Lyerja e fasadave, britmat e KM-së dhe faksimile e Nenit 301. –
Lyerja e fasadave, britmat e KM-së dhe faksimile e Nenit 301
2 dhjetor 2019
Në shumë godina të dëmtuara të Durrësit po mbushen të çarat në fasada dhe po lyhet kjo e fundit.
Kjo shihet gjerësisht si gabim, madje më shumë se kaq.
Godinat kanë nevojë për një ekspertizë të dëmit për të parë nëse njerëzit mund të jetojnë të sigurtë aty.
Dhe veç kësaj, Prokuroria duhet të hetojë nëse është abuzuar me materialet dhe cilësinë e ndërtimit, shkelje që më pas janë certifikuar nga bashkia.
Të dyja këto hapa të domosdoshëm, Ekspertiza dhe Hetimi anashkalohen duke shkelur ligjin nëse pallatet prishen ose meremtohen përciptas.
Situata duket e nxitur nga vetë kryeministri i cili deklaroi sot me tone të ashpra se ndërtusit duhet të shkojnë urgjent të riparojnë dëmet, ndryshe do arrestohen.
Ka kritikë që mendojnë se kryeministri me këtë deklaratë publike po ndihmon me ose pa dashur fshehjen e gjurmëve të krimeve përvec se po cënon sigurinë e banorëve duke u kujdesur vetëm për fasadën.
Nga ana tjetër në emër të “mos’hapjes panik” dhe shkeljes së “rregullave të gjendjes së jashtëzakonshme” paralajmërohen mediat të mos flasin mbi atë që po ndodh.
Vetë KM i quajti mediat “skandaloze dhe kriminale” dje gjatë një takimi, ndërsa sot paralajmëroi sërish se do t’u bënte atë që mediave nuk ua pret mendja.
KM Edi duhet të ketë parasysh që ka një Kod Penal dhe ky përmban disa ligje që vlejnë për të gjithë.
Sipas këtij ligji, kushdo qe ka dhene urdher per prishjen e banesave te demtuara nga termeti duhet te shkoje ne burg qofte edhe vetem per kete fakt.
Neni 301 i Kodit Penal parashikon gjer ne 3 vjet burg per kedo qe permes veprimeve te tij fsheh provat e nje krimi, duke penguar venien e drejtesise.
d.a. / dita