Manifestimi i Metes, një mision i realizuar.
Manifestimi i Metes, një mision i realizuar
– 02/03/20
Manifestimi i thirrur nga Ilir Meta, në mbrojtje të Kushtetutës, e realizoi misionin. Misioni ishte pjesmarrja. Sa njerëz do ti përgjigjeshin asaj thirrje, ky ishte thelbi i lëvizjes. Duhet ta pranojmë që në krye, ne nuk kemi një shoqëri, dhe nuk kemi një popull që nuk e zë gjumi për Kushtetutën. Dhe kjo, jo vetëm për ne, po edhe për rajonin me siguri, dhe më gjërë.
Por qytetarët e ndjejnë mirë, dhe e ndjejnë të parët kur një qeveri merr gjithnjë e më shumë pushtet, bëhet represive, sunduese, arbitrare, dhe kuptohet arrogante e fodulle deri në skaj.
Në këtë cikël ka hyrë thellë rilindja, dhe kanë ata aq shumë vetëkënaqësi sa nuk janë më në gjendje të dallojnë asnjë lloj teprimi që bëjnë çdo ditë, me mënyrën si sillen, si shfaqen në publik e si tjerrin propagandën e tyre tashmë të neveritshme.
Dëshmia më e freskët është kongresi i tyre 3 ditor. Asnjë analizë, asnjë fjalë për bilancin e munduar, asnjë projekt, asnjë ide, asnjë reflektim, asnjë mea-kulpa për mosmbajtje premtimesh, asnjë llogaridhënie. Asgjë e ngjashme me këto. Vetëm mburrje e mburrje pa fund, për ata vetë dhe skenderbeun e tyre, dhe kuptohet sulme të shpifura e të pandalshme ndaj kujtdo që nuk është me ta.
Kjo, një sjellje tipike satrapësh lindorë, sikur ata sapo kanë mbërritur me trenin e mëngjesit në Shqipëri dhe kanë bekimin e perendisë, dhe jo siç është e vërteta, që prej 7 vitesh kanë në duar çdo gjë në këtë vend, edhe pushtetet që nuk u takojnë e për të cilat nuk janë votuar.
Prania masive e njerëzve sot në shesh, ishte mesazhi.
Njerëzit nuk janë dakort me qeverisjen, me stilin, me këtë mënyrë të sjelluri, dhe veçanërisht me arrogancën e pashoqe. Nuk janë dakort që një qeveri që keqqeveris, jo vetëm t’i shpëtojë kontrollit e konestimit publik, por të rrëmbejë secilin institucion e çdo zyrë në vend.
Me gjithë mpirjen masive të shoqërisë, kjo një nga arsyet që ushqen mendjelehtësinë budallaqe të rilindjes, ku ministrave e dinjitarëve të lartë u është mbushur rradakja se ata janë më të mirët, dhe këtë e kanë ngulit në kokë edhe pse vjedhin e abuzojnë gjithë ditën me pushtetin, me gjithë apatinë në përgjithësi, mungesën e besimit, fatalitetin se ky vend nuk bëhet, njerëzit sot reaguan.
Ky ishte mesazhi, ky ishte misioni. I realizuar.
Thirrjen e bëri Ilir Meta, por popullin për t’u ngritur e ka bërë gati Edi Rama. E ka bërë gati me keqqeverisjen e tij 7 vjeçare, e ka bërë gati ai bashkë me elisat e taulantët e skotën e mbrojtësve publikë që ka, me arrogancën si tipar kryesor, me elitizmin fals e luksin që i rrethon, çka i ka thyer në portretet më të padurueshëm në republikë.
E sigurtë është një gjë. Duke nisur qysh sonte, sapo të mbarojë ky manifestim, përgjigja e qeverisë do të jetë e zakonshmja. Do ketë reagime ironike, shpotitëse, tallëse nga kasnecët e rilindjes, dhe askush nuk do të ulet të mendojë, t’i vëri gishtin kokës, se përse kaq shumë njerëz u mblodhën sonte në atë shesh, kur dihet se nuk ishte Partia Demokratike, ajo që mbush bulevardet, motorri i manifestimit.
Përgjigja e qeverisë, do të jetë përgjigja e një sekti që refuzon të dëgjojë, e një sekti që ka dëshirë të poshtërojë, të sulmojë e të sundojë, këdo që nuk mendon si ata, me çdo lloj metode, edhe me ato të sigurimit të shtetit.
Dhe sigurisht, përgjigja e qeverisë, do të jetë arsyeja e fortë dhe qënësore, për të dalë sërish në shesh.
Mapo.al