11 Mars 2025

Eksperti i sigurisë Drizan Shala, i ftuar në një intervistë televizive, foli mbi vizitën e kreut të NATO-së Rutte në Kosovë.

Shala thekson që diskutimet do të përqendrohen në 4 pika, ku do të vihet në dukje mbështetja e NATO-s për Kosovën. Gjithashtu ai bën me dije se nuk pritet të ketë largime të trupave të misionit KFOR, por ristrukturime.

Sipas Shalës në telefonatën e fundit kreu i NATO-s i ka dhënë një mesazh Vuçiçit se çdo veprim në mbështetje të Dodikut, për shkëputjen e entitetit serb në Bosnjë, do konsiderohet përfshirje direkte e Serbisë në prishjen e Marrëveshjes së Dejtonit.

“Protestat në Serbi tanimë kanë marrë përmasa më të gjera. Protestat tanimë janë masovike, por mbetet një pyetje kruciale dhe esenciale, a do të jenë këto protesta ato që do ta rrëzojnë Vuçiçin nga pushteti. Vuçiçit mund t’ia rrëzosh qeverinë, por asesi ta rrëzosh nga skena politike e Beogradit dhe Serbisë, pasi në të ka investuar për vite të tëra faktori ndërkombëtar për ta mbajtur një figure kyçe në marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Këto protesta pas 15 marsit do shkëputen dhe s’do kenë ndonjë impakt që mund të lëndojë çështjet e sigurisë në kontekstin e Beogradit të brendshëm .

Vizita e shefit të NATO-s është mesazh për Vuçiç-in që çdo veprim që shkon deri te cenimi i drejtpërdrejtë i misioneve të EuFor dhe KFOR, do të marrë përgjigje adekuate nga aleanca euroatlantike. Rutte ishte i qartë në telefonatën me Vuçiçin, çfarë do veprimi sa i përket çështjes së mbështetjes për Dodikun, për të shkëputur entitetin serb nga Bosnja, do konsiderohet si veprim i drejtpërdrejtë i involvimit të Serbisë në prishjen e Marrëveshjes së Dejtonit. Vuçiç do të thotë që çfarë do të ndodhë në terren, faji dhe përgjegjësia s’është e imja.

Sekretari i NATO-s në vizitën që do ta ketë pas një ore me krerët institucional të Kosovës, do t’u përçojë tre mesazhe kruciale, të mbështetjes së NATO-s për Kosovën. Pika e parë mbështetjen për KFOR, pika e dytë aspekti rajonal dhe impaktet e sigurisë, pika e tretë vazhdimi u suportimit të dialogut Kosovë-Serbi, e facilituar nga BE. Pika e katër mbështetja e komponentit ushtarak të Kosovës, që po kryen punë të jashtëzakonshme në suportimin e Ukrainës. 4 pika do jenë temë e diskutimit, ku Kosova dhe lidershipi politik duhet të jenë të kujdesshëm që të ketë një harmoni të plotë komunikimi me NATO-n”.