Madhështia e Nolit

Për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj figure të papërsëritshme të panteonit akoma të pandërtuar shqiptar duhet të hedhësh vështrimin mbrapa për të parë se ç’trashëgimi dhe kulturë politike shqiptare kishin para tij.

Nga: Dorian Koçi 

6 Janar, 2020

Në datën 6 janar është 138 vjetori i lindjes së Fan Nolit, këtij kolosi të kulturës shqiptare. Për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj figure të papërsëritshme të panteonit akoma të pandërtuar shqiptar duhet të hedhësh vështrimin mbrapa për të parë se ç’trashëgimi dhe kulturë politike shqiptare kishin para tij. Nëse gjatë një bisede me Konicën, Noli dhe Konica nuk kishin se me çfarë të krenoheshin përveçse një konservatorizmi mjeran sepse kultura politike dhe shoqërore ishte varfër përpara tyre, sot ne kemi mundësi që sa herë flasim për nocione të tilla të sjellim ndërmend figurën e këtyre dy kolosëve, por veçanërisht të Fan Nolit për veprën e gjithanshme të tij.

Emri i tij Theofan (gr shfaqja e Zotit) shënjoi mesa duket në mënyrë të pashmangshme dhe shfaqjen e tij në qiejt e trazuar të ringjalljes së kulturës dhe politikës shqiptare. I dëshiruar dhe i anatemuar, i përgëzuar dhe i hidhëruar gjatë jetës, fati i tij nuk mund t’i shpëtonte fatit të gjithë atyre që kanë pasur si qëllim të jetës së tyre idealizmin se një ditë Shqipëria do të bëhet.

Vizionin e i tij i gjerë shtrihej që nga përkthimi dhe interpretimi i Biblës dhe ungjijve, e deri tek jeta dhe muzika e Bethovenit, nga krijimi i Kishës Autoqefale Shqiptare e deri tek përkthimi i Shekspirit, Servantesit, Bodlerit etj. I drejtë për së drejtë dhe i pakompromis për të vënë para idetë e tij ëndërronte që të sillte pak “Amerikë” në Ballkanin e trazuar nga qiejt e urrejtjes dhe dredhisë, nga masakrat dhe shpagimet e mërive të vjetra.

m.v./Shqiptarja.com