Mbishkrime në greqisht në Shqipëri, dritare njohjeje me të shkuarën

Mbishkrime në greqisht në Shqipëri, dritare njohjeje me të shkuarën

10.02.20

Gazeta Shqiptare

Nga: Andi Rembeci*

 Mbishkrimet në greqisht të monumenteve të krishtera i përkasin periudhës bizantine dhe pasbizantine dhe janë përgjithësisht tekste të shkurtra në greqisht, që përmbajnë të dhëna lidhur me ndërtimin, rindërtimin, pikturimin dhe zbukurimin e kishave në vend. Ato gjenden në monumente të tundshme dhe të patundshme kulturore dhe përmendin emrat e ndërtuesve, piktorëve, mjeshtërve të monumenteve arkitekturore kishtare si edhe emrat e klerikëve ose laikëve, të huaj apo vendas, që administronin apo kryesonin kohë pas kohe në pozita të caktuara vetadministruese apo kishtare, që luanin një rol të rëndësishëm në qeverisjen e vendit, ose që patën qenë patronë apo dhurues të monumenteve të ndryshëm ku gjenden mbishkrimet. E gjithë larmia e mbishkrimeve në greqisht që gjenden në vendin tonë mund të ndahet në këto kategori:

n Mbishkrime ktitorike (fig. 1, 2, 3), të cilat përbëjnë një burim të rëndësishëm historik me vlerë jo vetëm për vetë monumentin ku ato gjenden, por edhe për kuadrin e përgjithshëm historiko-social, brenda të cilit u krijuan këto vepra. Ato ofrojnë të dhëna lidhur me gjendjen ekonomiko-sociale, me administrimin kishtar dhe me peripecitë historike të vendeve, duke regjistruar ktitorë e pronarë, dhurues e përkushtues, piktorë, datime të ngritjes së monumentit, klerin, peshkopë dhe, herë-herë, epitropë, igumenë, murgj etj.
n Mbishkrime liturgjike (fig. 4-6), të cilat zënë një vëllim të konsiderueshëm në lëmin e mbishkrimeve. Këto mbishkrime, duke qenë pjesë e pandashme e pikturave murale, titullojnë kompozimet pikturale, emërtojnë paraqitjet e shenjtorëve, përmbajnë citate agjiografike, paraqesin pjesë himnologjike, pjesë nga urtësia e Etërve të Kishës etj.

Mbishkrime në greqisht në Shqipëri, dritare njohjeje me të shkuarën

n Mbishkrime kushtimesh (dhurimesh) (fig. 7, 8, 9, 18), gjenden kryesisht në sipërfaqet e kufizuara të mureve të kishave, në pikturat murale, në objekte të lëvizshme (ikona, epitafe të qëndisur etj.), në metale të përpunuara (kuti lipsanesh, enë kishtare, bazamente kryqesh, kambana, temjanica), etj. Këto mbishkrime përmbajnë, gjithashtu, informacione lidhur me mënyrën dhe masën e shtrirjes së fenomenit të islamizimit, me marrëdhëniet mes të krishterëve dhe të islamizuarve,
me sjelljen e këtyre të fundit ndaj monumenteve dhe zakoneve të zonës, me taksat, dhëniet e ndryshme, onomatologjinë e banorëve, antroponimet popullore të grave dhe burrave, shqiptimin e toponimeve, lidhjet farefisnore etj.
n Shënimet kronike (fig. 10, 11), të cilat ndodhen në muret e kishave, në regjistrat, pllakat, kodikë dhe i referohen ngjarjeve të ndryshme, si uri, epidemi, luftëra, ndryshime peshkopate, robërime, taksa, marrëdhënie mes vendeve me bejlerë apo pashallarë, ngjarje të rëndësishme, shitje-blerje, etj.

RËNDËSIA E MBISHKRIMEVE NË
GREQISHT PËR HISTORINË KISHTARE
Mbishkrimet në greqisht për vetë nga natyra e monumenteve, ku ato ndodhen, kanë së pari rëndësi për historinë kishtare vendore. Të rëndësishme janë të dhënat që ato ofrojnë lidhur me peshkopatat e vjetra dhe peshkopët në territorin shqiptar, me kufijtë kishtarë etj. Për shembull, në mbishkrimin e epitafit të Gllavenicës [nr. 901], ku përmendet emri i peshkop Kalistit, rezulton se Gllavenica, më 1373, ishte një qendër shumë e rëndësishme peshkopale, aq sa prej saj varej edhe peshkopata e Beratit, qendër e njohur për traditën kishtare (fig. 12).
Gjithashtu, nga mbishkrimet në greqisht të shek. XVII-XIX rezultojnë të dhëna për peshkopatën e Durrësit, Beratit, Korçës, Drinopojës, Delvinës dhe Himarës, Gorës dhe Mokrës, Stefaniakës dhe Bendës. Mbishkrimet e shpëtuara të shek. XVI nuk flasin për peshkopata apo peshkopë, me përjashtim të dy mbishkrimeve: të kishës së Shën Marisë në Peshkopi të Sipërme, në Rrizë të zezë të Gjirokastrës (1510) dhe të kishës së Shën Dhimitrit në Poliçan të Pogonit, të cilat përmendin si peshkop Simeonin e Drinopojës. [nr. 520, 523]. Mungesa e emrave të primatëve të peshkopatave mund të ketë ndodhur për shkak se, pas pushtimit osman, peshkopatat në territorin shqiptar mbetën për ca kohë pa primatë, por edhe për shkak se në raste të caktuara iniciativat vendore ekzekutoheshin pa informuar për ato primatët e peshkopatave. Në mbishkrimet e periudhave të mëpasshme numërohen mbi 26 peshkopë ortodoksë, që kanë shërbyer në mitropolitë dhe peshkopatat e ndryshme të Shqipërisë nga shek. XVI-XIX.

Mbishkrime në greqisht në Shqipëri, dritare njohjeje me të shkuarën

Në mbishkrimet murale në greqisht informacione me mjaft interes ofrohen edhe për njohjen me administratën dhe postet kishtare, me manastiret dhe veprimtaritë e tyre në territorin shqiptar. Në to ndeshen tituj e ofiqe si: “igumen”, “ikonom” – titull priftëror për klerikë që merren me menaxhimin e çështjeve ekonomike, “saqellar” – ofiq i vjetër kishtar, që i jepej klerikëve që kishin detyrë të mbikëqyrnin manastiret e një peshkopate, “mitropolit”, “dhespot”, “eksark” – përfaqësuesi i një patriarkane në një periferi të rëndësishme kishtare, “protosingjel” – i pari mes peshkopëve, ose zëvendësuesi i peshkopit, “muzikant fort i ditur” – titull që u jepej atyre që merreshin me artin e muzikës, “kartofilak” – titull që i jepej një kleriku, i cili kishte për detyrë të kujdesej për arkivin e kishës, etj.

RËNDËSIA E MBISHKRIMEVE DHE SHËNIMEVE KRONIKE PËR HISTORINË E SHQIPËRISË

Mbishkrimet në greqisht të Shqipërisë përbëjnë një burim të vyer për historinë e vendit, pasi rëndësia e tyre shtrihet në historinë e përgjithshme, lokale, politike dhe kulturore. Edhe pse këto të dhëna janë të kufizuara, disa prej tyre paraqesin një rëndësi të veçantë, për shkak se mbeten të vetmet burime mbi çështje historike të Shqipërisë. Përmendim këtu rëndësinë që kanë të dhënat që burojnë nga mbishkrimet dhe lidhen me zotërimin e princit shqiptar, Karl Topisë. Nga mbishkrimet ktitorike të kishës së manastirit të Shën Joan Vladimirit, pranë Elbasanit, rezulton se Karl Topia, princi shqiptar i shek. XIV, ndërtoi kishën e manastirit «në të 22tin vit të zotërimit të tij dhe e mbaroi atë në të 24tin vit të zotërimit të tij» [nr. 4]. Nga dy mbishkrime të tjera [nr. 2, 3] të po së njëjtës kishë rezulton se viti i 22-të i zotërimit të Karl Topisë përkon me vitin 1381, nga ku del se Karl Topia u bë zotërues i Shqipërisë së Mesme më 1359. Burimi më i hershëm arkivor fillimin e zotërimit të Karl Topisë e vendos në vitin 1362. Nën këto rrethana, mbishkrimi i kishës së Shën Joan Vladimirit mbetet burimi i vetëm historik, që sqaron një datë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Por nuk mungojnë edhe të dhëna të tjera interesante historike për periudhat e mëvonshme. Po sjellim si shembull vetëm tre prej tyre. I pari lidhet me Ali pashë Tepelenën. Në një mbishkrim në greqisht të kishës së Shën Kollit në Sopik të Pogonit, (nr. 597), ruhet një ngjarje e vitit 1785, që lidhet me praninë e Ali pashë Tepelenës në fshatin Sopik: “Në atë kohë ishte edhe Ali pasha me Veliun, të nisur për në Janinë me tre mijë […] e Shtuna e Madhe, prill -19-». Ndërsa mbishkrimi në greqisht i kishës së Fjetjes së Shën Marisë në Sopik të Pogonit i referohet kontributit për suvatimin e kishës të tre priftërinjve, papa Kostandini, papa Panajoti dhe papa Jani, të cilët «i vrau Ali Toska, në Kakollako, maj 14, 1772» [nr. 597].

Mbishkrime në greqisht në Shqipëri, dritare njohjeje me të shkuarën

Sipas gojëdhënës, priftërinjtë u vranë nga Ali Toska, për shkak se kishin strehuar në kishë Ali pashë Tepelenën dhe e kishin shpëtuar, duke e nxjerrë jashtë brenda një voze. Shembulli I dytë ka të bëjë me shkatërrimin e qytetit të Vithkuqit. Shënimi kronik në greqisht, i shkruar në faqen e parë të ungjillit të kishës së Shën Mëhillit në Vithkuq, dëshmon se Vithkuqi u shkatërrua në 25 tetor 1823: “Më 25 tetor 1823, Vithkuq. Sipas ungjillit, zemërimi i Perëndisë vjen nga të pabesët. Në të njëjtin vit u prish vendi i famshëm i quajtur Vithkuq dhe u bë çdo gjë e shkretë…”. Sipas një tjetër shënimi kronik në greqisht, të shkruar në hajatin jugor të së njëjtës kishë, Vithkuqi, deri më 1828, vazhdonte të ishte krejtësisht i rrënuar, me shtëpi të prishura dhe pa njerëz: “1828 korrik 13. Unë dhaskali, Kostak Cepi, erdha nga Belegradi (Berati) dhe e gjeta vendin të rrënuar, të shkretuar, shtëpitë të prishura dhe unë i padenji I shoh të gjitha shtëpitë (pa)… njerëz… Të mjerë e të shkretë, pësuam mjerim dhe cilido që u ndal dhe e prishi fshatin të ketë mallkimin, që i bëri kishat dhe manastiret e shkretë…”. Një tjetër shënim kronik në greqisht, i shkruar në kapakun e Komentarit mbi katër Ungjijtë të Teofilakti i Bullgarisë, libër dikur pronë e Manastirit të Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq, sot ruhet në AQSh, njofton për shkatërrimet e lagjes Varosh të Korçës, që ndodhën më 2 mars 1824 nga Busta beu i Plasës dhe për shkatërrimet që shkaktoi, më 10 tetor të të njëjtit vit, Sinan Beu nga frika e jabanxhinjve që kishin zbritur nga lartë dhe po drejtoheshin kundra tij (fig. 10). Shembulli i tretë lidhet me përfundimet, që dalin nga mbishkrimet, lidhur me fazat e ndryshme të islamizimit në territorin shqiptar. Nga mbishkrimi i kishës së Shën Marisë, në Dushan të Oparit [nr. 302], del se, deri në kohën e pikturimit të kishës (1610), të gjithë banorët ishin të krishterë. Po ashtu, nga një mbishkrim tjetër [nr. 127] rezulton se, deri më 1751, qyteti i Ballshit ishte ende i krishterë. Në të famshmin “triptik të Drianos” (shih fig. 13) gjenden të regjistruar fshatra, të cilat, ndërsa, gjatë shekujve XVII-XVIII, bënin dhurata e përkushtime në manastirin e Drianos, në Zervat të Dropullit, po ato, gjatë shek. XIX, gjenden plotësisht të islamizuara, si Libohova dhe Nepravishta në Dropull, etj. Si rrjedhim, është e qartë se disa mbishkrime në greqisht hedhin dritë mbi ngjarje të panjohura të traditës shumëshekullore kulturore të popullit shqiptar dhe mund të ndriçojnë pjesërisht probleme të caktuara historike, kryesisht kur mungojnë burime të tjera arkivore, duke përbërë kështu dëshmi të vetme autentike dhe të pakontestueshme.

Mbishkrime në greqisht në Shqipëri, dritare njohjeje me të shkuarën

RËNDËSIA E MBISHKRIMEVE NË GREQISHT PËR ARTET
Të shumta janë edhe mbishkrimet në greqisht që paraqesin interes lidhur me historinë e arkitekturës. Për veprimtarinë ndërtimore të kishave përpara pushtimit osman në Shqipëri janë ruajtur pak mbishkrime. Të dhëna për ndërtime kishash në shek. XI marrim nga mbishkrimi I kishës së Fjetjes së Shën Marisë në Lubonjë të Kolonjës [nr. 398]. Mbishkrimi i kishës së Shën Dhimitrit në Potkozhan të Mokrës jep të dhëna për një ndërtim tjetër në shek. XII [nr. 1]. Mbishkrimet flasin, gjithashtu, edhe për ndërtime kishash në shek. XIII, siç është rasti I mbishkrimeve dhe pikturimit të portreteve perandorake të Andronikut II, Mihalit VIII dhe Mihalit IX Paleologëve, të cilat dëshmojnë për rindërtimin e manastirit të Apollonisë nën patronazhin perandorak në kuadrin e rivendosjes së pushtetit bizantin në krahinat veriperëndimore të sapoçliruara pas dëbimit të latinëve [nr. 86, 87, 88]. Për shek. XIV, mbishkrimet në greqisht dëshmojnë për ndërtimin e tre kishave: të Lindjes së Shën Marisë në Maligrad të Prespës më 1369 [nr. 287], të kishës së manastirit të Shën Joan Vladimirit pranë Elbasanit më 1381 [nr. 2, 3,] dhe të kishës së Ristozit në Mbroje të Korçës më 1389 [nr. 290]. Për shek. XV, nuk ndeshen mbishkrime që i referohen ndërtimit të kishave, përveç njërit, të kishës së Shën Markut në kalanë e Vaut të Dejës [nr. 917]. Nga të dhënat epigrafike, veprimtaria ndërtimore e kishave rishfaqet sërish në shek. XVI dhe vazhdon deri në shek. XIX. Sipas mbishkrimeve, në shek. XVI ndeshim kisha me arkitekturë kryesisht të thjeshtë, mbishkrimi në greqisht i qëndisur me fije argjendi në një mbulesë kungate të kishës së Shën Pjetrit në fshatin Shën Pjetër, Fier (1737) [nr. 112]. Ekzistenca e mbishkrimeve në greqisht me të dhëna të ndryshme biografike dhe historike ka një rëndësi të madhe, sepse na njeh me mjeshtër të shquar dhe kontribuon në promovimin e traditës së vendit, në artin e përpunimit të metaleve, të gdhendjes së drurit, të qëndisjes, të teknikës dhe veprimtarive të tjera kulturore.

RËNDËSIA E MBISHKRIMEVE PËR HISTORINË SOCIALE
Mbishkrimet në greqisht paraqesin të dhëna me interes edhe për historinë sociale, ekonomike dhe administrative të vendit. Përmbajnë të dhëna për kuadrin shoqëror të kohës, ndër të cilat veçojmë ato që lidhen me:
– profesione: mbishkrimet në greqisht të kishave në Shqipëri gjatë periudhës së pushtimit osman dëshmojnë edhe për ekzistencën e esnafeve [nr. 198, 199, 120]. Kjo gjë përforcon faktin e organizimit të ekonomisë së vendit, kryesisht gjatë periudhës osmane, në esnafe. Esnafet përmenden në mbishkrime për kontributin e tyre në ndërtimin, zbukurimin dhe pikturimin e kishave. Për shembull, nga mbishkrimet e
kishës së manastirit të Ardenicës, rezulton se piktura murale dhe ikonat e kishës qendrore të manastirit janë vepra të piktorëve Kostandin dhe Athanas Zografit me porosi dhe pagesë të esnafëve të Voskopojës [nr. 118, 119, 120],
– juridiksione: kufijtë e juridiksioneve administrative shfaqen dendur në përmbajtjen e mbishkrimeve, ku fshatra apo kisha bëhen pjesë e ndarjeve më të mëdha administrative, si “vilajeti”, “hyparkia”, “eparkia”, “kaza” etj. Karakteristik është rasti i Pogonit të sotshëm shqiptar, i cili nga ana kishtare varej nga peshkopata e Drinopojës, sikundër dëshmohet nga mbishkrimet e fshatrave Poliçan, Çatishtë dhe
Skore, edhe pse nga ana administrative politike ishte pjesë e Pogonianisë.
– funksione komunitare: mbishkrimet dhe shënimet kronike në greqisht përmendin të dhëna që lidhen me detyrimet e komuniteteve ndaj taksave, me fshatrat nën cilësinë e çifligjeve, me vakëfet, me manastiret dhe kishat me status stavropigjiak, me shkollat e financuara nga manastiret apo nga komunitetet ortodokse, me shërbimet sanitare a shërbimet e përkujdesjes sociale, që ofronin disa manastire, etj.

Mbishkrime në greqisht në Shqipëri, dritare njohjeje me të shkuarën

Gjatë shekullit të XVIII, paralelisht me veprimtarinë ndërtimore të kishave dhe manastireve, vihet re një zhvillim në sektorin e arsimit. Fillojnë të ndërtohen shkolla, të cilat, siç dëshmojnë mbishkrimet dhe mjaft burime informative të mbledhura deri më sot, ishin të organizuara dhe drejtoheshin nga klerikë të kultivuar. Gjithashtu, mbishkrime të tjera dëshmojnë për veprimtarinë shoqërore dhe filantropike të Kishës ndaj grupeve të përvuajtura të popullatës ose për ushtrimin e konceptit politiko-shoqëror me vepra bamirësie (ngritje jetimoresh, qendrash për të varfrit, madje edhe çmendinash), ofrime bursash studimi për fëmijë ose sasi të hollash për funksionimin e shkollave. Së fundmi, në shënimet kronike paraqiten dhurime ushqimesh për popullatën në kohë shkatërrimesh natyrore, zie buke dhe urie. Përveç këtyre, shumë mbishkrime flasin edhe për emërtime epitropësh apo dhuruesish të kishave me titullin e tyre politik ose administrativ (p.sh.: “voevod” – administrator ushtarak, “mbret”, “arkond”, “haxhi”, “despot”, “kryeplak”, “koxhabashë”, etj.), të dhëna këto që hedhin dritë mbi hierarkinë shoqërore dhe administrative të kohës.

Mbishkrime në greqisht në Shqipëri, dritare njohjeje me të shkuarën

*Universiteti i Tiranës