Mbi 30 avionë luftarakë dhe një grup të luftanijeve, Kina rrit presionin ushtarak ndaj Tajvanit
27 Janar 2024
Kina ka dërguar mbi 30 avionë luftarakë dhe një grup të luftanijeve drejt Tajvanit, tha më 27 janar Ministria e Mbrojtjes së këtij ishulli.
Presioni ushtarak vjen pas njoftimit se përfaqësuesit e lartë amerikanë dhe kinezë do të takohen në kryeqytetin tajlandez, përderisa dy shtetet po synojnë të ulin tensionet.
Ushtria kineze ka dërguar 33 avionë luftarakë, përfshirë edhe avionë të llojit SU-30 dhe gjashtë anije të marinës përreth Tajvanit, mes orës 06:00 të së premtes dhe në orën 06:00 të së shtunës. Nga ta, 13 avionë luftarakë e kaluan vijën në Ngushticën e Tajvanit – që është një kufi jozyrtar mes ishullit dhe Kinës.
Tajvani tha se e ka monitoruar situatën dhe se ka dislokuar forcat e tij në përgjigje të këtyre aktiviteteve të Kinës.
Kina pretendon se ishulli vetëqeverisës i Tajvanit është pjesë e territorit të saj dhe viteve të fundit ka rritur aktivitetet përreth ishullit, duke dërguara avionë e anije. Tajvani tha se shtatë balona kineze kanë fluturuar ose mbi ishull ose përmes hapësirës së tij ajrore, disa ditë pas ishulli zgjodhi Lai Ching-te si president të ri. Partia Demokratike Progresive e Lait ka bërë fushatë për vetëvendosje, drejtësi sociale dhe ka kundërshtuar kërcënimet e Kinës.
Këshilltari për siguri kombëtare i Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, dhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, janë të dy në Bankok për bisedime, por ende është e paqartë nëse të dy do të takohen, apo veçse janë takuar.
SHBA-ja dhe Kina kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, duke nisur nga ato ekonomike dhe gjeopolitike./REL