Masakrat dhe genocidi i egër që bandat militare greke të gjeneralit famëkeq Napolon Zerva ndërmorën mbi popullsinë myslimane shqiptare të Çamërisë, që jetonte prej shekujsh në trojet etnike të saj, të cilat shënuan edhe kulmin në vitin 1944-1945 me vrasje, plaçkitje, çnderime, përdhunime, djegie fshatrash dhe dëbime masive, nuk janë të vetmet që kanë ndodhur mbi kurrizin e shqiptarëve nga fqinjët e tyre gjatë rrjedhave të historisë. Përveç popullsisë myslimane shqiptare çame të Greqisë, e cila, sic dihet tashmë nga historia, që prej tre-katër shekujsh i është nënshtruar rregullisht një kalvari të gjatë vuajtjesh prej masakrave të grekëve, fqinjët tanë të jugut jo pak herë i kanë kapërcyer kufijtë e tyre duke i shtrirë ato masakra edhe në thellësi të territorit të Shqipërisë së Jugut, siç bënë në vitin 1914. Lidhur me ato masakra të papara dhe të padëgjuara deri në atë kohë, të cilat tronditën jo vetëm shqiptarët kudo ku ata ishin, por edhe mbarë opinionin botëror, pati reagime dhe protesta të shumta. Por reagime më të mëdha erdhën nga kolonitë shqiptare të disa vendeve të ndryshme të botës si: SHBA, Egjipt, Rumani, Bullgari etj., të cilat ndërmorën një fushatë sensibilizuese në shtypin e kohës, me qëllim që ta detyronin qeverinë greke të parandalonte atë valë masive terrori ndaj popullsisë shqiptare në jugun e vendit. Një nga ato koloni shqiptarësh që u dalluan në këtë drejtim ishte dhe ajo e Sofjes në Bullgari, e cila nëpërmjet gazetës së saj, “Liri e Shqipnis”, hapi një rubrikë të veçantë, duke botuar herë pas here shkrime të ndryshme ku pasqyroheshin krimet cnjerëzore të grekëve ndaj shqiptarëve. Nga ajo gazetë e vitit 1914, ne kemi përzgjedhur për botim dy shkrime, të cilat po i publikojmë më poshtë, duke mos iu bërë asnjë ndryshim nga origjinali i tyre. “Liri e Shqipnis”: Do vijë dita që t‘i nxjerrim në shesh këto ngjarje Për barbarizmat greke, për ato sjelljet e tyre çnjerëzore dhe të egra, të turpshme e të pandershme, mund të mbushet një libër i madh, në njëqind gazeta sa kjo e jona. Edhe padyshim do të vijë dita që të nxjerrim në dritë të gjitha ngjarjet që të mbesin si kujtim i paharruar në zemrat e djemve dhe të nipërve t‘anë. Na këtu po japim ca shemblla, përmi sa kanë punuar grekërit dhe sa kemi vuajtur prej tyre. Në këtë numër po shtypim dy letra që muarëm nga dy qytete (nuk i themi dot qytetet se kemi frikë nga barbarët e Athinës) dhe po nxjerrim këto rradhë më poshtë, duke i lënë ashtu si ishin, pa i ndryshuar asnjë fjalë: Letër për gazetën “Liri e Shqipnis” në Sofje Kur ishin andartët në Kolonjë, ç‘bënë nëpër fshatra nuk rrëfehet: Në maj 1914, Borovën, si e plaçkitën tërë fshatin, vanë cnderuan me të pahir 13 gra. Një nga ato kur shkonte për te Mesi i Urave, plasi mbi udhë nga turpi dhe nuk ngriti fare kryet për të shikuar shoqet e saja. Rrahën pa mëshirë pothuaj më të shumtit fshatarë, veçanërisht, Josif Maxirë, të cilit i vranë dhe të birë. Në Gostivisht turpëruan më tepër se 18 gra, një prej syresh kishte dhe të shoqnë që priste shpëtimin e tij duke ju çnderuar e shoqja. Kapedan Stratin nga Kalavrija, pleqt e Gostivishtit, e adhuronin si shpëtimtar, se ai i rrihte ata pa mëshirë. Në Rehovë, andartët pasi plackitën tërë fshatnë, rrahën pa mëshirë shumë njerëz, në mes të të cilëve dhe grekomanin Qirijako Stefan Qirjaqis, të cilit ia bënë kurrizin më të butë se barkun, se nuk deshte të vinte bashkë me andartët. Ky tradhëtor i Kombit, kur vate Komisjoni i Fuqive të Mëdha për të ndarë kufirin e Jugës së Shqipërisë në Ersekë deriste si ay në maj: “Kato i Alvania, zito i mitri mas Ellas”. Ky i ndyrë i gjeti drutë që kërkoj, ja bënë mirë. Po nuk arrinë nderimet nëpër gratë që punuan andartët e Moresë, zunë dhe një djalë 19 vjec dhe e çnderuan me të përdhunë, pastaj donin ta vrisnin, sepse mos kallëzonte cnderimin. Në Blush çnderuan 5 gra dhe rrahën pa mshirë dhe plakat e pleqtë e fshatit. Në Luaras, therrnë 20 fëmijë myslymanë, 4 i pagëzuan: këta paskëshin mbetur kur shkuan të tjerët në ullishtet e Vlorës. Në këtë fshat muarë grekërit 209 mushka të zgjedhura, 6 kuaj, 39 pendë qe, dhe 20 krerë lopë. Shtëpitë e myslymanëve i dogjnë dhe i bënë hi që nga Cqeria, Dangëllia, Kolonja, e gjer në fushë të Korcës, si i plackitën më parë. Në Panarit therrnë si berrat 300 shpirt, të cilët i gënjyen duke thënë: “Kthehuni në shtëpitë tuaja se nuk iu ngasim”, po kur u kthyen, i vranë më të shumtit me sëpata për tmerr. (A…3 janar 1915). Letra e dytë për gazetën “Liri e Shqipnis” Më 20 Prill 1914 vanë në Luaras andartët e Grekut natën, dhe në mëngjes thirrnë tërë pleqësinë e fshatit duke u thënë sa më parë “djemtë”, ose u vumë zjarr. Pastaj zgjodhën 20 djem të moshës së tyre, jo më shumë se 30 vjet e poshtë, të cilët edhe sot gjenden në këtë shërbim, ku jeta e tyre është në dyshim. Që nga ky fshat u drejtuan në Vakëfet: Katundt, Panarit, ku më 22 të Prillit kishin dërguar Leko Mihalë në Vodicë për të shikuar a ka shqiptarë apo jo, dhe ky vajti afër Vodicës, u kthye, erdh në katund pa lajme. Aherë e vranë andartët para kishës së katundit që u tmerruan tërë njerëzia e fshatit, pas varrimit të tij na mblodhnë të gjithë sa ishim me ta përpara kafenesë së bamit Prift Eimes e na thanë: “Kush nuk do të vijë me ne, le të ngrerë dorën përpjetë, d.m.th. ta bëjmë si atë tjatrin, ta vrasim, as një nuk tha se jo, se shpirti është i dhembur. Në mes të natës duke gdhirë Cen Gerg u nisëm për në Panarit, ku arritmë me të zbardhëllyer; atje thirrnë pleqt e fshatit dhe na bënë konak; në drekë herët na vjen një lajm se në Katund, sipër na e ka zënë xhandarmëria shqiptare dhe shokët e tyre, vetëdashësit ikin me rrëmbim, e lëmë prapa Panaritin se është vënd i lik, dhe strategjik për shqiptarët, vemi në Katund ditën e Shën Gjergjit: mbi Katund na e japin (na qëlluan) shqiptarët me pushkë dhe kështu u ndez lufta midis nesh, të cilët kishim zënë vent mbi Stratoberdhë në mal të Selenicës së Pishës; këtë vent e ruante Makerza; lufta mbajti katër orë, po ku i mbaheshim dot ne Shqiptarëve, na i hidhnin plumbat si breshër mbi krye e lëndinave që kishim zënë, panë c‘panë kapedanët e Kritit e pushun 40 minuta më parë luftën; ne na lanë në viset e rrezikshme dhe kryehajdutët vanë në fshat. Në mes të natës na vjen lajm që të mblidhemi të gjithë se do të ikim, e ku të vemi? Kur lebetitej fëmija të këputej shpirti, se Grekërit i kishin frikësuar fshatarët, duke thënë: “Po të rrini këtu, u kanë për t‘u vrarë Shqipëtarët”.

Këta si mua që s‘e nxë dera me një kungull pas, më një anë ne nuk mund të shpëtonim, më anën tjatër ata ngritnë dhe fshatin, erdhë të gjithaq gjer te Ura e Laskës, pastaj ca pleq shpirt mirë bënë si bënë dhe u kthyen si u larguan pak nga andartët. Ne po shkonim nga udha e Kaltanjit, zbritmë te Ura e Orgockës, kur arritmë afër këtij fshati shohim qetë e lopët e Luarasit, të cilat i morrëm atij pylli të dendur; mezi i shpumë gjer te Vidi i Gostivishtit Poshtëm; aty bashkuam bariun e fshatit me berrat dhe ja dorzuam, po ky kish dhe fëmijën pas. Një nga shokët e mi i lutet kapedanit duke i thënë se: “Kam time shoqe me barrë dhe kam frikë se mos i ka mbetur gjekunt, e cila është në të nëntin muaj”. Pa se ke ti gomaricën me barrë më prishet puna mua”, ju përgjegj kapedani. Pastaj pas një shiu të madh arritmë në fshatin Peshtan; këtu gjetëm disa pleq nga fshati të cilët ishin me kafshët që i muarrnë andartët dhe mbanin drithin e tyre fshatrave që shkelnin. Këta posa mësuan për fëmijën dhe për mallë që ishte udhës nuk vonuan, vanë dhe i gjetën loptë e qetë, dhe te po i sillnin si për sigurim aty në Peshtan, ku kishin mbetur ca andartë, u duallnë dhe ua muarrnë. Ne si ndejtëm një gjysëm ore aty, u ngritmë për të shkuar në mes të urave dhe megjithë fëmijën e Peshtanit, në këtë cast mësuam se Shqiptarët po na arrijnë, i lamë dhe fëmijën dhe me nxitim shkuam natën, megjithë gunat mbi supe, ndonëse kishim përpara më tepër se tetë kafshë; nuk di si ta shkruaj këtë mundim që dremitnim udhës, por kur mbetmë mbi një vënt, harruam dhe udhën që do të vinin në Lashovë, ku pas dy ore mundëm dhe gjetëm shokët dhe në mëngjez arritmë në Lashovë, që aty në drekë herët në mes të Urave u gjendëm, me të arrirë aty prapë na gatitnë për në kufit ku qemë, pas mesditës u nisëm për në Leskovik, udhës shihnim njerzinë që shkonin ngarkur me fëmjët e gjorë, mos më keq u ndamë: “Pse ikni? Se u prishnë (u plagosën, u qëlluan, shënimi ynë), Po kush u prishim, Shqiptarët? Jo mor vela, Shqiptarët nuk erdh fare në fshat tënë.-Po kush? Ja këtra që kini shokë ju, an…andartët, e mor vela se s‘e them dot, se kam frikë”. Kur shohim që nga Konica vinë shumë kafshë të ngarkuara me municione, kanona mali e mitrolozë, ushtarë të rregullt nga rrobat, po kësulën të ndryshme, me shkabë dy krenore dhe me oficera pas, reshter, kapterr tizgat, mengore Greke dhe po drejtohen për në Leskovik. Leskoviku i djegur nga andartët grekë Dy orë këtij qyteti i mban era shkrumb. Arrimë në qytet, ku na drejtuan në një bregore, që kishte mbetur një shtëpi e kishës pa djegur, përvec kishës dhe asaj shtëpie. C‘të shohë i ziu njeri? Një qytet aq i mirë i djegur i tëri, të ngjethen mishrat për këtë dëm të madh, po c‘bëhet? Ndenjëm një natë dhe në mëngjes na dhanë nga 250 fishekë dhe nga tri peksimadhe, pastaj vuri një fjalë ish-trumeri në Korcë, Cipuros, i cila na tha: “Trimërija juaj e pakët, e nguti qeverinë Shqiptare ta bëjë anakohi se venomet (tokat, territoret), i fituam, jemi afër një marrëveshje. Tani duhet të vini një orë e më parë në kufit Epiriote Shqiptare”.Shkuam nga Leskoviku i zhuritur rrëzë Melesinit dhe në Lashovë, atje kapedanët thoshin midias tyre: “Kush është nga këta “allvanisits”, t‘ja bëjmë gropën. Kjo na helmoj tepër por prapë i jepnim kurajë vetes duke thënë: “Ata na vrasin, po ne pse jo, dhe nuk i largoheshim njeri tjatrit as fare. Arritmë në Peshtan këty kanë mbetur dy pleq, i tërë fshati është i ikur që dy ditë afër nesh, ndejtëm atë mbrëma aty, bëmë bukë vetë dhe të nesërmen nga Radimishti e në Selenicë të Radomit për të marrë frymë, ndenjëm katër orë se kishim 5 ditë e 5 netë që iknim. Që andej në Kuries, kur hynë brenda në fshat, shohim që del tym nga një kasolle evgjiti, me vrap pyesim dhe gjejmë dy palë fëmijë evgjitrish, ditën më të parë kish vdekur njëri syresh urije. Këtu i dhamë pak buka dhe me një shokun tonë nga Treska, i dërguam në Ersekë, për bukë dhe për dije ndenjëm një natë në Kurtes. Të nesërmen na thanë: “Kush nga ju do të vejë në Orgockë për t‘u dhënë evgjitëve ca misër, vete unë them. Ahere 4 gra dhe evgjiti 5 u nisëm për në Orgockë, ku unë dinjë se cila shtëpi nuk kish drithë, kur hynë gjetëm 10 kile misër, 2 kile grurë, 1 kile fasule, muarë të gjorët 100 okë misër dhe pakë fasule. Duke më uruar mua dita një mijë, që do të shpëtonim fëmijën nga urija, që aty shoh se andartët u hodhnë në mal të Orgockës në shtypit e bejlerëve, ndenjëm athje një natë, kur unë kisha vëndin të ruaj te ura se mos vinë Shqiptarët, kur i afrohemi urës, na e jep një që nga Leuska me pushkët, atë cast zumë lëndinat. Po jemi në paqe të zbrazim pushkët në atë kohë, na zë një shi i rreptë sa u gdhimë në këmbë tërë natën, në mëngjez vemi në qëndër ku u lejmë një prej nesh, të cilit u muarrë një orë të mirë me kushtim (kushtonte), 4 lira Engleze, pasdreke e dërguam në Kurtes dhe muarrmë evgjitkat dhe i cnderuan. Pastaj u hodhmë për në Kolonjë, shkuam, nga Meshicka, c‘të shoh njeriu i mjerë! Zjarre vënë tërë këtyre fshatrave, misrin udhëve të derdhur. Që këtej në Kaginasm në mes të natës, tërë ky fshat iu bukur i djegur dhe rrobat e enët përjashta dhe përndarë njerëzia kur ikën me panik. Që nga Kaginasi në Berovë dhe me të arrirë aty, na ndanë në ca lëndina dhe na thanë: kur t‘u themi tani “zjarr”, ju duhet të ini gati, pastaj na ngjitnë nëpër hendekët që kish bërë Xavidi, e na thanë po të jetë për të zbrazur, t‘u hedhim ca pushkë dhe pastaj të kapërcejmë “pros ta Elinika sinora”. Të nesërmen na vjen Kozo Bima nga Gostivishti, të cilit ia kishin bërë benë për ta hedhur më ndonjë lëndinë, dhe e ngjitnë sipër në mal të Borovës, bashkë me të birë e Josif Maxirit nga Borova, të cilin më pas e vranë, si mësova për Kozon, nuk më rrihej. I lutem kapedanit që ta bashkonj, mezi ma dha lejen, vajta e bashkova dhe e pyeta për prindërit e mij, ishin në fshat apo jo, po ai ish shumë i trembur, atëhere një oficer që ish atje më tha: c‘e ke ti këtë? I thashë: ungj. Si është sjellë me grekët, shumë mirë. Pas shum lutjeve t‘miat e lejoi të nesërmen bashkë me Kozon, ikëm për në Luaras. Prindërit kishin shkuar dy ditë më parë, ndenja një javë në fshat, dhe pastaj pata fatin të vinë disa ushtarë nga Korca dhe u hodha në Korcë, ku ndeja dy muaj, prisnim dita ditës t‘i lëshonte vendet greku, po ahere filloi pushka në Nikolicë, ku ushtria Shqipëtare i dërmoj armiqtë mirë. (S…15 Cen 1914). L.O. Barbarizmat greke në Shqipëri Për barbarizmat greke, për ato sjelljet e tyre Çnjerëzore dhe të egra, të turpshme, të pandershme, mund të mbushet një libër i madh, njëqind gazeta sa kjo jona. Dhe padyshim do të vijë dita që ta nxjerrim në dritë këtë ngjarje, që të mbesë si kujtim i paharruar në zemrat e djemve dhe nipërve tanë. Nga një letër që na shkruan një mik prej Shqipërisë (Nuk e themi dot qytetin se është frikë nga barbarët e Athinës), nxjerrim këto radhë si më poshtë, duke i lënë ashtu si ishin, pa iu ndërruar asnjë fjalë. Letra nga fshatrat e Shqipërisë së Jugut Këtu erdh një djalë nga Gostivishti, Petro V. Kita, të cilit i vranë grekërit t‘ëmën dhe gjyshen me shumë barbarizma që nuk ta rrëfenj dot, sepse ishte me Shqiptarët që luftonte, aq i mundun sa s‘bënet më. Si i mbajtën katër ditë pa bukë mbyllur në qilar, pastaj u thanë që të vini të dërgoni njeri të vij i biri juaj këtu, ata u përgjigjën që neve nuk e sjellim dot djalin, zireni dhe bëni c‘të doni me të. Pastaj u kërkuan 10 lira, edhe para s‘kemi u thanë, bëni si të donim, atëhere bëni male përsipër mbi Shën Thanas u thanë, si nënshkruan të shkruarën i muarrnë zvarrë dhe i kunguan në kishë dhe pastaj i therrën me thikë, sido që iu lut plaku dermani, mua më parë, pastaj cupën time, ata therrën cupën para syve të plakut dhe pastaj i lanë katër ditë pa mbuluar gjer sa vanë ca nga fshati i tyre fshehurazi dhe i mbuluan. Këto barbarizma i bëri njëri i quajtur Strati nga Kalavrija. Ky njeri kish marrë dy cupka myslymanka pas edhe i përdorte si deshte për turpe në Gostivisht. Nga fshati Luaras ende s‘dimë gjësendi, përvecse Myslym Sejatnë që s‘iku dot, plak i verbër që ishte, van e vranë tek rrinte pas zjarrit në shtëpi, dhe nja dhjetë mushka nga Luarasi i murënë grekërit dhe më s‘jua suallë prapë. Në Kodras vranë katër shpirt se nuk ikni dot po ngroheshin në diell, këto janë trimëritë e grekërvet të pashpirtshëm. Kur u bë lufta në Berat (në Gusht 1914), mblodhë të krishterë nga katundet që 18 vjec e lart më tepër se 500 shpirt dhe i vunë përpara, të cilët s‘u kthyen as gjysmat, se më të shumtit s‘dinin as nga zirej pushka. Lufta në Qesarakë Më 15 të Janarit 1914 kur Shqiptarët qenë në Panarit, qeveria shqiptare dha urdhër z. Themistokli Gërmenjit, i cili qe kajmekam (nënprefekt), në Skrapar të vejë në Kolonjë ta marrë, se grekërit do të hiqen, ahere Themistokli Gërmenji qe në Panarit në shtëpi të Dajlanit bashkë me Sali Butkën e me të tjerë trima. Në atë kohë ngrihen fshehurazi Tike Prifti Spirua dhe Xeka i vëllaj i Nucit nga Trebicka dhe venë e piqen me shqiptarët në Panarit, u rrëfejnë fuqinë e grekërvet, atëhere shqiptarët përmbledhin fuqinë e tyre dhe filloj lufta e madhe në Qesarakë dhe në Selenicë të Pishës, ku vriten 30 grekër, 4 plagosen dhe 2 grekë bien rob në duart e shqiptarëve. Grekërit u thyen dhe u hoqën nga vakëfet. Grekërit u zëmëruan tepër, dërgonjë ushtri të fortë me mitraloza dhe me topa dhe hyjnë prapë në vakëfet ahere venë në Trebickë, gjejnë një coban të cilit i zunë një letër të Kozmait të cilën ia dërgonte Sali Butkës, cobani thotë se letrën ma dha Tike Prift Spirua, të cilin e zënë grekërit dhe e mundojnë (torturojnë), Tika u dha 20 lira që të mos e prishin (mos e masakrojnë), po disa nga grekomanët e tradhëtojnë se i vëllaj i tij kur erdhi këtu shkeli flamurin e Greqisë dhe nfriti të Shqipërisë, ky vate në Panarit dhe u bashkua me shqiptarët, etj. Më së fundi kapedani grek e merr me vehte bashkë me Peci Harrin nga Treska, i cili edhe ay u tradhtua se është shqiptar i flaktë, i shpe në Selenicë të Pishës, dhe i mbyll në një shtëpi së cilës i vuri zjarrin. Tika la gruan, dy djem dhe tre cupa jetime. Përse e vranë Nucin e Kol Trebickës? Nuci qe një shqiptar i shquar, kur vajti Sali Butka me shqiptarët në Trebickë, Nuci u doli përpara, rrëmben flamurin e Shqipërisë, qëndroi përpara kishës mbi varret e katundit, afër varrit të t‘ et, dhe mbajti një fjalë të flaktë duke thënë: “Merrni dhe ju o të vdekur pal nga ky gëzim që ndjejmë ne të gjallët, gëzohi o shpirtra që vajtët zhur, Sot mi rast tuaja kanë ardhur luanët e Shqipërisë, edhe po valon flamuri i Skënderbeut që qe varruar me vdekjen e tij”. Të gjithë sa u ndodhnë atje qanë me lotë të mallëngjyer. Po mjerisht për pakë ditë u kthyen prapë barbarët grekër dhe Nuci u tradhtua prej Papa Gerogit dhe prek Goni Petos, ahere grekërit e kapin Nucin bashkë me Tolin e Vaskë Treskës, i shpien në Vilë të Panaritit. Atje kryeja e ushtrisë greke i pyet edhe njëhera Nucin: “A do ta mbash atë fjalë edhe njëherë”?Sa të jem gjallë do të flas dhe do të predikonj për gjuhën t‘ime edhe për të drejtën, u përgjigj Nuci. Ahere grekët barbarë e futin në një shtëpi Nucin, Toli Treskën dhe një myslyman dhe i djegin. Nuci qe afro 40 vjec, kish qenë dhe mësonjës disa vjet, ka dy vëllezër, Xeke dhe Harri, të cilët kanë qenë dhe janë patriotë të vërtetë. Nuci la gruan me foshnjë të vogël jetime. Grekërit edhe kur vanë herën e tretë në këto katunde, dogjën gjithë shtëpitë e atyre që vranë dhe të atyre që s‘e fshinin se c‘ishin, munduar dhe fëmijët e tyre. Shqiptarët e mjerë, sido që hoqën të zit‘ e ullirit nga grekët dhe nga grekomanët (shqiptarë pro-grekë), kur muarrë frenat e sundimit, u suallën tolerantë dhe s‘deshmë të marrin cpagim (hakmarrje) duke thënë; aq ua pret, po grekomanët që kanë marrë zakonet e barbarëvet grekër, kurdoherë që u binte në dorë, s‘linin të liga pa bërë e pa cpifur, se shqiptarët vrasin, u presin grave sisët, etj të paqena. Papa Georgi i Trebickës me Vimën e Papa Lambro Stratoberdhës, kur shqiptarët në vakëfet venë në Korcë fshehurazi dhe u cpifin grekëvet gjith ato që thamë më sipër. Kur hynë grekërit për herën e tretë në vakëfet nga myslymanët s‘lanë shtëpi pa shkretuar. Ca njerëz që erdhnë tani shpejt nga ata katunde, na kallëzuan gjëra që s‘kanë ngjarë gjer më sot: Muar me pahir djem të krishterë nga 20 vjec, u dhanë sëpata dhe i vunë me pahur të verasin vëllezërit e tyre myslymanë në Panarit, pleq, plaka, gra e foshnja, kur dëgjuam një tragjedi të tillë, u copëtua shpirti; një djalë i preu kokën me sëpatë një gruaje që mbane në gjinjët e saj një foshnje, trupi pa kokë po kërkonte foshnjen sa qe ende i ngrohtë. U lutemi shqipatërve kudo që janë, të mbledhin të tilla barbarizma dhe të na i dërgojnë se në cdo numër duam të lëmë nga dy shtylla. Të tilla duhen mbledhur dhe sa dëme që është bërë gjith-kujt, se do të vinjë dita që mbahet konferencë n‘Evropë, si të mbarohet lufta e përgjakëshme, dhe atje të paraqiten të gjitha, ahere jemi sigur që Grekërit do t‘i cpërblejnë shumë shtrenjt, bashkë me ata që i shtynë barbarizmat e tyre përdore kundra të paarmëve dhe të pafajmëve. Përkrahja Komisioni i ndihmave përbëhej nga V. Ikonomi, K. Luarasi dhe J. Stefani Shqiptarët e Sofjes, ndihma për muhaxhirët e mbërritur në Bullgari Në vitin 1914, pas masakrave çnjerëzore të andartëve grekë në krahinat e Shqipërisë jugore, popullsia e atyre zonave u detyrua të shpërngulej që andej, duke ardhur në krahina të tjera më në thellësi të vendit. Përvec atyre që shkuan dhe u strehuan në qytetin e Vlorës dhe rrethinat e saj, pati edhe shumë syresh që morën rrugën e gjatë, duke shkuar deri në Bullgari. Por edhe pse në një vend të largët, ata gjetën ndihmën dhe përkrahjen e bashkatdhetarëve të tyre që kishin emigruar atje prej kohësh. Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga gazeta “Liri e Shqipërisë”, ku midis të tjerash thuhet: “Nga shkaku i Grekërve që hynë në Korcë dhe në tërë Toskërinë, ashtu dhe prej frytit të rebelëve që shkelën pothuaj tërë Shqipërinë e Mesme, si plasi dhe lufta evropiane, shkloj dhe Mbreti ynë bashkë me ministrat dhe Shqipëria ra me një anarki, mëmdhetarët e vërtetë u përndanë kudo. Shumë syresh erdhnë këtu në Bullgari. Ahere Shqipëtarët e Sofjes, zgjodhnë një komision prej tre vetash që të mbledhë ndihma. Në komision qenë këta: Z.z. V.I. Ikonomi, Kr, Luarasi dhe J. Stefan. Komisjoni bëri një rradhë dhe i ndau gjithkujt sa duhej të ndihmonte. Me këtë mënyrë munden të mblidhen afro 900 fr. Disa shqiptarë nuk deshën të ndihmojnë, po do të vijë dita t‘u mirren. Këto të holla u shpërndanë sipas nevojës. U dhanë dhe ca bullgarëve që qenë me kapedan Gilardin, kur shpëtuan topat nga Korca, edhe me të shumat u dhanë ndër shokët e Themistokli Gërmenjit që rëfeu trimëri të madhe në kryengritjen që deshnë të bënin grekërit dhe grekomanët më 20 Mars në Korcë. Shokët e z. Themistokli para dy muajsh qenë në Bukuresht, janë 10-12 shpirt. Për motin e ri u mblodhë një ndihë fare e vogël, duhet të mblidhen më tepër. Për shpejti shqiptarët e Sofjes do japin dhe një darkë-dëfrimi (si teatro) për fitim të këtyre muhaxhirëve të cilët duhen ndihmuar gjer të marrin punët një ndryshim në Shqipëri. Kemi shpresë të madhe që të ndihmojmë edhe shqiptarët jashtë Sofjes e jashtë Bukureshtit, të cilët mund të dërgojnë ndihmat e tyre në zyrë të gazetës s‘onë, ku do të botohen dhe emrat e tyre bashkë me ndihmën”. Nga Dashnor Kaloci

Më shumë: https://shqiperiaebashkuar.al/2016/09/masakrat-e-andarteve-greke-ne-1914/