Maks Velo… Në fshatin Dardhë, më kanë marrë shtëpinë e gjyshit e të babait. – Më dolën me sëpatë në rrugë dhe kur, tani në 2018-n…
Makas Velo: … Në fshatin Dardhë, më kanë marrë shtëpinë e gjyshit e të babait. – Më dolën me sëpatë në rrugë dhe kur, tani në 2018-n…
Pjese nga intervista e M. Velos me 31 qershor 2018 ne gazeten Panorama.
Unë mendoja se kisha shokë, kisha artistë rreth vetes, ata ishin përbindësha. Nejse, megjithatë mendoj se nuk kemi ndryshuar shumë, po ata artistë janë, vetëm se tani e bëjnë në forma të tjera. Tani nuk të fusin dot në burg, por bllokojnë Galerinë. Tani kemi vetëm një piktor të madh që e cakton dikushi, të tjerë nuk ekzistojnë. Nejse!
Unë mendoj se në jetë kam bërë në mënyrë instiktive detyrën time dhe detyra ime është të krijoj. Sigurisht që jam shumë i trishtuar për këtë ecuri të jetës sime. Në fshatin Dardhë, më kanë marrë shtëpinë e gjyshit e të babait, aty ka lindur babai, ka lindur vëllai, dardharë. Dhe kush e bëri, do thoni ju? Teodor Laço, Koço Çomi, që Maksi të mos vijë në Dardhë. Më dolën me sëpatë në rrugë dhe kur, tani në 2018-n.
Sot është tjetër gjë, nuk të çojnë te Sigurimi i Shtetit, por të dalin me sëpatë. Shko nëpër gjykata po deshe që të gjesh të drejtën tënde. Kam 15 vjet që shkoj gjykatave dhe asgjë. Mesa duket, kështu do ta mbaroj jetën. Kisha gjithë dëshirën për t’i dhënë këtij vendi, por është e pamundur. Sepse problemi është se artistët tanë janë injorantë dhe kur injoranca bashkohet me ligësinë bëhet një eksploziv. Ti nuk i çan dot. Ne po bëjmë vetingun e gjykatës dhe të gjithë po shohim që nuk ka ngjarë në historinë e njerëzimit që një trupë gjyqësore të jetë e tillë. Të dalë gjykatësi të thotë: “Më hodhën 210 mijë euro në dasmë!” Tjetri thotë: “Fitova 50 mijë euro në bixhoz”. Vetingu për gjyqtarët ishte i vonuar, por unë këmbëngul se duhet bërë vetingu dhe për artistët. Sepse vjedhin pa turp dhe nuk bëhet diferenca e atij që vërtet bën një gjë origjinale dhe me atë që vjedh në mënyrë të sofistikuar. Dhe kështu nuk ecet përpara. Do na duhet një kohë shumë e gjatë që gjërat të ndryshojnë. Unë jam shumë pesimist, pesimizëm që ma ka shtuar dhe kjo çështja e Teatrit. Korrupsion më të pastër se me Teatrin nuk ka, të ndërtosh kulla në këtë mënyrë në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, është e turpshme. …