Mblidhet këshilli ndërakademik.  Ne te ardhmen: – Konference e studimeve albanologjike

27 MARS 2021

Konferenca e studimeve albanologjike është një veprimtari, që do të zhvillohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Akademik Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, priti në një takim akademik Mehmet Krajën, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), që ishte i ftuar në Tiranë bashkë me grupin punues për përgatitjen e konferencës së studimeve albanologjike. ASH shprehet se kjo veprimtari duhej të ishte zhvilluar vitin e kaluar, por për shkak të përhapjes së pandemisë u vendos të mbahej këtë vit. “Këshilli ndërakademik për përgatitjen e kësaj konference bashkëdrejtohet nga kryetarët e dy akademive dhe në përbërje të tij bëjnë pjesë drejtues të institucioneve shkencore kryesore të dy vendeve”, shprehet ASH. Në grupin përgatitor të caktuar nga kryesia e ASHAK bëjnë pjesë: akademik Eqrem Basha, akademik Kujtim Shala, prof. dr. Lindita Rugova (dekane e Fakultetit Filologjik të UP) dhe prof. dr. Hysen Matoshi (drejtor i Institutit Albanologjik). Në grupin përgatitor të caktuar nga kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bëjnë pjesë akademik Pëllumb Xhufi, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, prof. dr. Artan Hoxha, rektor i UT; prof. dr. Suzana Golemi, rektore e USH; prof. dr. Skënder Topi, rektor i UE dhe akademik Marenglen Verli, rektor i ASA. Në këtë takim të parë, që njëherësh konstitucionalizoi bashkimin e dy grupeve përfaqësuese në këshillin organizues të veprimtarisë, u vendos që konferenca e studimeve albanologjike të mbahet në fund të muajit nëntor këtë vit. U vendos gjithashtu, që në një të ardhme të afërme të krijohet këshilli shkencor i veprimtarisë me përbërje nga dy akademitë dhe institucionet bashkëpunuese. Në këshillin shkencor do të përfaqësohen edhe institucione të tjera akademike dhe universitare. Këshilli miratoi thirrjen për pjesëmarrje, e cila do t’u dërgohet qendrave kryesore të albanologjisë në botë dhe studiuesve albanologë individualisht. Thirrja do të bëhet publike në rrjetet e dy akademive në shqip e anglisht. Në konferencë do të trajtohen çështje nga të gjitha fushat e studimeve shqiptare: arkeologji, letërsi, gjuhësi, antropologji kulturore, trashëgimi shpirtërore e materiale, identitet etj.

Gazeta Sot