Mbledhja e Kuvendeve Kosovë-Shqipëri në Prishtinë, Alimehmeti: – Pjesë e fasadave të përhershme
20 Dhjetor 2024
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, e cilësoi takimin e përbashkët të Parlamentit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë në Prishtinë këtë të premte si pjesë të “fasadave të përhershme”.
Në një intervistë televizive, Alimehmeti theksoi se nëse Shqipëria do të ndërhynte në politikën e brendshme të Kosovës, ajo duhet të ishte në mbështetje të Kosovës dhe jo të Serbisë, siç e ka bërë sipas tij qeveria “Rama” deri tani. Ai e cilësoi këtë lloj ndërhyrjeje si fasadë, që synon vetëm të krijojë një lajm, por që në thelb nuk ka përpjekje serioze për të përmirësuar marrëdhëniet.
Alimehmeti shtoi se nëse Shqipëria do të kishte vërtet mbështetur Kosovën, nuk do të kishim pasur përplasje mes Ballkanit të Hapur dhe Procesit të Berlinit, dhe se kryeministri shqiptar nuk do të kishte qenë në krah të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, por në atë të kryeministrit të Kosovës. Ai theksoi gjithashtu se nëse ka pasur bashkëpunim real mes dy qeverive, do të ishin zbatuar marrëveshje të përbashkëta, duke kritikuar qeverinë shqiptare për qasjen e saj ndaj shqiptarëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Fasadat e zakonshme për të prodhuar një lajm, për të thënë a thua se çfarë bënë.
Nëse qeveria e Shqipërisë do të ishte realisht në krah të qeverisë shqiptare të Kosovës, atëherë ne nuk do të kishim çështje që i kemi parë si përplasje për Ballkanin e Hapur me Procesin e Berlinit; nuk do ta kishim parë kryeministrin tonë në krah të Vuçiçit, por do ta kishim parë në shoqërinë e kryeministrit të Kosovës.
Dhe nëse do kishte bashkëpunim, do kishim parë dhe zbatimin e marrëveshjeve ytë përbashkëta mes dy qeverive, pasi bashkëpunimi fasadë ka nisur prej kohësh dhe nuk do të kishim parë kryeministrin shqiptarë duke shitur shqiptarët e Kosovës nëpër Evropë”, u shpreh ndër të tjera Ilir Alimehmeti.
Gazeta Sot