“Mbani premtimin tuaj”, ish-ambasadori holandez letër kryeministrit Rama, ja çfarë i kërkon
“Mbani premtimin tuaj”, ish-ambasadori holandez letër kryeministrit Rama, ja çfarë i kërkon
12 PRILL 2021
Ish-ambasadori holandez në Tiranë, Hans Teunissen, në një letër dërguar kryeministrit Edi Rama, ka shprehur shqetësimin e shumë organizatave jo-qeveritare në Europë për sa i përket Vjosës dhe i bën apel qeverisë shqiptare për kthimin e saj në Park Kombëtar.
“Shumë Organizata jo-Qeveritare Ndërkombëtare siç janë Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), Euro Natur, Fondi botëror i jetës së egër (WWF) dhe Shoqata Evropiane e Vullnetit që janë gjithashtu aktive në Shqipëri kanë shprehur tashmë shqetësimin e tyre për reputacionin e shtetit tuaj në lidhje me mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrave të vlefshme”, shkruan z. Teunissen.
Në letrën e tij, Teunissen, përmend se pavarësisht dëshirës së hershme dhe të shprehur në mënyrë të palëkundur të kryeministrit për ta kthyer Vjosën në Park Kombëtar, tani ekzistojnë dyshime se ky status mund të ulet në “një zonë të mbrojtur” për shkaqe interesash tregtare.
Ai argumenton se një vendim i tillë do të lejonte ndërtimin e digave, të cilat do të shkatërronin zonën e virgjër të Vjosës duke i shkaktuar dëme të pariparueshme.
“Ulja e statusit në ‘një zonë të mbrojtur’ nënkupton një nivel shumë më të ulët të mbrojtjes dhe do t’i lejonte një hapësirë të gjerë ndërtimit të digave, të cilat do t’i shkaktonin Vjosës së virgjër dhe të pambrojtur dëme të pariparueshme,” shpjegon ish-ambasadori holandez.
Në letrën e tij, diplomati shkruan se besueshmëria është një ndër faktorët më të rëndësishëm, prej të cilës një politikan mund të fitojë respektin dhe mbështetjen e njerëzve të tij dhe se “zgjedhjet parlamentare në vend, të cilat priten shumë afër do të vulosnin fatin tuaj politik”.
“Besoj se populli shqiptar do të donte që ju t’i përmbaheshit premtimit tuaj të mëparshëm për sa i përket statusit të Vjosës në Park Kombëtar. Mund t’ju garantoj se adhuruesit e natyrës në të gjithë Evropën do ta duartrokisnin vendimin e krijimit të Vjosës në Park Kombëtar, duke e mbrojtur atë nga shkatërrimi i interesave tregtare”, shton diplomati.
Në mbyllje të kërkesës së tij, shkruar në emër të shumë natyrë-dashësve në Europë dhe organizatave të ndryshme të mbrojtjes së natyrës, diplomati Teunissen përmendën se dhjetë vjet më parë ai ka shërbyer si mbikëqyrës gjatë zgjedhjeve parlamentarë që sollën në rrëzimin e qeverisë Berisha pas një gare të ashpër elektorale, duke nënkuptuar se tani është në dorën e kryeministrit për të vërtetuar se ndryshimi i qeverisë së athershme ishte në interesin më të mirë të shqiptarëve.
“Të gjithë shqiptarët ishin shpresëplotë se ndryshimi i qeverisë do të sillte fundin e një korrupsioni të rrënjosur. Tani është në dorën tuaj për ta vërtetuar këtë”, përfundon letrën e tij ish-ambasadori holandez.
Gazeta Sot