Mbi 300 milion dollarë në një dorë. – A fshihet biznesmeni Janis Karathanos pas 3 koncesioneve?
Mbi 300 milion dollarë në një dorë. – A fshihet biznesmeni Janis Karathanos pas 3 koncesioneve?
13 NËNTOR 2020
Të dhënat, megjithëse indirekte, krijojnë dyshimet e forta se 3 nga 4 koncensionet e dhëna gjatë qeverisjes së Edi Ramës në sektorin e Shëndetësisë, me një vlerë prej rrethh 300 milionë euro, kontrollohen nga biznesmeni Janis Karathanos.
Në Dhjetor 2016, qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, shpall tenderin “Financimi, projektimi, rinovimi, pajisja, riorganizimi dhe funksionimi i Koncesionit/Partneritetit Publik Privat për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale, dhe atyre bashkiake të Sarandës e Lushnjës”.
Vlera që do të paguante shteti për marrëveshjen e koncensionit u përllogarit në mbi 130 miliardë lekë të vjetra pa TVSH (rreth 120 milionë euro).
Qeveria shqiptare synonte që, nëpërmjet kësaj kontrate, të projektohej ndërtohej, pajisur, shfrytëzuar dhe mirëmbajtur shërbimet laboratorike në 18 spitale të sektorit të shëndetit publik në Shqipëri për një periudhë 10 vjeçare.
Në tender morën pjesë 9 konkurentë. Gjatë shqyrtimit të ofertave, 6 prej tyre u skualifikuan.
Në përfundim, Ministria e Shëndetësisë shpalli fitues bashkimin e operatorëve të përbërë nga një kompani shqiptare, një franceze dhe një kompani tjetër, e regjistruar në Hollandë, por që ishte “bijë” e kompanisë shqiptare.
Koncensionari, më konkretisht, përbëhej nga kompania shqiptare “Labopharma” me 41.7% të pjesëmarrjes, “Exalab France” me 25 % dhe “AB Laboratory Solution B.V”, e regjistruar në Hollandë, me 33%.
Janis, fitues i koncesionit të Laboratorëve
Kompania kryesore e fituesit të koncensionit ishte shqiptarja “Labopharma”, në pronësi të biznesmenit Janis Karathanos. “Labopharma” është krijuar në vitin 2007 dhe ka si objekt të saj “Tregti import-eksport të produkteve farmaceutike”.
Biznesmeni Karathano, nga ana tjetër, është pronar i kompanisë “Pegasus”. Emri i saj u përfshi në tenderin për koncensionin e Kontrollit Bazë të Shëndetit-Check Up”, të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2014.
Kompania e dytë është francezja “Exalab France”, e cila zotëron 25% të koncensionarit. Ajo është krijuar në vitin 1989, e ka selinë në Le Hailland (Girone) të Francës dhe ka objekt të aktivitetit të saj laboratorë për Analiza Mjekësore.
Kompania e tretë, e cila zotëron 33% të koncensionarit, është “AB Laboratory Solution”. Kompania drejtohet nga Kostandino Karathanos, djali i Janis Karathanos që zotëron primarin e koncensionarit “Labopharma”.
“AB Laboratory Solution” rezulton të jetë e regjistruar në Amsterdam të Hollandës, në vitin 2007 dhe ka aktiviteti i saj është “institucion financiar”.
Lidhja me koncensioneve Sterlizim-Laboratorë-Hemodializë
Në bazë të të dhënave publike, rezulton se “AB Laboratory Solution” ka pasur adresë “Nassaulaan 2 A, 2514JS ‘sGravenhage” në Amsterdam.
Nga Shkurti i vitit 2017 deri në Qershor të vitit 2018, “AB Solution Laboratory” ka pasur si drejtoreshë ekzekutive Luisa Cinsia Ramasso. Pas dorëheqjes së saj, emërohet Tamara Alexandra Eleonora.
Më tej, në vitin 2018, drejtimin e përgjithshëm të kompanisë e merr Kostandinos Karathanos.
Adresa dhe drejtuesit në periudhën 2017-2018 janë saktësisht të njëjtat që figurojnë edhe për kompaninë “Arimo”, një prej anëtarëve që ka pasur në pronësi koncensionin për “Sterilizimin”.
Në bazë të të dhënave zyrtare, “Arimo BV” ka regjistruar si adresë të saj “Nassaulaan 2 A, 2514JS ‘sGravenhage”, i njëjti vend me selinë e deklaruar nga “AB Laboratory Solution BV”.
Gjithashtu, në periudhën 2017-2018, “Arimo BV” ka pasur si drejtues të përgjithshëm, fillimisht Luisa Cinsia Ramasso e më tej, Tamara Alexandra Eleonora.
“Arimo BV”, në vitin 2016, blen 72.5% të aksioneve të kompanisë “Evita”, e cila nga ana e saj kontrollonte 85% të kompanisë koncensionare “DiaVita” të Hemodializës, një tjetër kontratë 10-vjeçare e Ministrisë së Shëndetësisë, me vlerë rreth 80 milionë euro.
“Arimo BV” bleu aksionet e “Evita” për një vlerë prej rreth 200 mijë euro, nga ish-poseduesi i tyre, biznesmeni Rasim Hamzaraj, i cili, nga ana e tij, i kishte blerë ato vetëm 6 muaj më parë për të njëjtin çmim.
Në vitin 2019, “Arimo BV” shiti aksionet e saj në kompaninë koncensionare të Hemodializës, “Diavita”, tek një kompani nga Suedia “Diverium International”. Të njëjtën transaksion kreu edhe aksioneri më i vogël i kompanisë koncensionare, “Spitali Amerikan”.
Në këtë mënyrë, “Arimo” BV u largua zyrtarisht nga tregu shqiptar dhe koncensioni i Hemodializës i kaloi në pronësi 100 përqind suedezëve të ‘Diverium”. Nga ana tjetër, siç ka konstatuar Autoriteti i Konkurencës, “Diverium International” është një kompani me xhiro zero, pa aktivitet dhe pa staf.
Gazeta Shqip