“Mbretërit e Parë të Europës”, ekspozita e rrallë në SHBA
27 Mars 2023
Prej 31 marsit do të çelet në SHBA dhe Kanada, ekspozita lëvizëse me titull “Mbretërit e Parë të Europës” (First Kings of Europe)”. Nga Shqipëria do të jenë të ekspozuara 17 objekte që i përkasin periudhës së hershme të Bronzit, që datojnë 4500 deri në 2500 vjet me parë,.
Këto objekte të trashëgimisë prehistorike i përkasin Fondit të Institutit të Arkeologjisë dhe Koleksionit të Muzeut Arkeologjik në Tiranë. Ato janë gjetur në varrezat tumulare të gërmuara në të gjithë zonat e Shqipërisë.
Krahas Shqipërisë, në këtë ekspozitë do të marrin pjesë edhe 10 vende të tjera të Europës Juglindore. Sipas muzeut “Field Museum of Natural History” në Çikago që prezanton ekspozitën, koleksioni përmban 700 vepra – përshirë stoli, armë, parzmore dhe të tjera. Tema kryesore e kësaj ekspozite konsiston në formimin e elitave sociale dhe politike gjatë prehistorisë së vonë të Ballkanit.
“Udhëtoni prapa në kohë në vitet 5000 para Krishtit, për të zbuluar se çfarë mund të na tregojnë për jetën në shoqëritë e hershme të Ballkanit veglat prehistorike, armët, dhe skulpturat e ritualeve,” shkruhet në faqen e muzeut.
Objektet e ekspozitës përmbajnë në vetvete domethënie të ndryshme, duke treguar histori që nga besimet dhe ritualet mortore që shoqëronin të vdekurit gjatë periudhës së Bronzit të hershëm, deri tek armët e bronzit dhe të hëkurit të elitave ushtarake dhe helmetat ilire në rrethin e Kukësit.
Për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë projekt punuan Dr. Rovena Kurti, në bashkëpunim me Dr. Rudenc Ruka dhe Prof. Luan Përzhita, Instituti i Arkeologjisë/Akademia e Studimeve Albanologjike. Ekspozita do të jetë e hapur prej 31 Marsit 2023 deri në 28 Janar 2024.
Gazeta Dita