Malltezi: 16 pyetje që Top Channel nuk guxoi t’i bënte dje në emision. –
Malltezi: 16 pyetje që Top Channel nuk guxoi t’i bënte dje në emision
Nga Gazeta Telegraf
11 Dhjetor, 2019
Nga Jamarbër Malltezi:
Dje media e Blushit dhe oligarkëve të tjere u rrek të na tregonte se fajin për tërmetin e kishin ndërtuesit dhe xhuxhi. Ndërsa për Edi Ramën, asgjë, përveç vonesës së kryerjes së një tenderi…
Të keqpërdorurit e qeverisë kujtojnë se Shqiptarët “nuk shikojnë, nuk dëgjojnë e nuk kuptojnë” ose se mund të tallen me shqiptarët duke i shpërqëndruar vëmëndjen nga fajtorët e jetëve të humbura tek brekushet e rradhës. Ja disa pyetje të thjeshta për tv blushin:
- A ka përgjegjësi qeveria qëndrore për vdekjen e kryekomisarit në Kavalishencë? A nuk ishte shpallur e pabanueshme? Pse i çoi atje Ministria? Ka ndokënd përgjegjës?
- A ishte emergjenca civile në nivelin e duhur, më të mirin në 30 vite siç deklaruan me pompozitet 99-ët si ajo e doganave dhe e Gjallicës në përgjigjet tallëse ndaj presidentit?
- A pati ndonjë të vetëm nga emergjenca civile që të ishte në terren me helmetë, doreza, kamera infrared, krik pneumatik, etj.?
- Ka ndonjë përgjegjës që përlahen 1 milionë euro çdo vit për stërvitjen e qenve dhe na doli se nuk kishin asnjë qen për be për operacione kërkim-shpëtimi? E kujt del përgjegjësia?
- Ku kanë shkuar qindra mijëra euro mjete të blera sipas specifikimeve teknike të projektit me Bankën Botërore? Ish drejtori i emergjencave tregoi se ato mjete duhet të jenë në magazinë, por përderisa nuk u përdorën as dorezat, as helmetat as kriku, etj. i bie që ose të jenë vjedhur ose të jenë harruar nëpër sirtare nga zyrtarët e korruptuar që nuk kanë përparësi shpëtimin e jetëve por bërjen e tenderave apo përlarjet me PPP.
- A ka njeri përgjegjës që na tallën gjithë mediat e botës se emergjencat shqiptare shkuan në terren pas vullnetarëve të Aulon Kalasë dhe pas gazetarëve dhe punonin me duar pa doreza ndërsa na erdhën ekipet e specializuara nga kosova me pajisje, veshje, qen, etj. brenda 3 orësh nga tragjedia kur tanët ende nuk diheshin ku ishin? Në terren kishe ose vullnetare, ose nga ekipet e shpëtimit të minierave që shpëtuan njerëz nga rrënojat, por emergjencat civile aha.
- A ka një institut ndërtimi në Shqipëri apo ai është veç të bëjë dëshmitarin e rremë për deklarimet që do prishet teatri kombëtar nga tërmeti? Ku ishte ky institut qysh nga 21 Shtatori kur tërmeti paraprak bëri dëme në Durrës? A ka përgjegjësi ndokush që ky institut nuk u ndie fare për ndertesat e prishura në Durrës dhe Shkozet? Pse paguhen?
- A ka një agjensi për planifikimin e territorit që azhornon bëmat e Dakove?
- A ka një inspektoriat kombëtar për territorin që mos lejojë dakot të bëjnë lojra mes vëllezërve?
- Pse Rama hezitoi të shpallë gjendjen e Fatkeqsisë Natyrore ndonëse mori vesh që kishte dhjetëra të vdekur?
- Pse shpalli veç një ditë më vonë gjendjen e Jashtëzakonshme dhe jo atë të Fatkeqësisë Natyrore?
- Sa buxhet ka dhënë nga fondi rezervë? Ende asgjë ose po e mban sekret. Pse?
- A pati shtab për gjendjen e jashtëzakonshme? Pse jo? Ligji e parashikon që të jetë Shefi i Shtabit dhe drejtuesi i Emergjencave Civile, po këtu pse nuk pati? Pse rrëmujë për 1 javë dhe pastaj Çuçi ndyshe nga sa parasheh ligji?
- Pse 3 javë pas tërmetit kemi 5 formularë të ndryshëm që qarkullojnë dhe jo 1 të unifikuar?
- Pse nuk vepron ligji për zyrtarët e PS që nga Dako, Konomi, Sadriu e deri tek Qefalia që kanë shkelur ligjin dhe rrezikuar jetë njerëzish?
- Pse nuk veproi policia (dhe pastaj as prokuroria) për dhjetëra kallëzime të banorëve për atë që hoqi muret mbajtëse tek pallati 6-katësh? Pse e lanë t’i hiqte kolonat tek lokali Baron?
Këto ishin disa pyetje të shpejta, por jam i sigurt që nëse nuk do kapej nga oligarkët do kish edhe shumë pyetje të tjera.
Dhe meqë shumica e Shqiptarëve prisnin që qeveria të ndalonte PPP-të që po përlajnë qindra miliona euro për asgjë, ndërsa Blushi nuk ndihet tek kjo temë, na shuaj edhe kureshtjen nëse Rama-Ahmetaj-Zoto të kenë paguar gjë për fushatën e 2017 apo jo.