Marrëveshja e dyshimtë; nafta e Visokës iu transferua kompanisë serbe me pronar rus
Marrëveshja e dyshimtë; nafta e Visokës iu transferua kompanisë serbe me pronar rus
7 shkurt 2020
Në fund të vitit 2018, kompania hidrokarbure ‘Terraoil Swiss’ – e cila ka një marrëveshje me Albpetrol për shfrytëzimin e fushës naftëmbajtëse të Visokës, lidhi një kontratë shërbimi me kompaninë GTK Oil.
Sipas marrëveshjes, një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, në shkëmbim të investimeve për rritjen e prodhimit në fushën e Visokës nga kompania GTK Oil , Terraoil i transferonte asaj një pjesë të të ardhurave nga rritja e prodhimit të naftës bruto dhe çdo informacion dhe aset të fushës së naftës.
Kontrata e shërbimit ngriti këmbana alarmi në Albpetrol, pasi tjetërsonte parashikimet e marrëveshjes hidrokarbure mes kompanisë shtetërore të prodhimit të naftës bruto dhe Terraoil Swiss, duke e trajtuar vendburimin e naftës si pronë të koncesionarit, të cilin ky i fundit mund t’ua transferonte palëve të treta.
Përveç shkeljes së kontratës me Albpetrol, marrëveshja mes dy kompanive ngre gjithashtu shqetësime për cenim të sigurisë kombëtare.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania GTK Oil është në pronësinë e kryetarit të bordit të një kompanie ruse për zhvillim e fushave të naftës dhe është e lidhur gjithashtu me degën serbe të gjigantit rus Gazprom Neft. Përmes marrëveshjes, kjo kompani ka marrë gjithashtu informacionet apo asetet në fushën e naftës – të cilat konsiderohen konfidenciale apo sekret shtetëror.
Megjithë shqetësimin se kontrata e lidhur midis koncesionarit të Visokës dhe kompanisë serbe me pronar rus, Albpetrol, AKBN si dhe Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të bllokuar këtë marrëveshje.
Nëpërmjet një deklarate me shkrim, Albpetrol i tha BIRN se Terra Oil Swiss nuk mund t’ia transferonte kompanisë GTK Oil të dhënat e vendburimit, ndërsa pretendoi se nuk kishte dijeni për kontratën midis dy kompanive hidrokarbure.
“Çdo e drejtë dhe detyrim që rrjedh nga Marrëveshja Hidrokarbure që Shoqëria “Terraoil Swiss” ka me Shoqërinë “Albpetrol”, nuk mund të ndryshohet apo transferohet tek të tretët pa miratimin e MIE dhe AKBN,” deklaroi Albpetrol.
“Shoqëria “Albpetrol” nuk ka miratuar asnjë Marrëveshje midis Terra Oil Swiss dhe GTK Oil… nuk është palë në marrëdhënien së cilës ju i referoheni, e për rrjedhojë s’ka informacion,” shtoi ajo.
Kompanitë hidrokarbure Terraoil Swiss dhe GTK Oil nuk komentuan mbi ‘flamujt e kuq’ të ngritur nga Albpetrol mbi kontratën e shërbimit të lidhur midis tyre.
Rusët marrin nën kontroll naftën e Visokës
E zbuluar në vitin 1963, fusha naftëmbajtëse e Visokës është e vendosur afër fshatit me të njëjtin emër në veri të qytezës së Ballshit, në jug të Shqipërisë. Visoka është një nga fushat më të mëdha naftëmbajtëse në vend.
Në vitin 2009, Albpetrol nënshkroi një marrëveshje hidrokarbure me kompaninë IEC Visoka për zhvillimin dhe ndarjen e prodhimit të naftës bruto të kësaj fushe naftëmbajtëse. Në shkurt 2012, kjo marrëveshje u transferua nga IEC Visoka tek kompania zvicerane Trasoil Group AG, e cila në vitin 2018 ndërroi emrin në Terraoil Swiss.
Përveç fushës së Visokës, kompania Terraoil Swiss ka fituar dhe një tender për marrjen me koncesion të tre fushave të tjera naftëmbajtëse, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë. Megjithatë, kjo kontratë është bllokuar nga gjykata për shkak të pretendimeve nga kompanitë garuese për shkeljen e barazisë në tendera.
Një investigim i qershorit 2018 nga BIRN, hodhi dritë për herë të parë mbi lidhjet e ngushta midis kompanisë Terraoil Swiss dhe Gazprom, lidhje që duket sikur janë thelluar pas kontratës së lidhur me GTK Oil.
Marrëveshjet hidrokarbure janë koncesione të nënshkruara midis Albpetrol dhe kompanive private për shfrytëzimin e fushave naftëmbajtëse, në shkëmbim të investimeve dhe ndarjes së prodhimit të naftës bruto.
Në fund të nëntorit 2018, në Fier themelohet kompania GTK Oil me administrator shtetasin serb, Nebojsa Trajkovic – i cili në CV-në e tij në rrjetin social LinkedIn shkruan se punon për kompaninë ruso-serbe të naftës NIS Gazprom Neft, një konsorcium i Naftna Indrustrija Srbje dhe gjigantit rus Gazprom.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kjo kompani është në pronësinë e kompanisë Geotechnokin D.O.O, e përfaqësuar nga shtetasi rus Tofik Khismetov, kryetar i bordit i kompanisë ruse të naftës “NTC Geotechnokin.”
Kompania NTC Geotechnokin është një kompani me qendër në Moskë, e cila liston si partnerë të saj një listë të gjatë kompanish ruse të naftës, mes të cilave dhe kompaninë Gazprom Neft, aksioneri mazhoritar i NIS Gazprom Neft – kompanisë më të madhe energjetike në Serbi.
Me 1 dhjetor 2018, kompania Terraoil Swiss me administrator Shefqet Dizdarin ka lidhur një kontratë shërbimi me GTK Oil, të drejtuar nga Nebojsa Trajkovic, për operacionet hidrokarbure në fushën e Visokës.
Qëllimi i kësaj kontratë është bashkëpunimi midis Terraoil Swiss (në atë kohë Transoil Group) dhe GTK Oil për rritjen e prodhimit në fushën naftëmbajtëse të Visokës. Rritja e prodhimit parashikohet të arrihet me anë të investimeve të GTK Oil në makineri dhe shërbime për nxjerrjen e naftës në këtë fushë. Sipas kontratës, një pjesë e të ardhurave të rritjes së prodhimit do të përdorej nga Terraoil Swiss për të paguar kompaninë GTK Oil.
Për qëllimet e kësaj kontrate në periudhën tetor-dhjetor 2017, kompania GTK Oil ka kryer një vlerësim teknik të fushës naftëmbajtëse të Visokës, duke arritur në përfundimin se ka njohuritë dhe kapacitet e duhura për rritjen e prodhimit në fushën naftëmbajtëse dhe se mund t’i financojë operacionet nëpërmjet vlerës së shtuar të prodhimit të naftës.
Sipas kontratës, kjo marrëveshje do të zhvillohej në 5 faza të ndryshme, gjatë së cilave Terraoil Swiss do të kompensonte GTK Oil me një përqindje të prodhimit të shtuar, në shkëmbim të investimit dhe ndërmarrjes nga kompania serbe të operacioneve hidrokarbure në fushën naftëmbajtëse të Visokës.
Gjatë fazës së parë për një periudhë 2 mujore, 100 % e rritjes së prodhimit të naftës shkoi për të kompensuar kompaninë GTK Oil për shërbimet dhe operacionet e ndërmarra në fushën e Visokës.
Më tej gjatë katër fazave të tjera me periudha 6 mujore, pjesa e prodhimit të shtuar të naftës që do të transferohet nga Terraoil Swiss në GTK Oil, zbret nga 80 % në fazën e dytë deri në 50 % në fazën e pestë.
Sipas kontratës së shërbimit midis kompanisë zvicerane dhe asaj serbe, pas 126 muajve dhe në fund të fazës së pestë, rritja e prodhimi mesatar nga fusha e Visokës duhet të jetë jo më e vogël se 2250 MT naftë bruto në muaj. Ndërkohë, prodhimi ekzistues do t’i përkasë kompanisë Terraoil Swiss, me një ulje vjetore të përllogaritur në 5%.
Marrëveshja përcakton gjithashtu se kompania Terraoil detyrohet t’i transferojë kompanisë GTK Oil të gjitha të dhënat e fushës naftëmbajtëse të Visokës, pa kufizime, të gjithë kapacitet e saj teknike, depozitat, tubacionet dhe të gjithë lejet për shfrytëzimin e fushës naftëmbajtëse.
Terraoil detyrohet që ta shesë menjëherë prodhimin e naftës së prodhuar gjatë muajit paraardhës dhe të paguajë kompaninë GTK Oil sapo të marrë pagesën për shitjen e naftës bruto.
Të gjitha kostot për shtimin e prodhimit dhe mbajtjen e stabilitetit të prodhimit aktual në fushën e Visokës do të financohen nga kompania GTK Oil, përfshirë operacionet në puset e naftës, pajisjet dhe shitja e naftës bruto.
Kjo marrëveshje shqetësoi ish-drejtorin e Albpetrol, Dritan Spahiu, i cili në mars 2019 i dërgoi një shkresë kompanisë Terraoil Swiss, duke i kujtuar asaj se kontrata me GTK Oil shkelte marrëveshjen hidrokarbure me Albpetrol. Spahiu shërbeu si drejtues i Albpetrol për një periudhë 7 mujore, nga marsi në shtator 2019.
Si u shkel marrëveshja hidokarbure.
Një ditë përpara Krishtlindjeve të vitit 2018, në vend të kartolinës që është traditë e sezonit festiv, Albpetrol mori një shkresë nga koncesionari i fushës naftëmbajtëse të Visokës, kompania Terraoil Swiss.
Me anë të shkresës ‘dërgim kontrate’ në Albpetrol dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, Terraoil i përcolli dy enteve publike kontratën “e shërbimit dhe bashkëpunimit për rritjen e prodhimit të fushës së Visokës,” të lidhur me kompaninë GTK Oil.
Bazuar në marrëveshjen hidrokarbure midis Albpetrol dhe Terraoil, kompania koncesionare nuk është e detyruar të kërkojë miratimin paraprak tek Albpetrol për marrëveshje me palë të treta, përveç rasteve kur kërkohet transferimi i interesave të marrëveshjes hidrokarbure.
Megjithatë sipas Albpetrol, kontrata midis Terraoil Swiss dhe kompanisë GTK Oil duhej t’i ishte nënshtruar një tenderi për përzgjedhjen e ofertuesit të shërbimit, pasi kap një vlerë më lartë se 600 mijë USD.
Ish-drejtori i Albpetrol, Dritan Spahiu evidentoi një listë të gjatë shkeljesh në një letër të dërguar në adresën e kompanisë Terraoil më 13 mars 2019.
“Nuk kemi informacion në rast se përzgjedhja e kësaj shoqërie është bërë me anë të një tenderi, pasi Albpetrol nuk është njoftuar për të qenë prezent në hapjen e ofertave,” shkruante Spahiu.
Përveç mungesës së tenderit për përzgjedhjen e kompanisë GTK Oil, Albpetrol analizoi kontratën e dorëzuar nga Terraoil dhe konstatoi një seri shkeljesh të marrëveshjes hidrokarbure.
Administratori i Albpetrol vë në dukje se në këtë kontratë nuk përmendet fare ndarja e prodhimit midis Terraoil Swiss dhe Albpetrol. Spahiu thekson gjithashtu se ripagimi me 100% i vlerës së shtuar të prodhimit në fazën e parë të marrëveshjes të kompanisë GTK Oil nga Terraoil nuk është në favor të interesave të koncesionarit.
“Kujtojmë se në bazë të Nenit 2.10 të Marrëveshjes Hidrokarbure, kontraktori nuk ka të drejtën e pronësisë ndaj hidrokarbureve në shtresë, po ai mund të disponojë lirisht vetëm pjesën e tij të naftës,” shkruan Spahiu.
Ish-administratori i Albpetrol i kujton kompanisë Terraoil se ka marrë përsipër të kompensojë GTK Oil me sasinë e shtuar të naftës së prodhuar, pavarësisht se nafta nuk është e saj “duke mos respektuar kështu parashikimet e marrëveshjes hidrokarbure për detyrimin që ka ndaj Prodhimit të Gjykuar dhe Pjesës së Albpetrol sipas Nenit 3.5 dhe Nenit 9 të saj.”
Në letrën e tij, Spahiu vëren se sipas marrëveshjes, kostot për rritjen e prodhimit të naftës bruto dhe për ruajtjen e prodhimit aktual të saj do të financohen nga kompania GTK Oil, përfshirë kryerjen e operacioneve në puse, materialet e nevojshme dhe kostot e shitjes së saj.
“Nga parashikimi i mësipërm duket sikur “Terraoil Swiss” sh.a de facto ka caktuar një operator për të kryer të gjithë operacionet hidrokarbure në Vendburime,” shkruan ish-administratori i Albpetrol.
Ish-kreu i Albpetrol konstaton se nëse qëllimi i “Terraoil” ka qenë caktimi i shoqërisë GTK Oil si operator për kryerjen e operacioneve hidrokarbure në vendburimin e Visokës, atëherë ky veprim juridik do të ishte kundër Marrëveshjes Hidrokarbure.
“Në interpretim të Neneve të Marrëveshjes Hidrokarbure dhe Licencë Marrëveshjes, caktimi i Operatorit mund të bëhet vetëm nga Kontraktori (i licencuari) me një njoftim paraprak të Albpetrolit dhe AKBN-së në rastet kur Operatori është filial i Kontraktorit dhe në çdo rast tjetër me miratim të Ministrisë dhe Albpetrolit,” shkruan Spahiu.
“Kujtojmë që shoqëria Terraoil Swiss sh.a (ish Transoil Group sh.a) është caktuar nga kompania Terraoil Swiss A.G (ish-shoqëria Transoil Group AG), në cilësinë e kontraktorit (dhe të licencuarit) të Marrëveshjes Hidrokarbure si Operator i kësaj të fundit. Për këtë arsye, Terraoil Swiss sh.a nuk asnjë tagër të caktojë një operator tjetër,” shton ai.
Spahiu shprehet gjithashtu i shqetësuar edhe për pikën e marrëveshjes që i transferon kompanisë serbe me pronar rus të gjitha të dhënat sekrete për vendburimin Visokë.
“Terraoil Swiss ka marrë përsipër të transferojë të gjitha të dhënat për vendburimin pa marrë parasysh parashikimet e nenit 23 të Marrëveshjes Hidrokarbure që lidhet me detyrimin e palëve për mbajtjen e të dhënave të përftuara konfidenciale dhe për të mos i shpërndarë ato pa miratimin e Albpetrolit,” shkruan Spahiu.
“Terraoil Swiss merr përsipër t’i vendosë në dispozicion një pale të tretë, çdo aset të cilin e ka marrë në dorëzim nga Albpetrol, në cilësinë e Kontraktorit të Marrëveshjes Hidrokarbure dhe për më tepër pa asnjë kundërshpërblim,” përfundon ai.
Nga: Besar Likmeta – BIRN
Gazeta Dita