Mark Marku: – Alo Edi, Marku jam! Po dal për ujë
Mark Marku: – Alo Edi, Marku jam! Po dal për ujë
5 prill 2020
MARK MARKU/ Nesër do të dal pa leje nga shtëpia. Do ta shkel urdhrin e qeverisë. Do të dal për nevojat e mia dhe të familjes sime të izoluar që prej katër javësh në shtëpi.
Do të dal pa leje, thjesht sepse nuk mund të marr leje. Kam provuar disa herë ta bëj një gjë të tillë përmes portalit e-albania, që qeveria na ka sugjeruar si zgjidhje për koordinimin dhe kontrollin e lëvizjes së qytetarëve nga qeveria. Edhe sot, plot tri orë jam përpjekur të aplikoj për leje.
Kam hyrë në faqen “Leje për dalje” disa herë, kam shtypur opsionin ‘Regjistrohu’ disa herë, kam provuar që nuk jam robot disa herë. Ja, për të qenë i sigurt, po e përsëris edhe një herë aplikimin në momentin që po shkruaj. Po e provoj edhe këtë herë që nuk jam robot, po shtyp eAqZC, siç më sugjerohet në faqe dhe më del një formular me kërkesën: Plotësoni të dhënat e përdoruesit.
Procedura vazhdon me një kërkesë: Kodi i përdoruesit, – e fus kodin, më pas fus edhe fjalëkalimin me shtatë elementë, i cili duhet ripërsëritur dhe e përsëris, fus adresën time të email-it, numrin e celularit, plotësoj pyetjen e sigurisë dhe jap edhe përgjigjen për pyetjen e sigurisë.
Kam zgjedhur si pyetje sigurie mes disa alternativave një figurë historike që unë parapëlqej, zgjedh Napoleonin meqenëse jemi në gjendje lufte, plotësoj edhe emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen (fiks ashtu siç është shkruar në letërnjoftim më kërkohet në aplikim dhe e bëj).
Më pas duhet të miratoj edhe përdorimin e të dhënave të mia personale dhe e miratoj njësoj si të ishim në diktaturë, se ndryshe nuk mund të vazhdoj më tej dhe klikoj te ‘Regjistrohu’. Klikoj hyr dhe aplikoj tek ikona ‘Qytetari’, klikoj prapë tek identifikimi, zbatoj urdhrin: Vendosni kodin e përdoruesit dhe e vendos, vendos edhe fjalëkalimin, klikoj te hyr. Por prapë nuk hyj.
Procedura përsëritet e përsëritet, aq shumë sa kur i kthehem nga fillimi, të dhënat shfaqen vetë, unë vetëm sa i klikoj aq sa më duket vetja si personazhi i Kështjellës së Kafkës apo Sizifi i ngratë, që sapo mbërrin në një pikë me stërmundim, e gjen veten papritur i shtyrë në pikën fillestare dhe çdo përpjekje për t’ia dalë i kthehet në një cikël absurd stërmundimi.
Pas ngulmimit të gjatë pres që nga platforma të më vijë veç një përgjigje: mbylle idiot se na çmende, nuk e kupton se s’jam bërë për këtë punë, u bë sebep një tender. Platforma ma kursen këtë përgjigje. Dhe unë i buzëqesh mirënjohës.
Shkurt nuk arrij të hyj në platformën absurde të qeverisë thjesht se ajo nuk funksionon. Ndërkohë që qeveria ka nxjerrë një urdhër, sipas të cilit kushdo që kapet në rrugë pa leje për dalje, penalizohet. Mendoni, unë që gjysmën e punës, gjysmën e kohës dhe më shumë se gjysmën e jetës e harxhoj me teknologjitë e komunikimit, nuk arrij të hyj. Si mund të hyjnë në këtë platformë ata mijëra qytetarë që nuk e kanë as idenë e internetit, të komunikimit on line dhe të teknologjive të reja të komunikimit. Thjesht nuk mund të hyjnë. Shkurt, qeveria u thotë edhe atyre që dinë ta përdorin platformën edhe atyre që nuk dinë ta përdorin atë: rrini në shtëpi. Nëse keni nevojë për ushqime dhe dilni pa leje, do të gjobiteni.
Kjo nuk është thjesht papërgjegjësi, është krim, është gjenocid. Kjo i vë qytetarët para dy alternativave: ose të vdesin për bukë, për ujë, për ilaçe, ose të shkelin ligjin. Nëse nuk e shkelin dhe presin funksionimin e e-albania pisk do ta kenë punën, më pisk se me koronavirusin. Nëse e shkelin i presin gjobat, i pret koronavirusi i mallkuar me shigjetën e helmatisur vdekjeprurëse tek dera. Unë kam vendosur këtë të dytën, edhe pse nuk dua t’i shkel rregullat dhe ligjet asnjëherë, edhe pse dua të jem solidar me gjendjen dhe të jap shembullin tim të përgjegjësisë, të shpreh solidaritetin me kërkesën e autoriteteve shëndetësore për distancim shoqëror, më e pakta që mund të bëj në këto rrethana të vështira. Por jam i detyruar të dal.
Dhe do të dal. Ndërkohë që bëj thirrje publike për të gjithë ata që si unë nuk aplikojnë dot në platformën e qeverisë që të revoltohen (jo duke dalë dhe mosrespektuar distancimin social, sepse nuk e bëjmë për Ramën, e bëjmë se duhet bërë), kundër një talljeje, poshtërimi apo dhunimi si ky, pse jo të ngremë edhe padi për krim në Gjykatën e Hagës.
Do të dal, pra, në orën 07:00 – 08:00 te Rruga e Kavajës, do të vë maskën, meqenëse mjekët po na thonë pas kaq kohësh se maskat duhen, do mbaj distancën me të tjerët dhe për të qenë i sigurt do mundohem të rri jo një po, dy, tre apo nëse mundem edhe 4 metra larg nga të tjerët, do të blej speca, kunguj, domate, kafe, shampo, letër kuzhine, makarona, ujë, do të vë doreza nëse do të gjej në farmaci (po i deklaroj asortimentet se nuk e di cilat janë hapat e mëtejshëm të platformës nëse do ta kaloja provimin e hapave të mëtejshëm).
Do të dal, pra, se funksionimi i platformës mund realizohet pasi të ketë ikur koronavirusi (normalisht edhe pasi të jetë bërë një tender tjetër me taksat tona) dhe se nuk mund të pres deri atëherë.