Masakra mjedisore/ Nuri Belba i Përrenjasit vë sëpatën në mijëra hektarë me pyje.
Masakra mjedisore/ Nuri Belba i Përrenjasit vë sëpatën në mijëra hektarë me pyje.
19 Dhjetor 2019
Tërmeti shkatërrimtar i mëngjesit të datës 26 nëntor me të drejtë ka shqetësuar mbarë opinionin publik si dhe ka divijuar të gjithë vemendjen ndaj shkeljeve ligjore.
Gazeta SHQIP ka siguruar ekskluzivisht dokumentet e një tenderi që ka bërë kryetari i bashkisë së Përrenjasit, Nuri Belba. Në dokumente thuhet se është shpallur fituesi për të prerë pyje në disa ekonomi pyjore në territorin e kësaj bashkie.
Megjithëse është në fuqi një moratorium që nga viti 2016 që ndalon çdokënd për të prerë dru në pyje, kreu i Bashkisë së Përrenjasit vazhdon të japë tendera me këtë objekt. Kësaj herë, sëpata është me leje nga bashkia, në pyjet që i mbron vetë shteti. Dy pushtete, qendror dhe lokal, janë në kundërshtim me njëra tjetrën, ku njëri i ndalon dhe tjetri i lejon!
Bashkia e Përrenjasit e drejtuar nga Nuri Belba, që njihet edhe si mik i kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka firmosur të bëjë tender me objekt “prodhim, transport dhe stivimin dru zjarri”. Firma fituese është kompania “Kopaçi”, nga Elbasani. Kjo kompani ka ofruar rreth 100 mijë euro për të prerë dru në këto ekonomi pyjore.
Sipas dokumenteve që disponon Gazeta SHQIP, Belba kërkon një firmë private që të prodhojë, transportojë dhe të stivojë dru zjarri. “Prodhimi dhe transporti i druve të zjarrit do të kryhet në ekonomitë pyjore; Sopot, ngastrat me numër 29 1. Stravaj në ngastrat 26 a dhe 53 a dhe Turje ngastra 40 a, ku do të ndërhyhet me prerje rigjeneruese dhe do të prodhohet një sasi prej 4864 metër kub” thuhet në relacionin shpjegues të tenderit.
Interesant është fakti, se transporti i druve të zjarrit fillimisht do të bëhet me kafshë. Edhe ky tender, ashtu si shumica i bërë nga bashkitë, ka të përcaktuara vetëm “në letër” edhe disa përcaktime. Sipas tyre, shfrytëzimi të bëhet nga lart – poshtë, duke zbatuar të gjitha rregullat e sigurimit teknik.
Ndërkohë, firma duhet të asortojë të gjithë materialin drusor që është rrëzuar, i thatë ose i dëmtuar, i vlefshëm për dru zjarri si dhe materialin drusor që del nga zbatimi i skemës teknologjike, pas vlerësimit me procesverbal nga strukturat e shërbimit pyjor.
Nga dokumentet rezultoi se disa dru do i marrë në dorëzim bashkia, ndërkohë pjesën tjetër, do e marrë firma. Por, ajo që është më flagrante në këtë tender është se tenderët po bëhen në një kohë që në fuqi është moratoriumi që ndalon çdokënd të presë qoftë një pemë.
©Copyright Gazeta SHQIP