“Marrëveshja e 5 qershorit të mos preket”. Ambasadori britanik: – Të gjendet konsensus në Këshillin Politik, nëse jo, palët t’i drejtohen…
“Marrëveshja e 5 qershorit të mos preket”. Ambasadori britanik: – Të gjendet konsensus në Këshillin Politik, nëse jo, palët t’i drejtohen…
22 shtator 2020
Nga Shkodra, ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman u shpreh se reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme dhe nëse është e nevojshme, palët mund t’i drejtohen një arbitri.
Ai thotë se marrëveshja e 5 qershorit nuk mund të ndryshohet, duke shtuar se palët duhet të arrijnë konsensus në Këshillin Politik.
“Jam në Shkodër për të promovuar skemën tonë të programeve të bursave dhe për të ardhur dhe të bisedoj me politikanët këtu. Reforma elektorale është një temë shumë e nxehtë në Shqipëri dhe është diçka që Britania e Madhe e sheh me shumë rëndësi që të implementohet. Unë nuk kam një ide të qartë se cila do ishte mënyra e duhur për t’u implementuar. Çdo vend ka mënyrën e vet dhe çdo sistem mund të behet funksional nëse vullneti elektoral është aty.
Ne ishim mbështetës të rëndësishëm të Reformës se 5 qershorit një marrëveshje që u firmos nga të gjitha palët dhe unë mendoj se ajo marrëveshje nuk duhet të ndryshojë. Dhe nëse do kishte vazhdimësi të reformës do duhet të bëheshin në mënyrë transparente dhe në mënyrë të tillë që të kishin konsensus politik.
Është detyrë e Këshillit Politik për të gjetur një konsensus dhe unë shpresoj qe kjo gjë të bëhet e mundur por në rast se kjo gjë nuk do jetë e mundur do duhet të gjendet një arbitër mes palëve për të arritur konsensus. Unë do sugjeroja dhe inkurajoja palët për të bërë këtë gjë funksionale. Do rekomandoja të gjendet një sistem që të funksiononte për Shqipërinë që të bënte zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Unë besoj realisht se nëse do ekzistonte vullneti politik atëherë zgjedhjet do ishin te lira. Qeveria britanike punon me shtetin shqiptar për këtë dhe do punojmë në mënyrë më të fuqishme në zgjedhjet e ardhshëm. Do të vazhdojmë bashkëpunimet me palët ndërkombëtare për të pasur një monitorim me të mirë të zgjedhjeve.
Në vitet e kaluara ka pasur 3 forma të monitorimit nga OSBE ku Britania e Madhe ishte pjesë. Në zgjedhjet e fundit lokale monitoruesi kryesor ka qenë një britanik. Patjetër që është monitorimi vendor apo lokal, nga ata që jetojnë këtu që është monitorimi më i mire dhe monitorimi i tretë që bëhet nga vetë ambasada dhe ne gjithmonë kemi angazhuar stafin tonë që të jetë pjesë e monitorimit nga terreni për zgjedhjet”, tha ambasadori britanik.
Gazeta Panorama