Manjani: Ndryshime ministrash në qeveri?! Hi syve nuk na hedhin dot! –
Manjani: Ndryshime ministrash në qeveri?! Hi syve nuk na hedhin dot! –
23 Dhjetor, 2018
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, paralajmëron se do të thotë ndryshime dhe zëvendësime në Këshillin e Ministrave.
Megjithatë ai shfaqet skeptik edhe nëse do të ketë ndryshime të tilla. Ai e shikon përgjegjësin jo te ministrat, por tek vetë kryeministri Edi Rama.
Manjani pohon se ministrat në kabinetin Rama janë thjesht zëdhënësa politikë dhe kopsitës letrash zyrtare të zgjidhjeve që imponon kryeministri, që sipas tij Rama i largon vetëm kur nuk flasin mirë në televizor, ose kur nuk kopsisin letrat e favoreve që duhet të bëjnë për llogari të tij.
Statusi i plotë:
Ndryshime ministrash në qeveri?!
Muhabet kot, po kot fare. Do ikin disa besnikë të Ramës për të ardhur disa besnikë të tjerë.
Problemi përsëri mbetet, pavarsisht kurimit të maskës. Bie fjala, problemet e arsimit të lartë vijnë nga modeli politik i ngrirë në Ligjin e Arsimit të Lartë, jo nga Lindita.
Ashtu si e koncepton dhe ndërton kabinetin qeverisës Edi Rama, asnjë ministër nuk është përgjegjës as para publikut e as para ligjit për sektorin që drejton.
Përgjegjësia politike është e gjitha e Kryeministrit. Kurse përgjegjësia juridike bie mbi Drejtorë e nënpunës të tjerë.
Ministri i kabinetit Rama nuk ka as të drejtë nisme politike apo ligjore e madje as të drejtë të flasë e të votojë në mbledhjen e qeverisë.
Ministri i kabinetit Rama e ka të ndaluar të flasë në publik, përveç se kur urdhërohet nga Kryeministria.
Në këtë rast teksti kontrollohet paraprakisht nga zyra e gjigande e shtypit.
Ministri i kabinetit Rama as emëron e as shkarkon dot njeri. Ai/ajo thjesht firmos aktet për kompetencë, përmbajtja e të cilave vjen nga Kryeministri.
Asnjë lidhje me rolin që i jep Kushtetuta e vendit Ministrit të Republikës. Asnjë, po asnjë lidhje fare,fare.
Ministri i kabinetit Rama është thjesht një zëdhënës politik dhe një kopsitës letrash zyrtare të zgjidhjeve që imponon Kryeministri.
Ata i largon Rama vetëm kur nuk flasin mirë në televizor, ose kur nuk kopsisin letrat e favoreve që duhet të bëjnë për llogari të Tij.
Ndaj ndryshimi i ministrave nuk është zgjidhja e problemeve të shumta që ka vendi.
Ndryshimi i ministrave nuk zgjidh keqqeverisjen, përkundrazi e maskon atë për të shtyrë edhe pak kohë. Natyrisht po e hëngri njeri këtë maskë të re….
Në historinë tonë politike të 28 viteve, veçanërisht në historinë e Partisë Socialiste këto lloj krizash janë zgjidhur më ndryshimin e Kryeministrave jo thjesht të ministrave.
Kriza vjen nga dështimi i filozofisë politike të atij që drejton. Kur vjen puna që publiku preferon më shumë Kryetarin e Bashkisë (pjellë politike e Ramës) më shumë sesa Kryeministrin e vendit, ky i fundit bie. E rrëzon partia.
Kështu duhet të ishte në kushte normale, nësë PS do ishte vërtetë Partia me demokraci siç ishte dikur.
Në çdo rast, bën çbën PS me rilindjen, është punë për ta. Por hi syve me ndryshime ministrash nuk na hedhin dot!
Vendi ka një përgjegjës. Ky është Edi Rama i vetëm fare!
Nga: TPZ. AL