Maks Velo: Trebeshina dhe Arshi Pipa bashkëpunëtor të Sigurimit.-

Maks Velo e quan Arshi Pipën një njeri që bashkëpunoi me Sigurimin e Shtetit. Në librin “Jetë paralele”, me autor Alda Bardhylin, i pyetur nga gazetarja mbi letërsinë e shkruar nga autorët që jetuan burgjet komuniste, ai flet me rezerva për Kasem Trebeshinën dhe Arshi Pipën duke lënë të nënkuptohet se të dy kanë qënë njerëz që kanë bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit. Më poshtë po botojmë përgjigjen e Velos: “Kujtime për burgjet, kampet dhe qendrat e internimit të viteve 1945 – 1990, kanë shkruar rreth 30 autorë ish të burgosur apo të internuar. Letërsi kanë bërë pak.

Janë katër ose pesë. Megjithatë nuk do ta quaja një prurje të paktë. Po të shohim letërsinë e burgut në Rusi, emra të njohur botërisht janë po kaq. Dhe Rusia pati miliona të burgosur dhe të internuar. Dhembja nguroset në pak duar. Më pëlqejnë Lek Tasi, Zef Pllumi, Fatos Lubonja. Për mua nuk ka ditur të shkruajë Pjetër Arbnori, meqenëse përmendet shpesh. Më ka çuditur gjithmonë fakti që Kasëm Trebeshina dhe Arshi Pipa nuk kanë shkruar për burgjet e tyre. Nuk di si ta shpjegoj. Kjo për më tepër se ka pak, shumë pak për kampet e para, e kam fjalën për Maliqin. Mitrush Kutelin nuk e fajësoj dot se ish shumë i trembur. E mbaj mend kur vinte në klubin e Lidhjes.

 

Ulej me kujdes me një buzëqeshje plot mirësjellje që nuk i ndahej kurrë. Sikur i falej dhe falënderonte JETËN që e la të jetonte. Në qetësinë dhe heshtjen e tij shprehej tmerri që kishte kaluar. Po Arshi Pipa iku, ish në Amerikë, ish i lirë … përse nuk shkroi. Mos ishte një nga pikat e paktit që pati me Sigurimin që e nxori jashtë …? Nuk bisedoi për librin me POEZI … poezia nuk jep të vërtetën, është një aludim, një perde filtrimi, jo një dokument. Vetëm proza është dokument. Mbi poezinë nuk betohesh, mbi prozën duhet të betohesh. Jam nga të parët që fillova të shkruaj letërsi burgu që më 1991-shin, nuk kisha as një shembull. Botova tregime të shkurtra.

Tani gjithsej janë afro 80 tregime, skica dhe ese. Jam munduar të jem i drejtë, i vërtetë dhe i paanshëm, si me të burgosurit e ndershëm, si me spiunët dhe me operatorët e diktaturës. Se ka dhe diktaturë të falsitetit, të gënjeshtrës dhe të mburrjes pa meritë. Shembull unikal është Engjëll Çoba, është i vetmi që, si ka dalë nga një burg i gjatë shkroi kujtimet, por gjatë kohës më të egër të diktaturës. Është shembull i rrallë guximi dhe ndershmërie. Ata që përbuz janë falsifikatorët, se ka edhe të tillë, madje edhe të mirënjohur. I shkruajnë sot dhe thonë i kemi shkruar në burg me mend .

Çdo letërsi është e prekur nga plagjiatura. Sidomos kjo lloj letërsie. Se është i vështirë, kontrolli mbi të … E di si m’u përgjigj një ish i burgosur shkrimtar kur i thashë se ke marrë nja 20 ngjarje nga libri im: “Po dhe unë isha aty”, më tha. Mjafton të qenët aty në kohën që ishe edhe ti, që atë ata ta justifikojnë për ç’do gjë që marrin, megjithëse i kisha të botuara. Letërsia është gjetje, si gjetja e kryqit ditën e ujit të bekuar në lumë. Të tjerët mund vetëm ta puthin kryqin”, shprehet Velo.Libri “Maks Velo, jetë paralele” I përgatitur nga Alda Bardhyli, botimet UET PRESS është në të gjitha libraritë. Për herë të parë në këtë libër është botuar dosja e përndjekjes së një artisti nga Sigurimi I Shtetit.