9 Prill 2025

Delegacioni i OSBE-ODIHR ka vizituar sot Prokurorinë e Posaçme, takim ky që zhvillohet në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit.

Misioni i OSBE/ODIHR do të kryejë monitorimin e procesit zgjedhor, ku do të jenë të angazhuar 300 vëzhgues afatshkurtër dhe 26 vëzhgues afatgjatë, që do të shpërndahen në 12 qarqet në Shqipëri.

“Në ditën e zgjedhjeve do të ketë një komponent më të gjerë të vëzhguesve, vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e OSBE, Asambleja Parlamentare e KiE dhe Parlamenti Evropian. Qëllimi i këtij misioni do të jetë vlerësimi i kryerjes së këtij procesi, nëse do të jenë në përputhje me angazhimet e Shqipërisë ndaj OSBE-së dhe detyrime të tjera të Shqipërisë, si edhe përputhja me legjislacionin vendas”, ka njoftuar pak ditë më parë kreu i misionit, Lamberto Zannier.

Sipas Zannier, vëzhgimi i OSBE/ODIHR do të shtrihet në të gjitha aspektet, nga kuadri ligjor, fushata elektorale, mbulimi mediatik dhe puna e administratës zgjedhore në të gjitha nivelet.

Ai theksoi se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga ODIHR në proceset e mëparshme zgjedhore, si dhe monitorimit të fushatës në rrjetet sociale, përfshirë edhe përdorimin e mundshëm të parave të krimit në fushatë.

BalkanWeb