Manastiri i Ardenicës Lushnje
Manastiri i Ardenices shtrihet 8 km në jugperëndim të qytetit të Lushnjës, Shqipëri buzë rrugës kombëtare që lidh qytetin e Fierit me atë të Lushnjës ne një pozitë dominuese në kodrat me të njëjtin emër, në lartësinë 237 m mbi nivelin e detit. Manastiri mesjetar mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore.
Manastiri, edhe pse në pamje të parë të lë përshtypjen e një objekti kulti të zakonshëm fsheh në brendësi të tij vlera mjaft të mëdha. Sa më shumë të futesh në labirintet e historisë së tij aq më shumë dalin në dritë vlerat e tij, të cilat do t’i rendisim një e nga një në këtë shkrim.Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit, i cili e ngriti këtë tempull pas fitores mbi anzhuinët në Berat. Shtysë për këtë veprim do të jetë bërë ndodhja në atë vend e kapelës së Shën Triadhës, e ngritur aty shekuj më parë. Ekziston hipoteza se kapela mund të jetë ndërtuar në themelet gërmadhë të një tempulli pagan, i cili ka qenë ndërtuar për nder të hyjneshës Artemisa nga ka rrjedhur dhe emri i sotëm Ardenica. Fare pranë këtij tempulli, në rrethinat e të cilit sot ndodhet manastiri, kalonte dega jugore e rrugës antike Egnatia, pikërisht 1 km në perëndim të tij. Për rreth manastirit shikohen, aty-këtu, ndërtime të vjetra, të cilat të japin mendimin se rreth tij ka pasur ndoshta një qendër të banuar. Sipas defterit osman të vitit 1431-’32, në nahijen e Myzeqesë, ndodhej fshati Ardenicë me tetë shtëpi, i cili mund të jetë shtrirë për rreth manastirit. Ai, së bashku me konaket që i janë shtuar më vonë, zë një sipërfaqe prej 2.500 m2. Ky monument përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konaket, mulliri vajit, furra, stalla, etj. Në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apollonia dhe gurë shtufi. Kisha është e tipit Bazilikal. Ajo zë një vëllim të madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët. Mjediset që përbëjnë këtë kishë janë: naosi, narteksi, egzonarteksi dykatësh, ku në fund u bashkëngjitet kambanorja e lartë 24 m. Në anën jugore ndodhet portiku i hapur i ndërtuar me kolona dhe harqe. Naosi përbëhehet nga tre pjesë, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej druri. Naosi ndahet nga altari me anë të ikonostasit. Dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka guri, e cila përfshin edhe ambientet e narteksit dhe egzonarteksit.
Në vitin 1743 me nismën e peshkopit të Beratit, Metodit, i cili ishte me origjinë nga Bubullima (Myzeqe), u bënë në këtë manastir punime rregulluese përfshirë edhe kishën e Shën Mërisë. Kapela e Shën Triadhës shtrihet në pjesën verilindore të manastirit dhe ka përmasa 7,50 m x 3,70 m.
Hyrja e saj është në anën perëndimore dhe është e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore. Kjo kapelë është ndërtuar me gurë shtufi dhe është e pajisur me një hapësirë, muri gjysmërrethor i së cilës e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapeles është mbuluar me harkë guri, pranë dritares lindore të saj ndodhet edhe një reliev qeramike.
Kisha e Shën Mërisë është zbukuruar me afreske të mrekullueshme nga veprat e piktorëve Kostandin dhe Athanas Zografi. Këta piktorë korçarë punuan për zbukurimin e këtij tempulli në vitin 1744. Veprimtaria artistike e ateliesë së piktorëve Zografi është shpalosur në bazilikat e Voskopojës, Vithkuq, në Myzeqe dhe në malin i Shenjtë në Greqi, ku shkuan disa herë dhe shfaqën talentin e tyre të fuqishëm, nëpër kishat dhe manastiret e atjeshme.
Piktura e Zografëve cilësohet nga specialistët si vazhdim i traditës më të mirë të pikturës kishtare në vendin tonë. Tematika pasqyron ngjarje nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, dogmatika, liturgjia, jeta e shenjtorëve, etj.. Disa nga skenat janë “Festat e Virgjëreshës”, skenat nga “Jeta dhe vuajtjet e Krishtit”, “Fjetja e Shën Mërisë”, “Zbutja e shpirtit të shenjtë tek apostujt”, etj..
Në brezin e fundit, ndërmjet figurave të shenjtorëve është pikturuar muzikologu i shquar bizantin nga Durrësi Johan Kukuzeli. Në narteks, në të gjithë faqen lindore paraqitet skena e madhe që titullohet “Gjyqi i Fundit”.
Krahas afreskeve një vend të rëndësishëm në dekoracionin artistik zë edhe ikonostasi i gdhendur në dru, i polikromuar me ar, i cili mban dy radhë ikonash të mëdha dhe të vogla. Zbukurimi i ikonostasit me ikona është realizuar në vitin 1744, ku kanë ndihmuar edhe esnafët e bakërxhinjve dhe muratorëve voskopojarë, ç’ka tregon lidhjen e tyre shpirtërore me këtë trevë. Ikonat janë vepër e piktorit më të mirë miniaturist të shekullit të tetëmbëdhjetë, Kostandin Shpataraku. Disa nga ikonat janë: “Lindja e Shën Mërisë”, “Krishti në Fron”, “Shën Mëria me Krishtin”, “Johan pagëzori”, “Mbledhja e kryeengjëjve”, “Kryqëzimi”, etj.. Interesant është fakti se si në ikonën e Shën Gjon Vladimirit, në një nga ndarjet e cilklit të saj është pikturuar princi shqiptar i shekullit të katërmbëdhjetë, Karl Topia, me kurorë mbretërore në kokë dhe skeptër në dorë, që piktori e quan mbret të Shqipërisë.