaçe Zelën

Memoriali u zbulua nga vajza e saj, Irma Radiqi e cila pati një falenderim për të gjithë dashurinë që i është dhuruar nënës së saj.

20 Janar 2020

LUSHNJE– Vaçe Zela do të “qëndrojë” krenare në qendër të qytetit të Lushnjes, e ulur në një stol, këmbë për mbi këmbë me një kitare në dorë e teksa duket sikur zëri i saj buçet në shesh.

Inagurimi i Permendores se Vace Zeles ne Lushnje

Sot është përuruar memoriali për ikonën e muzikës shqiptare në “Sheshin e Qytetarëve”, ku të pranishëm ishin dhjetëra qytetarë për t’i “uruar” një mirëseardhje të ngrohtë, Vaçes së tyre dhe të gjithë shqiptarëve. Sot ka një motiv të rëndësishëm për të vizituar këtë qytet, për të “takuar” artisten e madhe që i dha shumë muzikës shqiptare.

Inagurimi i Permendores se Vace Zeles ne Lushnje

Memoriali u zbulua nga e bija, Irma Radiqi e cila pati një falenderim për të gjithë dashurinë që i është dhuruar nënës së saj.

“Një falënderim nga thellësia e shpirtit për dashurinë që i keni falur jo vetëm sa ishte gjallë , por edhe sot. Lushnja ka qenë gjithë jetën në zemrën e saj dhe besoj edhe nga atje lart është mirënjohëse për gjithçka i keni dhuruar”, tha ajo.

Kreu i Bashkisë, Fatos Tushe tha se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për qytetin e Lushnjes, që artistja e popullit të ulej në shesh me kitarë në dorë e të këndonte këngët që nuk do të harrohen kurrë.

Inagurimi i Permendores se Vace Zeles ne Lushnje

“E kemi dëshiruar e pritur këtë ditë e çast kur Vaçe Zela “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit”, “Qytetare Nderi” e Lushnjës të vinte përsëri në qytetin e lindjes ku e deshën dhe respektuan pa fund”, tha Tushe.

Ikona e muzikës shqiptare u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare në shtëpinë e saj në Basel të Zvicrës, 6 vite më parë, më 6 shkurt të 2014.

Permendorja e Vace Zeles ne Lushnje

Gazeta Shqiptarja.com