Mbreti Monun dhe kulti i meleagrit

24 tetor 2019

Nga Moikom Zeqo

Në vitin 1980 është zbuluar në Kreshpan një thesar i mbretit ilir Monun.  Përpara kësaj kohe, nga Monuni kishim vetëm disa monedha të gjetura rastësisht, dy prej të cilave vinin nga fshati fqinj, Cakrani, nga një vend që quhet Gurëzezë, ku gjendet edhe një kala ilire e shekullit të katërt p.K.

Gjetja e këtij thesari menjëherë lokalizoi edhe vendin kryesor të prodhimit të këtyre monedhave.

Mbreti Monuni përmendet vetëm një herë në histori, rreth vitit 280 p.K, kur ai merr pjesë në luftë për pretendimin e fronit të Maqedonisë. Fakti i dytë historik vinte nga monedhat e gjetura që në shekullin e 19-të, të botuara nga studiues të asaj kohe, që tregonin se Monuni kishte pushtuar edhe Dyrrahun (Durrësin).

Sepse në monedhat e tij që kishin simbolet e Durrësit, përkatësisht një lopë të cilën e pinte viçi dhe nga ana tjetër një katror me stilizime, të cilat mbanin përveç emrit të qytetit Dyrrah edhe emrin e mbreti Monun.

Gjetja e thesarit të Kreshpanit na çoi edhe në ish-qytetin e Gurëzezës, me një vëmendje më të madhe për të parë aty selinë e shtetit ilir, nën drejtimin e Monunit, ndoshta edhe të paraardhësit të tij që ka qenë Glaukia i famshëm, mbreti i Taulantëve, si edhe të pasardhësit të tij Mytilit, i cili preu monedhat e tij prej bronxi në Apoloni.

Një dinasti prej tre mbretërish të cilët qendrën e tyre e kishin në Cakran. Kërkimet arkeologjike kanë treguar se ky ishte një qytet shumë i rëndësishëm, i formuar rreth vitit 380 p.K, tamam në kohën e Monunit, rreth vitit 300-270 p.K.

Monuni ishte dhe mbret që përpiqet të kontrollojë financat, se deri atëherë mbretërit ilirë nuk kishin prerë monedha. Është Monuni mbreti i parë që pret monedhat dhe duhet kuptuar se kush ka financat, ka edhe politikën.  Kjo është pastaj një histori që vazhdohet edhe nga mbreti Genc, i cili mbyll serinë e mbretërve ilirë.

*****

Në monedhat e Monunit gjejmë historinë e tij të pashkruar, triumfin e tij shtetëror, novacionin që për herë të parë një mbret ilir pret monedha autonome. Ato kanë edhe një gjuhë figurative të pasur dhe plot imagjinatë të strukturave të disa miteve të mëdha antike.

Informacioni i monedhave na jep të dhëna, që mungojnë në kronikat e autorëve antikë. Shkenca e numizmatikës është porta e të papriturave.

Monedhat e Mbretit ilir Monuni na tregojnë ekzistencën e kësaj figure historike.

Këto monedha janë studiuar nga dekani i arkeologjisë shqiptare Hasan Ceka.

Sipas tij, në mesin e shek. IV para Krishtit ilirët taulantë krijuan një shtet të fuqishëm.

Ky shtet u fuqizua rreth qendrës së Dyrrahut.

Jo më vonë se në vitin 350 para Krishtit qyteti ra në varësinë politike dhe ekonomike të ilirëve.

Mbreti i tyre, Monuni, filloi të presë në punishten monetare të Dyrrahut një variant të ri tridrahmeje me lopë e viç, që mban legjendën Basiloeos Monunion dhe që farkëton kështu sundimin taulant, për të cilin heshtin burimet e shkruara. Dyrrahu bëhet kështu qendra më e spikatur e ilirëve.

Sundimi i Monunit mbi Dyrrahun nuk qe një episod i shkurtër, por zgjati për shumë vite, mesa duket deri në vdekjen e tij.

Monedhat e Monunit tregojnë fuqinë e tij.

Dhe në pikëpamje simbolike, Monuni nuk e përfill legjendën Dyr të qytetit, por e zëvendëson me një majë heshte, arma kryesore e sulmit të luftëtarëve ilirë.

Monedha e parë e Monunit i përket viteve 350-330 para Krishtit.

Në faqen e monedhës prej argjendi është figura e lopës me kokën e kthyer nga viçi që pi gjinjtë e saj.

Mbi lopën është figura e një nofulle derri të egër.

Në shpinën e monedhës është një fushë katrore e ndarë në dy katërkëndësha të mbushur simetrikisht me zbukurime në trajtë kokrizash e bishtash, e gjitha e rrethuar zakonisht nga një kornizë.

Mbi dy nga brinjët e kornizës është emri i mbretit në rasën gjinore.

Në monedha të tjera ka dhe simbole të ndryshme p.sh. figurën e majës së heshtës, të mëzdrakut, figurën bucranium, të kokës së demit, zogun Kurillë.

Në të tjera është koka e Herakliut me lëkurë luani, figura e Zeusit gjysmëlakuriq, i ulur mbi një fron, që ka në dorën e djathtë një shqiponjë, në të majtën një skeptër, si dhe një rreth rruazash etj.

Askush deri më sot nuk e ka shpjeguar se ç’kuptim ka nofulla e derrit të egër.

Këtë çështje nuk e ka zhbiruar as Hasan Ceka.

Për mendimin tim nofulla e derrit të egër lidhet me kultin e heroit mitik Meleagrit.

Meleagri qe biri i mbretit të Kalidonit në Etoli.

Sipas legjendës, i ati kishet harruar t’i bënte flijim Artemisës, prandaj hyjnesha shumë e zemëruar dërgoi menjëherë një derr përbindësh që të shkretonte Kalidonin.

Meleagri mori përsipër ta vriste këtë kafshë të papërmbajtur.

Kafsha u vra, por Artemisa nxiti një zënkë midis pjesëtarëve të gjahut për lëkurën e derrit, zënkë e cila u shndërrua në përleshje.

Në këtë përleshje Meleagri vrau padashur vëllezërit e së ëmës.

Atëherë e ëma e mallkoi.

Sipas një tradite tjetër, kur lindi Meleagri nënën e tij e vizituan Moirat, që e paralajmëruan se biri i saj do të jetonte aq kohë sa zjarri do digjte plotësisht urën që po digjej në vatër.

E ëma e fiku dhe e hoqi mënjanë urën, pastaj e fshehu me kujdes në një arkë.

Kur u rrit, Meleagri mori pjesë në gjuetinë e derrit të Kalidonit.

Në këtë gjueti mori pjesë dhe një gjahtare e bukur arkadase, Atalanta, pas së cilës Meleagri u dashurua.

Mbas vrasjes së derrit, Meleagri ia dha lëkurën e tij Atalantës, por daja i Meleagrit, Pleksipi, nuk e pranoi këtë gjë dhe ia mori me forcë lëkurën.

I zemëruar, Meleagri e vrau Pleksipin.

Kur e mori vesh këtë e ëma e Meleagrit, e dëshpëruar e nxorri nga arka urën, e ndezi dhe kur ajo u dogj plotësisht Meleagri vdiq.

Pas kësaj, e ëma vari veten.

Motrat e Meleagrit u shtrinë mbi varrin e të vëllait dhe qanë aq shumë, saqë Artemisa e prekur, u dha fund dhimbjeve të këtyre vajzave të reja, duke i shndërruar ato në zogj që quhen Meleagridë, në pendët e të cilëve njollat e bardha duken si lotë.

Duhet thënë se kulti i Meleagrit ka qenë shumë i fuqishëm në Durrës.

Pikërisht në një sarkofag mermeri të shekullit II kanë qenë skalitur skenat e variantit të dytë të legjendës së Meleagrit.

Ky sarkofag madhështor nuk ka qenë i rastësishëm. Sarkofagu është nga më të bukurit të periudhës së hershme të Antoninëve, të viteve 140-150 të erës sonë.

Sot ky sarkofag ndodhet në Muzeun Arkeologjik të Stambollit.

Stili i reliefeve të sarkofagut është një rrëfim skulpturor i mitit.

Aty janë të gjitha skenat të bëra në dy nivele në sipërfaqet vertikale të jashtme të sarkofagut.

Të dy anët e sarkofagut mbyllen me fytyra skulpturore të vëllezërve Diskurë, Kastorit dhe Poluksit.

Kjo tregon se kulti i Meleagrit në Dyrrah sinkronizohet me kultin e Dioskurëve.

Ky sarkofag ka qenë për një person historik shumë të rëndësishëm për qytetin.

Kemi përballë një çështje shkencore.

Kulti i Meleagrit i njehsuar me fitoren ushtarake të mbretit Monun (derri i Kalidonit paraqitet si një qenie e konsumuar, vetëm me anë të nofullës) që në shek IV para Krishtit, vijon për gati 6 shekuj, deri kur sarkofagu që përmenda më sipër paraqitet si një kryevepër skulpturore e mitit.

Kjo do të thotë që asgjë nuk është harruar.

Kjo do të thotë që në epokën romake ringjallen dhe funksionojnë metaforikisht mitet e epokës helenistike.

Monun na ka lënë edhe një dëshmi arkeologjike të pazakontë. Është gjetur përkrenarja e tij e tipit maqedon që ka gjithashtu mbishkrimin identifikues “Bazileos Monunio”.

As kjo nuk është e rastësishme.

Duhen parë rrethanat historike kur Monuni i taulantëve e fuqizoi pushtetin e tij.

Është shumë interesante që të përcaktojmë lidhjet mbretërore të Monunit me dy mbretër të tjerë ilirë, Glaukian dhe Klitin.

Ky është subjekti i një studimi të mëvehtëshëm.

Mbreti Monun e shpreh historinë e tij ndërmjet simboleve të mitit të Meleagrit, por në kontekstin e një interpretimi metaforik dhe logjik të botës ilire.

Po pse vallë Monuni e përdori mitin e Meleagrit?

Arsyet janë të shumta.

Së pari, Monuni e ka shtënë në dorë qytetin e Dyrrahut forcërisht, pra duhet të ketë zhvilluar një betejë, ka qenë më superior ushtarakisht sesa mbrojtësit e qytetit.

Këtë akt beteje e ka shprehur alegorikisht me gjuetinë e derrit të egër të Kalidonit.

Në këtë rast nofulla e derrit të egër përfaqëson fitoren e Monunit.

Së dyti, në këtë formë mitike Monuni ka dashur të shprehë si personazh historik ilir edhe mënyrën e kultizimit të vetvetes, të krahasueshëm me heroin Meleagër.

Kjo mënyrë ka funksionuar shumë në epokën helenistike.

Kështu Aleksandri i Madh u identifikua me hyun Zeusin Amon.

Është krejt e natyrshme që Monuni të njehsohej me Meleagrin, ndoshta dhe për faktin që të dy emrat fillonin me të njëjtën germë “M”.

Së treti, mund të them se nofulla e derrit të egër mund të shikohet dhe në një simbolikë tjetër.

Nëse kolonët helenë të Dyrrahut e kanë kundërshtuar mbretin ilir duke e konsideruar si një qenie barbare, mentalitet ky shumë i përhapur në atë kohë, që kërcënonte pozitën ekonomike dhe kulturore të Dyrahut njësoj si derri i egër i dërguar nga hyjnesha Artemisa për të shkatërruar fushat e Kalidonit, atëherë një gjë e tillë i përshtatej vetë kuptimit dhe mbiquajtjes politike së mbretit Monun.

Mundet që ta kenë quajtur rrezikshmërinë e Monunit si atë të derrit të Kalidonit.

Pra, kur Monuni e pushtoi Dyrrahun, ai vendosi si heraldikë triumfuese pikërisht nofullën e derrit të egër mbi simbolin e mëparshëm të monedhës me lopë dhe viç.

Një alternativë e tillë shpjegimi është plotësisht e mundshme.

Kjo do të përbënte një invers të vetë mitit të Meleagrit.

Këto janë dy shpjegimet e hapura për diskutim. Por jemi gjithmonë në fushën e mitologjisë.

Në faqen e mbrapme të monedhave bëhet fjalë për simbole ende të pazbërthyera.

Disa dijetarë thonë që zbukurimet gjeometrike brenda kornizës përfaqësojnë Kopshtin e Alkinoit, kurse disa të tjerë dy yje, që lidhen me heronjtë binjakë Dioskurë.

Këtyre miteve u duhet shtuar edhe miti i kryehershëm i themelimit legjendar të Dyrrahut prej heroit Herkul.

Skalitja e armëve të Herkulit flet për këtë.

Kurse figura e zogut Kurillë mbetet ende e pashpjegueshme.

Në monedhat e Monunit gjejmë historinë e tij të pashkruar, triumfin e tij shtetëror, novacionin që për herë të parë një mbret ilir pret monedha autonome si dhe një gjuhë figurative të pasur dhe plot imagjinatë të strukturave të disa miteve të mëdha antike.

Gazeta Dita