Mbishkrimet (vizatimet) në Shkëmbin e Gramës. Numri i mbishkrimeve mendohet të jetë rreth 1500.- Album fotografik nga Kriledjan Çipa.-
Mbishkrimet (vizatimet) në Shkëmbin e Gramës. Numri i mbishkrimeve mendohet të jetë rreth 1500.- Album fotografik nga Kriledjan Çipa.-
Është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, nga Instituti i Shkencave me vendim nr. 95, datë 16.10.1948.
Viti/koha e ndërtimit: Shek. VI para. Kr.
Vendndodhja: Gadishulli i Karaburunit, Bashkia Vlorë.
Gjiri i Grammatas ose i Gramës (Gjiri i Shkronjave .gr), ndodhet në rrëzë të shpatit perëndimor të Karaburunit, në një zonë të pabanuar. Gjiri në antikitet, ka shërbyer fillimisht si një nga guroret më të mëdha të gadishullit të Karaburunit, e cila është shfrytëzuar, që në shek VI para. Kr. Në këtë gurore, faleza ka qenë shfrytëzuar në një lartësi prej 130 m dhe në një gjerësi prej 100 m. Mbas braktisjes së gurores, duke nisur nga shek. III para. Kr, në faqet e sheshta të krijuara nga prerja dhe heqja e blloqeve shkëmbore gdhenden lutje nga marinarët apo udhëtarët, që strehoeshin në këtë gji për t’iu shpëtuar stuhive. Kjo traditë e inçizimit të lutjeve ka vazhduar dhe përgjatë mesjetë, por tashmë ato i detikohen kultit të krishterë, deri në shek. XIX. Mbishkrimet janë gdhendur në korniza dhe në shumicë e rasteve janë realizuar me inçizim. Shumica e mbishkrimeve antike në gjuhën greke u drejtohen Dioskurëve, Kastorit dhe Poluksit, që janë hyjni shpëtimtar, mbrojtës të detarëve.
Gjatë periudhës helenistike, gjiri ka shërbyer si një sanktuar i hapur kushtuar këtyre hynive. Në këto mbishkrime nuk mungojnë as emrat e figurave historike, siç është ai i Cnaeus Pompeius, i perandorit Bizantin Johanit V Paleologu apo dhe Mark Antonit. Numri i mbishkrimeve mendohet të jetë rreth 1500 copë.
Funksioni: Ka qenë gurore antike dhe sanktuar i hapur, sot është monument kulture.
Itinerari: Për të shkuar drejt Gjirit të Gramës me rrugë tokësore ekzistojnë dy varjante, në të dy raster pa automjet, por me anë shtigjesh. Varianti i parë është rruga Llogara-Qafa e Thellë-Gropa e Kumbullës-Gjiri i Gramës dhe zgjat 5 orë e 30 minuta. Varianti i dytë është nga “Rrugët e Bardha” (Palasë)-Shën Andrea-Gjiri i Gramës dhe zgjat 4 orë. Në të dy rastet duhet të jeni të pajisur me veshje të përshtatshme, ushqime dhe ujë. Një variant i tretë, që zgjat rreth 40 min ose 1 orë është me anë të rrugëve detare, me mjete lundrimi që nisen nga Gjiri i Vlorës ose nga Dhërmiu.
Foto: Kriledjan Çipa.