Një skene horror i ngjan përshkrimi që i ka bërë Tomor Kokalari, një ngjarjeje që ka tronditur Gjirokastrën në mesin e nëntorit 1943. Partizanët e udhëhequr nga Shefqet Peçi kishin rrethuar Gjirokastrën me qëllim eleminimin e gjithë nacionalistëve, të cilët arrestoheshin dhe pushkatoheshin vetëm me një fjali: “Gjyqi partizan ju ka dënuar me vdekje”. Përshkrimi i kësaj ngjarje lënë në kujtimet e Tomor Kokalarit u soll në vëmendje pak vite më parë nga Muzeu Kokalari në Gjirokastër. Nië pjesë të këtyre kujtimeve i sjellim si më poshtë:
***


DITE TERRORI/ Nga kujtimet e Tomor Q. Kokalarit
Nga të gjitha kujtimet dhe ngjarjet e përjetuara gjatë luftës do të veçoja ndoshta më të dhimbshmen dhe tragjiken për qytetarët e Gjirokastrës. Aty nga mesi i nëntorit 1943 partizanët kishin rrethuar qytetin. Më pas hynë në qytet dhe rrethuan shtëpitë e disa prej nacionalistëve. Në godinën e gjimnazit u vendos shtabi partizan me Shefqet Peçin, Islam Radovickën, Shemshi Totozanin etj. Në shkollë sollën njëri pas tjetrit nacionalistët e arrestuar. Ata të gjithë ishin njerëz që gëzonin respektin dhe simpatinë e gjirokastritëve dhe veç faktit që kishin pikëpamje të kundërta me komunistët as kishin marrë pjesë në luftë kundra tyre dhe as kishin kryer ndonjë krim. I arrestuari i parë ishte Muzafer Shehu. Atë e sollën ashtu siç e kishin gjetur vetëm me çorape leshi, me këmishë të bardhë dhe me jelek të zi. Pasi e futën për 2-3 minuta në lokalin e shkollës, ku u komunikohej vetëm: “Gjyqi partizan ju ka dënuar me vdekje”, e nxorrën dhe e pushkatuan tek godina karabina që ishte ngritur në kopshtin e Dalipajve. Tërë këto veprime ne i ndiqnim nga dritaret e shtëpisë të tmerruar. Më pas pushkatuan dhe djalin e tij, Duron. Ai ishte vetëm 17 vjeç dhe i tronditur që i kishin marrë babanë erdhi të shihte përse e kishin thirrur. Mbërriti në momentin që sapo e ekzekutonin dhe pa menduar e duke uluritur u hodh përsiper trupit të tij që ndërkohe qe i shtrirë për tokë. Partizanët e qelluan edhe atë me breshëri megjithëse nuk ishte në listën e atyre që kishin “arrestuar” dhe më pas u dogjën edhe shtëpinë. I dyti i arrestuar ishte Sefedin Haderi, të cilin partizanët e vranë duke e qelluar me rovole në kokë mu para shkolles “Drita”. Babai ishte bërë meit, duke parë i llahtarisur atë që po ndodhte para syve tanë. Që të dy, si Muzaferin edhe Sadedinin i kishte shokë dhe shumë miq. Pas tyre njërin pas tjetrit sollën dhe vrane vëllain e Ajdin Matos, Tajar Çarçanin, Vasil Shahinin, Hajro Laten, Emin Kokalarin, Qemal Libohovën, Boco Kalon. Shumica e tyre mbetën të vrarë përreth murit të kopshtit tonë. Kam të gjallë para syve pushkatimin e Bocos. Ishte një burrë i shendetshëm, me mustaqe të zeza, vishej zakonisht me të bardha. Për të kisha degjuar të thoshin se ishte shumë trim. Gjithashtu thoshin “Bocon s’e zë plumbi”. Si e nxorrën nga “gjyqi partizan” e sollën tek muri i kopshtit tonë për ta ekzekutuar. “Kthehu mbrapa!” – i thanë partizanët. Ai u përgjigj: “Burrat e kanë zakon t’i presin plumbat me gjoks përpara” dhe vazhdoi: “Vetëm djalin, mos ma vrani”. Tarja, djali i Bocos kish pas qenë profesor i italishtes në Gjimnaz. Partizanët e kishin rrethuar brenda në shtëpi. I bënë thirrje për t’u dorëzuar, por ai nuk pranoi. Nderkohë i vunë zjarrin shtëpisë. Mes zjarrit e flakëve Tarja filloi të qëllojë dhe mundi të vrasi një partizan e të plagosi një tjetër. Pastaj partizanët arritën ta qëllojnë dhe ta lënë dhe Taren të vdekur. Kjo ngjarje terrori tronditi dhe krijoi një gjendje dëshpërimi në mbarë Gjirokastrën, pavaresisht nga pikpamjet e ndryshme që mund të kishin banorët e qytetit dhe rrethinave./shqiptarja.com