Mafia dhe qeveria po hedhin para në qarkullim. –
Mafia dhe qeveria po hedhin para në qarkullim.-
-Në muajt e fundit ekonomistët ndodhen para një fenomeni që nuk arrijnë ta shpjegojnë me ligjet dhe rregullat e ekonomisë. Monedha euro nga 140 lekë që ka qenë gjatë viteve të fundit këto kohë ka arritur nivelin më të ulët historik, ku një euro këmbehet me 125 lekë. Dhe me tendencë për rënie tjetër. Një rënie drastike e vlerës së euros duhet të ndodhte vetëm nëse në Shqipëri ka një bum ekonomik dhe investime të brendshme, në lekë, që do të rrisnin vlerën e monedhës vendase. Por asgjë e tillë nuk ka ndodhur këto vite, përkundrazi nëse u referohemi të dhënave zyrtare ekonomia shqiptare vitet e fundit ka ulje të investimeve, por edhe rritje ekonomike jo të mjaftueshme. Atëherë çfarë ka ndodhur që leku është fuqizuar aq shumë sa të konkurojnë monedhën evropiane dhe dollarin amerikan në shifra të paimagjinueshme? Derisa nuk ka investime vendase dhe të huaja të deklaruara, nga vjen kjo sasi e madhe eurosh që ka ndikuar në tronditjen e kursit të këmbimit?
Ekspertët e ekonomisë ngrenë supet dhe flasin nën zë për fluks parash në monedhën euro që po hyjnë në sistem nga biznese të paligjshme. Atë që ekspertët e thonë nën zë, opozita e deklaron hapur; “paratë e drogës dhe krimit të organizuar, po hyjnë në ekonominë e ligjshme”. Shpjegimi është i thjeshtë. Paratë e ardhura nga aktiviteti kriminal dhe mafioz po futen në sasi të madh ekonomi, kryesisht në sektorët e vetëm që operojnë në masë të madhe në Shqipëri, ndërtimi dhe turizmi. Këto vite janë dhënë leje pa fund për resorte dhe ndërtime turistike në gjithë vendin. Nëse shihen kompanitë që aplikojnë për lejet rezulton se biznese me pak miliona lekë në bankë kërkojnë lejë për ndërtime që shkojnë në dhjetëra dhe qindra miliona euro. Ndërkohë bankat raportojnë se ka disa vite që kanë ulur dhënien e kredive për biznesit dhe projektet. Në këtë mënyrë bëhet e qartë se këto para nuk vijnë as nga bankat, as nga qeveria, por nga bota e krimit dhe mafies. Futja e parave të tilla në sistem duket si një zgjidhje për pastrimin e eurove të drogës dhe aktiviteteve të tjera kriminale. Por përveç se është e jashtëligjshme një skemë e tillë sjellë një efekt bombë për ekonominë. Si fillim dëmtohen bizneset e ndershme. Pasi një kompani që ka miliarda lekë kesh nga droga nuk ka asnjë biznes normal që mund ta konkurrojë. Ndërkohë që efekti me rënien e kursit drastik të euros godet direkt prodhuesit vendas që eksportojnë mallra jashtë shtetit. Ulja e euros bën që kompanitë që eksportojnë të përballen me humbje kolosale të fitimeve të tyre.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi dje se i gjithë cikli i pastrimit të parave “kryhet me bekimin e qeverisë duke qenë se ajo është e angazhuar personalisht në këtë biznes të pisët vetëm duke mbyllur sytë për trafikun e drogës”.
Ndërkohë Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë, dje i dërgoi një letër kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Financave Arben Ahmetaj. Duke renditur gjithë humbjet që kanë prodhuesit shqiptar nga ulja e euros, ata i kërkojnë qeverisë të ngrejë sa më parë një grup pune për të gjetur shkaqet e ndryshimit të kursit të këmbimit të monedhave. “Nëse kursi i këmbimit do të ndjekë të njëjtin ritëm në muajt në vazhdim, sipërmarrjet prodhues-eksportues do të rezultojnë me një fitim të përgjysmuar, çka do të thotë mungesë investimesh, mungesë rritje pagash, ulje të punësimit, etj.. Qeveria duhet të ketë kujdes në çdo politikë publike që ndërmerr”,- thuhet në reagimin e prodhuesve shqiptarë. Llogarit paraparake flasin se nëse qeveria nuk ndërhyn, prodhuesit që eksportojnë jashtë humbasin deri në 120 milionë euro në vit.
Fenomeni i uljes së euros ka dhe një rast tjetër të afërt që flet për ndërhyrjen e parave të pista. Në të njëjtat nivele euro ra edhe gjatë fushatës elektorale të vitit 2017. Rreth një vit më parë, padi denoncime dhe raportime konkrete që tregonin se paratë e drogës u hodhën për të blerë votat. E njëjta gjë duket se po ndodh dhe aktualisht. Vetëm se këtë herë nuk po blihen vota, por po shkatërrohet gjithë ekonomia e ligjshme.
Dhe këtë mafie që po hedh para në dorë e lejon pikërisht qeveria, sepse është njësh me një pjesë të mafies.
Nga: Erion Toli