Marrëveshja që rikthen Serbinë në Kosovë
Marrëveshja që rikthen Serbinë në Kosovë
04.09.2020
Nga: Koço Kokëdhima
Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, ligjëroi rikthimin e Serbisë në Kosovë, 21 vite pasi ajo u dëbua si pushtuese nga forcat e NATO-s dhe 12 vite pas shpalljes së pavarësisë.
Kosova pranoi një marrëveshje që e gjunjëzon sërish përpara Serbisë, cenon sovranitetin, dhuron pasuritë e vyera ekonomike dhe shtrin kurrizin për t’u bërë urë për ekspansionin serb në tregun ballkanik. Marrëveshja që u nënshkrua në Uashington është antishqiptare.
Kosova do të ndajë me Serbinë liqenin e Ujmanit, pronë 100 për qind e Republikës së Kosovës, burimi më i rëndësishëm ujor dhe energjetik i vendit, ndërsa Serbia do të kontrollojë edhe prodhimin, tregun dhe sigurinë energjetike të Kosovës, duke cenuar sovranitetin e saj.
Kosova pranoi që të heqë dorë nga pozita e shtetit sovran, duke u angazhuar që për një vit të mos kërkojë më anëtarësime në organizata ndërkombëtare, që Serbia të ndërpresë fushatën agresive kundër njohjeve nga vendet anëtare të OKB-së. Ajo do të detyrohet që të bëhet pjesë e iniciativës ‘Minischengen’, planit të rrezikshëm të sundimit të tregut ballkanik nga mallrat e lira dhe të subvencionuara sllave, që do të falimentojnë ekonomitë e dobëta dhe të vogla të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Ato do të jenë një korridor kalimi, që Serbisë t’i mundësohet dalja në detin Adriatik. Mëse dy dekada pas mbarimit të luftës, marrëveshja nuk bën fjalë për genocidin serb në Kosovë, mijëra të vrarët dhe të zhdukurit, duke trajtuar si të barabartë viktimat e pafajshme të Kosovës me agresorët e Serbisë, e cila ende nuk ka kërkuar falje dhe nuk njeh dëmet kolosale të shkaktuara gjatë pushtimit.
Kjo marrëveshje që tradhëton dhe shet Kosovën ishte e pritshme. Ajo u nënshkrua nga kryeministri i një qeverie kukull, të formuar prej pazareve të politikanëve antishqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë, duke rrëzuar një qeveri që kishte votat e popullit të Kosovës. I bëj thirrje Kuvendit të Kosovës që ta rrëzojë unanimisht këtë traktat esadist të frymëzuar nga tradhëtarët e kombit shqiptar, që do të ikin me turp nga skena politike, pa arritur të realizojnë copëtimin tjetër të trojeve të cunguara shqiptare.
Gazeta Shekulli