Marshi mbrapsht i timonierit.-
Marshi mbrapsht i timonierit.-
Na: Fatos Çocoli.
Nikolo Makiaveli në “Princi”-n (kryevepra mes shkrimeve të diplomatit, politikanit, historianit, filozofit dhe humanistit të shquar të Rilindjes Italiane) e tij i referohet shpesh shprehjes “Zmbrapsja si art i pathyeshmërisë”, kur flet për drejtuesit e politikës reale në qytet-shtetet italiane të kohës.
Timonieri ynë e provoi marshin mbrapsht dy muaj pasi mori pushtetin, në nëntor 2013, me protestat masive kundër sjelljes së armëve kimike nga Siria për asgjësim në territorin shqiptar. Me gjithë tortën e ofruar të përfitimeve politike dhe ekonomike nga aleati ynë i përhershëm strategjik, SHBA-të, timonieri tha njëherë po, por diti të zmbrapsej, duke dëgjuar e mos injoruar zërin e qytetarëve. Kjo e shpëtoi Shqipërinë nga një përshkallëzim protestash, revoltash dhe pasigurie.
Pesë vite më vonë, kur protestuan studentët, pranoi të kthehej në tabelë qitjeje kolektive pezmi, duke duruar shpërthimet dhe zbrazjet me mungesë flagrante të edukatës të shumë prej të rinjve. Me moralin e të përgjegjshmit. Por a do ta durojë deri në fund këtë gur Sizifi mbi qafë? A është i përgatitur për ta bërë? E ka kthyer në të përulur tronditja e karriges së pushtetit, apo përulësia si veti njerëzore i ka rezistuar mrekullueshëm magjistricave dhe driadave të të qenit njësh për 6 vjet rresht? Të shohim. Marshi mbrapsht kësaj radhe ishte shumë më i fuqishëm se në nëntor 2013. Nëse në atë kohë gëlltiti(në mënyrë krejtësisht të justifikuar) përpara amerikanëve “Po-në” e vet të fillimit, tani iu desh të rishohë më shumë se gjysmën e qeverisë. Duke guxuar të sjellë njerëz të panjollë që sigurisht do të bëjnë mirë, në krahasim me krijesa partiake të mësuara me deformim informacioni ekonomik. Nuk ka rëndësi që nuk kërkoi falje përpara studentëve. Falje që për tre vjet e gjysmë(që nga 22 korriku 2015) u shiti të gjithëve si një reformim të hatashëm një ligj të ri për arsimin e lartë që nuk u zbatua si duhet në asnjë pore të neneve të tij. Duke i katandisur studentët, ngelës dhe jo-ngelës në lopë që u molën barbarisht nga abuzuesit (në pjesën më të madhe edhe të paaftë) të sistemit.
Dëgjimi me durim i çdo shfryrjeje të studentëve përbënte disi një ndjesë, edhe pse e fshehur, e timonierit karshi tyre. Pse kishte besuar dhe ishte ngrohur me bukurinë e ftohtë të ligjit të përsosur dhe i kishte lënë në cektinë, në mëshirë të fatit. Kurse me ekonominë publike dhe interesat e të gjithë neve për një të ardhme më të mirë, nuk ka protesta. Nuk kemi pasur kurrë. Edhe pse protesta studentore, për fat të mirë, po kthehet tek ne në institucion. Ende nuk kemi dalë ndonjëherë në rrugë(hiq sindikatat një herë në dhjetë vjet) për interesat tona ekonomike. Prandaj dhe kush na ka udhëhequr në këto 28 vjet ka bërë çka dashur me ekonominë e të gjithë shqiptarëve, me ekonominë publike! Pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë, përjashto denoncimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Timonieri, edhe pa protesta, po luan sërisht me marshin mbrapsht. Do Zoti dëgjon njeriun e ndershëm dhe njohës të mirë të tenderëve publikë që javët e fundit ka marrë pranë vetes. Nga lëvizjet e para duket se po e dëgjon. Koncesioni-PPP i një aksi rrugor që u nis me projekt 225 milionë euro dhe përfundoi në gati 400 milionë euro(?!) u kthye mbrapsht. Do të rifillojë nga e para.
Banorët pranë parkut të Zagories protestuan për provat për shpim nafte dhe me një “nuk bën vaki” në rrjetin shoqëror ‘Instagram’ i tregoi kompanisë ndërkombëtare të mirënjohur për shpim-kërkimin e naftës se nuk ka punë me parqet kombëtare të Shqipërisë, edhe po ta shpjerë atje gjurmimi i naftës dhe se ky shtet ka zot. Kompania u tërhoq në mënyrën më dinjitoze. Këto janë disa shenja të mira për më pak se katër javë punë të qeverisë së ringritur. Po a do të arrijë timonieri ta mbajë marshin mbrapsht edhe për më shumë dhe më mirë me çmenduritë koncesionare dhe fiskale të mëparshme, edhe të së kaluarës më të afërt? E freskët fare është e pabëra e uljes gati përgjysmë e taksës mbi zengjinët(ulja e tatimit mbi dividendin nga 15 në 8 përqind). Si të thuash, medemek, meqë pasunarët tanë për rrogat që u vinin vetes taksoheshin me 23 përqind dhe janë mërzitur për këtë kontribut ndaj shtetit, ata po i kalojnë paratë që fitojnë tek ndarja e dividendit(fitimit të kompanive aksionere pasi janë hequr shpenzimet, nëse kjo para nuk ri-investohet), ku ish-drejtuesi i ministrisë përbindësh(edhe financa publike, edhe ekonomi, edhe të drejta punësimi) mendoi për ta dhe ua uli detyrimin ndaj shtetit me 47 për qind! Që të pasurohen edhe më shpejt të shkretët! Këtë ulje njeriu i ndershëm dhe i zotë që ka sjellë afër e kundërshtoi publikisht.
A do ta kapë timonieri marshin mbrapsht në korrik 2019, kohë kur rishikohet buxheti dhe ndoshta mund të preket edhe paketa fiskale, për ta kthyer tatimin mbi dividentin sërish në 15 për qind? A do të vazhdojë me zmbrapsjet e menduara mirë që i bëjnë mirë ekonomisë sonë dhe që, sikurse thotë Makiaveli, janë arti i pathyeshmërisë?
Gazeta Shqiptare.