Mali i Zi në ngërç: – Dështon mbledhja për miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë

17 MARS 2022

Mbledhja e Qeverisë së Malit të Zi u ndërpre ditën e sotme për shkak të mosmarrëveshjeve mbi procedurën e miratimit të vendimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Arsyeja e ndërprerjes së seancës nuk është vetëm në pjesën procedurale, por edhe në mungesën e respektit dhe sjelljes së pahijshme të ministrit të jashtëm Raduloviç ndaj kryeministrit Zdravko Krivokapiç”, njoftoi qeveria e Malit të Zi.

Për situatën e krijua zëvendës kryeministri Dritan Abazoviç mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku bëri të ditur qëndrimin e kryeministrit për sanksionet ndaj Rusisë.

“Gjithçka ishte në rregull derisa arritëm në pikat që kishin të bënin me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat kaluan në komisionet qeveritare. Erdhëm në një situatë që kryeministri propozoi konkluzione të reja, që kishte për qëllim ta bënte të pakuptimtë vendimin për sanksionet. Ne nuk mund t’i bëjmë të pakuptimta këto gjëra në lidhje me reputacionin ndërkombëtar të Malit të Zi. Konkluzionet ishin shumë të qarta dhe të harmonizuara me atë që miratoi Këshilli i Bashkimit Evropian, dhe gjithçka përtej kësaj nuk është as juridikisht e as politikisht e vlefshme”, tha Abazoviç.

Zëvendëskryeministri malazez gjithashtu tha se “Qeveria është në një mandat teknik dhe se ajo përbëhet nga njerëz që mund të mos kenë një profil të qartë pro-perëndimor dhe se mund të na duhet pak më shumë kohë për ta përfunduar këtë punë”.

Komisioni për Sistemin Politik të Qeverisë, i kryesuar nga  Abazoviç, të martën propozoi njëzëri një paketë sanksionesh kundër Rusisë, e cila më parë ishte miratuar nga Brukseli zyrtar.

Lufta në Ukrainë i ka ndarë në dy grupe aktorët politikë në Mal të Zi.

Derisa pjesa më e madhe e zyrtarëve malazezë i kanë mbështetur të gjitha veprimet e BE-së lidhur me luftën në Ukrainë, partitë pro-serbe dhe pro-ruse si dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi nxisin një mbështetje të hapur për Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin.

Gazeta Shqip