Maqedonia e Veriut tërhiqet nga “Open Balkan” nëse cënohet Kosova
17 Tetor 2022
Maqedonia e Veriut mund ta braktisë Open Ballkan nëse do të cënohet Kosova. Konfrimimi vjen nga Ministri i Jashtëm Bujar Osmani gjatë një aktivieti me rastin e 13 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dyja vendeve.
Ministri Osmani i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, deklaroi këtë dielë se nisma e Ballkanit të Hapur synon thellimin e bashkëpunimit mes shteteve të rajonit, por ajo, sipas tij nuk do të jetë e plotë pa pjesëmarrjen e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Ne, si Maqedoni Veriut nuk do të lejojmë që ndonjë shtet tjetër të dëmtohet. Ne konsiderojmë se nëse dikush do të dëmtohet, mendoj këtu edhe për Kosovën për shkak të pikëpamjeve të saj ndaj kësaj nisme, atëherë ne nuk do të marrim pjesë në këtë nismë. Ne do të jemi gardianë të mbrojtjes së cilit do shtet në Ballkanin e Hapur”, ka deklaruar Osmani.
Maqedonia e Veriut ka njohur shtetin e Kosovës më 9 tetor të vitit 2008, ndërsa marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 16 tetor të 2009-s
Në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve, ministri Osmani deklaroi se qeveria ku ai bën pjesë i jep mbështetje Kosovës në të gjitha nismat dhe përpjekjet për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare si në NATO, Këshillin e Evropës si dhe liberalizimin e vizave
Sipas tij, kjo është rruga e vetme për të stabilizuar rajonin që të vazhdojë procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE.
Ballkani i Hapur synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por teksa Kosova nuk i është bashkuar pasi e cilëson si një nismë që vë në diksutim pavarësisnë e saj, deri më tani kanë refuzuar të bëhen pjesë e saj edhe Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi.
Nga Ora News