
Macron: – Paqja s’duhet të nënkuptojë një dorëzim të Ukrainës
25 Shkurt 2025
Teksa falënderoi presidentin e SHBA, Donald Trump, për miqësinë mes Amerikës dhe Francës. në fjalën e tij, presidenti i Francës, Emanuel Macron duke folur në frëngjisht para medias deklaroi se janë hedhur hapa shumë thelbësorë përpara në diskutimet për Ukrainën.
Macron këmbëngul se Evropa nuk është shmangur nga përgjegjësitë e saj për të ndihmuar vendin.
“BE-ja investoi 128 miliardë dollarë në sigurinë e Ukrainës. Ukraina ka mbajtur frontin për “sigurinë kolektive” të të gjithë Evropës”, tha Macron.
Presidenti francez shtoi se ata e admirojnë shumë guximin e popullit ukrainas dhe se ai beson se “askush në këtë dhomë nuk dëshiron të jetojë në një botë ku vullneti i më të fuqishmëve thjesht mund të imponohet dhe ku kufijtë e njohur ndërkombëtarisht thjesht mund të shkelen”.
“Paqja nuk duhet të nënkuptojë një dorëzim të Ukrainës”, tha Macron.
Macron vazhdoi duke thënë se ai dhe Trump kishin zhvilluar diskutime të gjata rreth dëshirës së tyre për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë dhe për të patur një armëpushim në që është i matshëm, i verifikueshëm dhe që mundëson negociatat për paqe të qëndrueshme.
Macron foli gjithashtu për garancitë e sigurisë që do ta ruajnë këtë paqe në një afat të gjatë, duke përsëritur vetë vërejtjet e Trump që dëshiron të jetë një “lojtar për paqen” në rajon.
Macron deklaroi se paqja “nuk duhet të nënkuptojë një dorëzim të Ukrainës, apo armëpushim pa garanci”, duke shtuar:
“Ajo duhet të lejojë sovranitetin ukrainas dhe të lejojë Ukrainën të negociojë me palët e tjera të interesuara në lidhje me çështjet që e prekin atë.”
Macron përfundoi fjalët e tij duke thënë se ai dhe Trump kanë pasur “diskutime jashtëzakonisht produktive” dhe se pasi foli me presidentin amerikan, ai “beson plotësisht se ka një rrugë përpara”.
“Ne kemi ndarë besimet dhe kërkesat tona dhe e dimë të gjithë punën që ka mbetur për të bërë,” u tha ai gazetarëve, duke shtuar se ata do të takohen përsëri në javët në vijim.