Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit, Vithkuq. –

Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit gjendet mbi një kodër në verilindje të fshatit Vithkuq. Nga godinat e manastirit ka mbetur vetëm kisha e “Shën Pjetrit dhe Pavlit”, sepse konakët e manastirit janë shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Konakët e manastirit kanë qenë dy dhe tri katëshe dhe shtriheshin në tri anët e oborrit të brendshëm. Në mesin e konakëve gjendej një oborr i brendshëm, i cili kishte sipërfaqe rreth 200 metra katrore. Anash tij në formën e shkronjës “U” gjendeshin rreth 40 qeli banimi. Konakët qenë trikatësh. Arkadat e katit të dytë qenë prej druri. Në katin e dytë të konakëve gjendej biblioteka. Sipas Ilo Mitkë Qafëzezit në bibliotekën e manastirit ruheshin dorëshkrime me vlerë rreth historisë së Korçës dhe Voskopojës. Kisha përbëhet nga naosi dhe një portik përpara hyrjes kryesore. Kisha është e tipit bazilikë trinefëshe me kupolë dhe ka përmasa 16.10×10.50 metra.

Ajo u ndërtua rreth vitit 1759-1764 prej kryemjeshtrit Gjikë Lena dhe mjeshtërit ndërtues Dhimo Dukasi, Hari Venetiku, Dine Krekasi, Mërkur Saraqi, Zoto Lihasi, Bitri Maxhari, Vaso Sumbulla, Kule Deti dhe Pepo Rredhi.
Kisha është pikturuar në vitin 1764 prej piktorëve Kostandin e Athanas Zografi. Për pikturimin e kishës u shpenzuan rreth 700 grosh, të cilat i solli nga Hungaria igumeni i manastirit Tarasi. Mbi portën veriore brenda kishës gjendet një mbishkrim, i cili vërteton kohën e pikturimit të kishës: “U ndërtua prej themeli, ky tempull hyjnor dhe i gjithnderuar i Apostujve të shenjt dhe u pikturua….të krishterëve. Në kohën e gjithoshënarit murgut. Me dorën e Kostandin dhe Athanasit, nga Korça, në vitin 1764”.
Ikonostasi i kishës u gdhend me shpenzimet e tregtarëve voskopojarë dhe ka kushtuar rreth 600 grosh. Ai është është punuar me teknikën e gdhendjes së rrafshtë në dru dhe ka përmasa 9×4.90 metra. Në të gjenden motive floreale, laike si dhe skena nga jeta e fshatit. Zbukurimet janë të daltuara thellë dhe i përkasin stilit rokoko. Në mesin e ikonostasit gjendet dyert e bukura, tek të cilat gjenden dhjetë ikona. Rreth ikonave degëzohen bisqe me dredhëza helika që shtjellohen rreth dy krerëve skifteri. Sipër ikonave gjenden dy krerë shqiponjash të qarkuara prej dhjetë zoqve që çukisin kokrrat në drejtime të ndryshme. Dyert kufizohen me një buzinë, tek e cila gjenden zogj, dy minj arre dhe dy koka grifonësh të egërsuar që vështrojnë nga ata. Mbi harkun e dyerve paraqiten dy engjëj, të cilët sjellin kishën si dhuratë, ndërsa përkrah tyre dy luanë luftojnë kundër dy hidrave. Sipër tyre paraqiten zogj duke fluturuar të rrethuar nga dredhkat dhe hardhitë.


Ikonostasi u gdhend në vitin 1773 prej Dhimitër Kolecit. Mbi portën e bukur të ikonostasit është shkruar: “U verakos në vitin 1773”.Në ikonostasin e kishës gjenden dhjetë ikona të mëdha dhe 17 ikona të vogla. Në ikonën e madhe të Krishtit në ikonostasin e kishës është shkruar: “Lutja ime, e shërbëtorit të përvuajtur të perëndisë, jeromonak Tarasit, igumenit dhe arkimandritit, viti 1762, shkurt 14”.Mbi një ikonë të Shën Mërisë gjendet mbishkrimi: “Lutje e shërbëtorit të perëndisë … Jese .. dhe të Davidit. Dora e Kostandin jeromonakut 1710”. Mbi ikonën e madhe të kryeengjëjve gjendet mbishkrimi: “Lutje e shërbëtorëve të perëndisë, Demirit dhe Avlonës, viti 1762 nga katundi Drenovë”.Gjithashtu në ikonën e madhe të Kryeengjëjve është shkruar: “Me dorën e Kostandinit, nga Korça në vitin 1774, shkurt 10”. Në breroren e ikonës së Shën Triadhës gjendet mbishkrimi: “Kjo brerore e Hyjlindëses u dhurua në manastirin e kryeengjëjve në Vithkuq nga prift Kozmaj. Qoftë për kujtim të tij të përjetshëm. Me dorën e Panajotit, të Petro Haxhi Roilit 1763”.


Froni dhespotik është punuar me teknikën e gdhendjes në reliev. Froni përbëhet prej tre pjesësh. Mbi fron gjendet një shtatore gjashtëkëndore me tufëza trëndafili, të kufizuara prej shtyllëzash me gjethe. Pjesa ballore e fronit përbëhet nga tre harqe të zbukuruar me gjethëza. Mbi ballzinat e harqeve janë gdhendur tre metope trëndafilash. Shtatorja e fronit mbështetet mbi katër shtylla cilindrike, tek të cilat janë gdhendur lule, zogj që çukasin dhe kafshë të ndryshme. Në krahët e fronit dhespotik janë gdhendur tufëza gjethesh, të cilat lakohen rreth lafshës së një shqiponje që është duke mbajtur në sqep një tufë me trëndafila. Froni dhespotik mbështetet mbi dy luanë. Në ikonën e Krishtit në fronin peshkopal të kishës është shkruar: “Lutje e shërbëtorit tënd o zot, Haxhi Thanasit. Dora e Kostandin jeromonakut – 1710”. Gjithashtu mbi një ikonë të Shën Mërisë është shkruar: “Me dorën e Vasil Frashtanit 1819. Kujto o zot, perëndi, shërbëtoren tënde Dhespinë Fugën si dhe Marinë”.


Manastiri ka pasur rreth 40 konakë, 500 kokë dhen, 25 dyqane në Korçë etj. Gjithashtu ka pasur ullishta në Vlorë. Në pronësi të manastirit ka qenë mulliri i fshatit. Të ardhurat vjetore të mannastirit kanë qenë 400 lira në vit.

Shkroi:Andrea Llukani